TAGS-AT E JAVËS

Kulture29 Gusht 2025, 13:50

Homazhet për aktorin Naun Shundi, flet e bija: E ‘hëngri’ kanceri se thoshte vetëm të vërtetën

Shkruar nga Pamfleti

Homazhet për aktorin Naun Shundi, flet e bija: E ‘hëngri’

Aktori, regjisori dhe dramaturgu i njohur shqiptar, Naun Shundi, përcillet këtë të premte për në banesën e fundit.

Ai u nda nga jeta më 28 gusht, në moshën 66-vjeçare, pas një beteje të shkurtër, por të vështirë me një sëmundje të rëndë.

Homazhet për artistin u mbajtën nga ora 10:30 deri në 12:00, në ambientet e Teatrit “ArTurbina”.

Para mediave foli edhe vajza e tij, e cila, mes dhimbjes, tha se i ati ishte një njeri i drejtë dhe gjithmonë thoshte të vërtetën.

“E hëngri kanceri nga brenda, sepse tregonte vetëm të vërtetën. Nuk na tha asnjë fjalë. Mjekët nuk na treguan kurrë se babai do të vdiste. Ai mendoi se do të jetonte. Edhe pse iku, la pas ‘Zonjën e Bujtinës’, dhe jetën e tij ia kushtoi teatrit. Nuk e di ku është e drejta, por ai që e ka, e ka në zemër,” – u shpreh ajo.

Ndërkohë, aktori i njohur Bujar Asqeriu e cilësoi Shundin si një figurë universale të artit shqiptar dhe një njeri tepër modest.

“Sot është një ditë dhimbjeje dhe trishtimi për publikun shqiptar që e ndoqi me duartrokitje artin e tij. Nauni ishte artist universal – regjisor, aktor, dramaturg – por mbi të gjitha një burrë fisnik. Ai ishte nga ata artistët e mëdhenj, kokulur dhe modest, që nuk e theksonte kurrë veten, por vepra dhe puna e tij flisnin vetë,” tha Asqeriu.

Edhe aktori dhe karikaturisti Bujar Kapexhiu u shpreh me vlerësime për figurën e Shundit, duke e quajtur “një njeri të rrallë dhe të mrekullueshëm”.

“Naun Shundi ishte një aktor i shkëlqyer i skenës dhe ekranit shqiptar, një shok i rrallë. Gjithë jetën ia kushtoi teatrit dhe arriti suksese jo vetëm si aktor, por edhe si dramaturg. Pasioni për teatrin e çoi deri aty sa ndërtoi vetë një teatër. Iku shpejt nga kjo jetë, por ka lënë gjurmë që do të mbeten si një shkollë në artin e teatrit dhe kinemasë,” tha Kapexhiu.

naun shundi e verteta e bija

Lini një Përgjigje