
E bija: Ajo që është quajtur “Epoka shqiptare e Harri Fullzit”, ka brenda dhe investimin e një grupi jo të vogël intelektualësh amerikan që në ato vite shumë të vështira bënë të pamundurën për implementimin e një projekti shumë ambicioz për kohën...
Pjesa e Dytë
Vijon nga Pjesa e Parë
“Të pretendoje për të ngritur një shkollë të dimensionit amerikan në Shqipërinë e atyre viteve të zymta, ka qenë një sfidë e jashtëzakonshme, po ja që ata burra, bashkë me Harri Fullzin e bënë realitet” E ndërsa ndan këtë bindje Joan Kontos, e bija e arkitektit të Shkollës Teknike të Tiranës që e drejtoi atë për 11 vite me radhë, përshkruan me detaje profilin e grupit të intelektualëve amerikan që implementuan projektin teje ambicioz në fillimin e viteve 20 në Shqipërinë e rrënuar e pa stabilitet politik. Në librin me kujtimet e të atit, Joan Kontos sjell jo vetëm kontekstin historik të zhvillimit të ngjarjeve që kanë në qendër fatin e një shkolle të re, në vendin që nuk kishte asnjë të tillë, por edhe dinamikën e zhvillimeve që patën për protagonist një grusht njerëzish ëndërrimtar nga matanë Atlantikut që i deshën me shpirt Shqipërinë dhe shqiptarët
Ideatorët e modelit amerikan në Shqipërinë e mesjetës
Shkolla Teknike e Tiranës identifikohet më së shumti me emrin e Herri Fullcit, që ishte drejtor i saj për 11 vite, por duhet theksuar që në krye të herës se janë dhe dy protagonist të tjerë dhe jo vetëm që kanë kontribuar po kaq sidomos në ngritjen e saj.
I pari, kapiteni Xhon Kroullej, që kishte ardhur në Shqipëri në vitin 1920, si drejtor i projektit të Kryqit të Kuq për edukimin dhe arsimimin. Ai ishte një njeri i guximshëm dhe energjik. Para se t’u bashkohej forcave ekspedicionare amerikane në Europë, kishte qenë një avokat ambicioz në Nju Jork. Nga këto forca u largua me gradën e kapitenit dhe, pavarësisht nga natyra e padyshimtë civile e Kryqit të Kuq, ai përsëri mbeti kapiten. Kroullej shfaqet, shpesh jashtë dosjeve të verdha, si një njeri me personalitet të harbuar, ndodhte edhe të rrëmbyer, por efikas, me raste edhe i bezdisur – një njeri energjik që nuk i mungonte humori. Pak kohë pas mbërritjes në Tiranë, ai hartoi një Memorandum Marrëveshje për të përcaktuar sferat respektive të përgjegjësive me qëllim që “t’i jepej fund grindjeve, ngatërresave, diskutimeve, dhe veprimeve të tjera foshnjarake” që kishin ndodhur më parë në implementimin e projektit për arsimin. Kapiteni Kroullej ishte I pari që ndriçoi nismën e shkollës teknike dhe I dha asaj bindje dhe energji. Ende pa mbushur muajin e tij të parë në Tiranë, ai i shkroi Kryqit të Kuq se formimi në janar i një qeverie shqiptare shihet si një ogur i mirë për fillimin e saj. Përpjekjet e para me autoritetet vendore ishin për përcaktimin e vendit për ngritjen e shkollës. Gjatë bisedave me shqiptarë të veçantë atij iu sugjerua një shesh i mundshëm ndërtimi: një ndërtesë pjesërisht e ngritur, të cilën turqit e kishin nisur për ta bërë kolegj në një përpjekje të vonuar për të përmbushur kërkesat e shqiptarëve për institucione arsimimi. I bindur për marrjen e kësaj ndërtese apo të ndonjë tjetre, kapiteni Kroullej kërkoi një shumë prej 30.000 dollarësh. Njëherazi kishte dërguar në Paris kërkesën për mjete karpentierë, duke menduar se edhe mësimdhënia do të fillonte me karpanterinë e pastaj do të zgjerohej me zanatet e tjera. Ndërkaq ai çdo ditë qëndronte në krye të detyrës për të krijuar kushtet normale për ngritjen e shkollës. Dhe duhet thënë se sakrifikoi jo pak energji për ti dhënë jetë projektit ambicioz që bënte fjalë për të implementuar në Tiranë, asokohe e tej prapambetur në kthetrat e feudalizmit mesjetar një model amerikan të përparuar për kohën. Padyshim që pa përpjekjen e tij as që do bëhej fjalë për ngritjen e shkollës. Atij I takon merita që bëri çdo gjë në ato kushte tmerrësisht të vështira për të implementuar projektin e shkollës teknike të Tiranës sipas modelit amerikan.
Protagonisti tjetër, Çarli Hollingshed (Charles A. Hollingshead), kontribuoi shumë në themelimin dhe funksionimin e shkollës. Ai ishte një nga të parët e trupës pedagogjike të saj dhe vazhdoi të shërbejë si i tillë deri kur kjo shkollë u nacionalizua nga regjimi i mbretit Zog më 1933. Herri T. Fullc sakaq erdhi në shkollë më 1922 si drejtor, post që e mbajti deri më 1933. Aftësitë e tij si mësimdhënës, administrator dhe diplomat, me optimizmin e tij të pashuar, ishin vendimtare për mbijetesën dhe forcimin e Shkollës Teknike shqiptare gjatë viteve 1922-33. Ty dy këta, si Fullci dhe Hollingshedi, ishin të vetëdijshëm, bujarë dhe individë të apasionuar, që iu përkushtuan tërësisht nxënësve të tyre, si dhe kauzës së progresit e diturisë në Shqipëri. Ky dedikim shërbeu jo vetëm si një frymëzim për nxënësit e tyre, por njëkohësisht ata fituan dhe respektin e dashurinë e gjithë atyre shqiptarëve ose joshqiptarëve që patën mundësinë të njihen me punën e këtyre dy qytetarëve amerikanë.
Më 1921, kur u themelua Shkolla Teknike, në Shqipëri kishte vetëm dy shkolla të mesme dhe asnjëra prej tyre nuk ofronte mundësi kualifikimi teknik e profesional.. Deri në atë kohë pak shqiptarë zotëronin njohuritë e duhura teknike që të ndihmonin vendin drejt modernizimit dhe ishte kjo shkollë profesionale që i pajisi studentët e saj me mësime teorike dhe praktike përmes programeve mësimore të gjëra profesionale. Kështu ata vunë në punë një shtypshkronjë komerciale, një central modest elektrik, një fabrikë akulli dhe një fermë. Po ashtu shkolla ndërmori disa projekte ndërtimi përfshi dhe legatën amerikane në Tiranë. Por shkolla ofroi edhe më shumë se përgatitje profesionale. Programi mësimor i shkollës teknike i detyronte nxënësit të merrnin mësime për gjuhën shqipe, matematikë, shkenca shoqërore dhe higjienë. Nxënësit e saj ndjeheshin krenarë për pjesët teatrale që vunë në skenë, apo për faktin që gazeta e tyre zuri vendin e parë në konkursin e organizuar nga Universiteti Kolumbia.
Cilësia dhe gjërësia e programit mësimor të Shkollës Teknike ishin të tilla që shumë nxënës të lauruar prej saj u pranuan në universitete me famë në SHBA dhe në Europë.
Në vitin akademik 1932-33 ishin mbi 500 studentë, nga 32 që nisën mësimin në fillim në këtë shkollë. Pikërisht në momentin kur shkolla teknike mund të ndikonte në shoqërinë shqiptare, në vitin 1933 u nacionalizua, bashkë me të gjitha shkollat e tjera të huaja në vend, mbi bazën e një ligji që synonte në fakt ndërprerjen e rritjes së influencës italiane në Shqipëri. Deri në këtë kohë shkolla kishte nxjerrë 156 të diplomuar, shumica e të cilëve ishin punësuar nga qeveria në sektorë të ndryshëm të ekonomisë kombëtare.
Por kontributi i kësaj shkolle për zhvillimin dhe modernizimin e Shqipërisë, nuk mund të kufizohet vetëm tek numëri i të diplomuarve. Shkolla bëri bashkë të rinj shqiptarë të feve dhe rretheve sociale të ndryshme nga çdo krahinë e vendit. Në këtë mënyrë, ajo dha ndihmesën e vet modeste kundër sektarizmit krahinor që kishte ekzistuar e ekzistonte ende në Shqipëri edhe pas fitimit të pavarësisë. Nga ana tjetër, ajo gjithashtu ndihmoi për të ngulitur tek nxënësit e vet dhe tërë ata shqiptarë që ranë në kontakt me këtë shkollë, virtyte të tilla si patriotizëm, qytetari, disiplinë dhe optimizëm.
Shkolla Profesionale Shqiptare, dha një shembull të përkryer, që sot specialistët e zhvillimit të botës së tretë duhet ta studiojnë dhe të përfitojnë prej tij. Pengimi i ndërhyrjes nga lëvizjet politike në vlerat dhe praktikat e shkollës, modeli dhe mënyra e përgatitjes së Shkollës Teknike ka ndikuar në zhvillimin e vendit po aq sa dhe për studentët individualisht.
Historia “Harri Fullz”
Ishte muaji shkurt I vitit 1922 kur lindi nevoja e përzgjedhjes së një drejtori të ri, i cili kësaj radhe duhet të ishte “njeriu i duhur”. Ambicia për ta bërë Shkollën teknike Shqiptare një institucion të nivelit të lartë, nga drejtorët përkatës të Kryqit të Kuq kërkohej që kandidati të ishte një person me përvojë, me aftësi përshtatës dhe të matur. Pa asnjë mëdyshje për ta, karakteri qëndronte mbi gjithçka. Në një memorandum të pa firmosur, pra jozyrtar, përshkruheshin cilësitë e kërkuara: Nga sa shihet, puna në këtë shkollë do të duhej të niste nga e para. Kjo do të thotë se nuk është as e dëshirueshme dhe as e këshillueshme të fillohej me ndonjë specialist apo ekspert që t’u binte kokës studentëve, pra në një farë mënyre tepër i rreptë. Në fakt, në këtë rast lypsej një njeri i ri në moshë dhe entuziast për punën, të kishte një gjykim të qartë, personalitet, iniciativë që të vazhdonte me të njëjtën frymë, siç e kishte nisur Kryqi i Kuq. Mbi të gjitha, njeriu i zgjedhur duhej të gëzonte shëndet të plotë, për të përballuar malarien e muajve të verës dhe, nga ana tjetër, nuk duhet të ishte pijanec e qejfli grash...Pra duhej një drejtor për të ngritur një shkollë nga hiçi, të kryente një detyrë pa precedent të mëparshëm të ngjashëm. Atij do t’i duhej të mësonte njerëzit me përdorimin e mjeteve, që në Amerikë i dinë edhe çiliminjtë...
Për çështje të tjera të rëndomta, Kryqi i Kuq ofronte shpenzimet e transportit vajtje-ardhje me mbarimin e misionit (koha e qëndrimit nuk përmendej), si dhe një pagë rreth 350 dollarë në muaj. Kjo pagë ishte relativisht e kënaqshme, duke marrë parasysh koston e ulët të jetesës në Tiranë, strehimin që mbulohej nga shkolla, ushqime me çmime të lira si dhe shpenzimet e pakta për mungesë të shumë gjërave në treg.
Pas shumë hulumtimeve Kolegji i Arsimit i Çikagos, zgjodhi përfundimisht kandidaturën e Harri Trevlin Fullcit ( Harry Trevlyn Fultz). Ai atëherë ishte 34 vjeç, jepte mësim për Artet Mekanike në shkollën e mesme të Universitetit të Çikagos dhe bënte punë diplome në Kolegjin e Arsimimit. Kohët e fundit kishte marrë një baçelor të shkallës shkencore nga Instituti i Teknologjisë të Blindeve dhe po festonte ditëlindjen e parë të djalit . Mënjanimi i çdo mundësie për ta marrë edhe familjen me vehte, ai u nis për në Shqipëri më 23 shtator 1922 me anijen “Olimpik”. Gjithsesi Shqipëria ishte një pikë jo e shëndetshme për këdo që mund të vinte. Siç do të shprehej më vonë, Fullc e pranoi propozimin, sepse “kjo ishte një mundësi për të mbushur një boshllëk në edukimin e tij në kushtet e një pune kur kishte mungesa të mëdha”. Të bëheshe drejtor i një shkolle në Shqipëri sigurisht që ishte një gjë e veçantë, por jo kushdo mund ta bënte, ndaj duket se Fullc ishte më i mundshmi për vetë edhe përvojën e kohës së luftës në Europë, që e bëri birin e një fermeri të shtetit të Indianës të kapte idenë e kryerjes së shërbimeve në një vend të panjohur, të largët e të prapambetur.
I lindur më 20 dhjetor 1888, në një fermë të Indianës së Jugut në kontenë e Uashingtonit, ai u rrit bashkë me nëntë vëllezër e motra (vetë ishte i pesti nga dhjetë fëmijët). Harri Fullci, siç kishte bërë para tij edhe z.Hollingshed, nga një anë jepte mësim dhe nga ana tjetër vazhdonte arsimimin e mëtejshëm të vehtes. Pasi mbaroi shkollën e mesme më 1907, për herë të parë dha mësim për një vit në një shkollë rurale në kontenë Morgan (Indiana), pastaj hyri në Uabash Kollixh (Ëabash College),pastaj u transferua në Shkollën Normale të Shtetit Indiana. Çertifikata e tij e mësuesit e favorizoi për një sërë vende pune në shkollat e Pitsburgut dhe Klertonit (Pensilvani), deri kur më 1912 mbi bazën e kursimeve personale hyri në Universitetin e Çikagos. Në të njëjtën kohë që ndiqte studimet për matematikë dhe shkencë gradën e baçelorit në shkenca, ai jepte mësim në shkollën e mesme të universitetit, dhe para se të diplomohej më 1915, u regjistrua në kursin e mbrëmjes dhe të shtunave në Institutin e teknologjisë së Blindeve, ku vazhdoi deri në fillimin e luftës dhe pas saj u rikthye përsëri.
Si për shumë amerikanë të tjerë që u mobilizuan, lufta në Europë i dha përvoja që nuk i kishte provuar më parë. Pas një trajnimi 6-mujor në kampin e përgatitjes së oficerëve në Fort Sheridan, në dhjetorin e vitit 1917 togeri Fullc u imbarkua në një anije, ku shumica ishin punëtorë nga Indokina Franceze për të hapur transhe në Francë. Me të mbërritur në kontinent, oficeri u ri u dërgua në shkollën e kavalerisë tradicionale franceze (tani e artilerisë) në Somur (Saumur) për të mësuar për topat fushorë si dhe artin e kalërimit. U caktua në Regjimentin e 146-të të Artilerisë Fushore (do të kishte bërë mirë të kishte mësuar edhe për mushkat), me të cilin mori pjesë në luftimet me gjermanët në Shato Thierri, St. Mihiel dhe Argonë. Me shpalljen e armëpushimit dhe deri në çmobilizimin e tij në qershor të vitit 1919, kapiteni Fullc shërbeu në ushtrinë okupuese në Koblenc. Për të, si dhe për shumë të tjerë si ai, lufta ishte një kohë kur, më e pakta, farat (bërthmat) për interesin për botën jashtë Amerikës zunë rrënjë; ai arriti të shkonte në Shqipëri më 1922, por në rastin e shpërthimit të një lufte të dytë botërore ai përsëri u thirr nën armë dhe shërbeu në Zyrën e Shërbimeve Strategjike. Në fakt, Shkolla kishte pak muaj që kishte nisur kur erdhi Harri Fullci. Jehona e saj ishte ndjerë deri në Amerikë, Në shtypin e kohës njeri nga drejtuesit e Kryqit të Kuq amerikan, Bradllej Kelli shprehte mahnitjen e vet për ecurinë praktike të shkollës në muajt e parë, sidomos për kompletimin e punës në sektorët e ofiçinës, punë që kishte nisur pesë muaj më parë në një ditë festive të prillit. E gjithë kjo atij i dukej si një mrekulli.
“Është pothuaj tepër e vështirë të përshkruhen me saktësi kushtet e punës ndërtimore në këtë vend. Prania e një mentaliteti oriental përgjumjeje dhe i lënies së punëve për “nesër”, një e nesërme që nuk vjen kurrë, zyrtarizmi burokratik, fuqi punëtore e pa trajnuar dhe e papërgjegjshme, sëmundje, injorancë, mungesë mjetesh e instrumentesh, janë dukuri mjaft frenuese; shto këtu pastaj gjendjen e mjeruar të rrugëve, ditët e pushimit dhe festat e shumta dhe, mbi të gjitha, mungesa e përgjegjshmërisë shoqërore. Përparimi i bërë në programin e ndërtimeve në këtë rrethana duket pothuaj një mrekulli. Mos të përmendim pastaj që transportimi i trarëve, tullave e tjegullave, çimentos nga Durrësi u krye për ditë e netët të tëra të një pune rraskapitëse krahu, ngarkimi e shkarkimi dërmues në makina të vjetra, nëpër rrugë tmerrësisht të dëmtuara, me mungesë karburanti por edhe me shoferë pa përvojë dhe dembelë. Megjithatë u ngritën mure të fortë nga ustallarët e aftë dibranë, për te cilët thuhej se kishin lindur me mistri në dorë. Malësorët nga Mati për ditë të tëra nën diellin përvëlues, duke sharruar trarët e mëdhenj në binarë e dërrasa sipas përmasave të duhura me sharra të mëdha dore të kohës së Nohes. Me ngritjen e çatisë gjithçka ishte gati për vendosjen e makinerive2)
Gjithçka vërtet ishte gati, por ofiçina ishte bosh në pritje të zgjidhjes të disa problemeve që pengonin lëvizjen e makinerive të rënda në Tiranë dhe instalimin e tyre. Këto si dhe disa çështje të tjera Z.Kelli ia la për zgjidhje drejtorit të ri. Sipas programit, në korrik shkolla fillore i kaloi Ministrisë së Arësimit, kështu që Kryqit të Kuq i mbeti vetëm shkolla teknike dhe puna e Znjsh.Trajani për shëndetin publik. Ndërsa z.Kelli u bë gati të largohej, z.Fullc arriti në tetor 1922 dhe kështu për të dy u hapën dyert e një karrierë të re. Me kthimin në Nju Jork, Bradllej Kelli u lidh me sindikatën e gazetës King, por shkollën nuk e harroi kurrë, duke dërguar libra për bibliotekën e saj dhe mbajtur korrespondencë të rregullt me z.Fullc.
Megjithatë, para largimit, z.Kelli iu desh të përballet me një shqetësim jo të lehtë, pasi një hua që i ishte dhënë shkollës për fjetoren u tërhoq befas dhe kështu i duhej të paguante 900 dollarë të tjera. Fondi Kombëtar i Fëmijëve tashmë ishte përvetësuar. Pra ku të gjendeshin paratë? “Tashmë kishte ardhur puna – shkruante Ana Milo Apxhoni (Anna Milo Upjohn) në gazetën e Kryqit të Kuq Shërbimi i Shkollave të Mesme (High School Service) – që Kryqi i kuq të merrte përgjegjësinë e mbylljes së shkollës. Por anëtarët e Kryqit të Kuq kur dëgjuan për sa sipër, u treguan kurajozë dhe dërguan menjëherë 1000 dollarë”. Duke përshkruar këtë incident, gjatë një vizite të saj në Tiranë më 1929, pra tetë vjet pas ngjarjes, Ana Apxhon u shpreh se “Ah sikur Pitsburgu të mund ta shihte çfarë është bërë këtu!”3). Kështu dyert e Shkollës Teknike të Tiranës u hapën në kohën e duhur për sezonin e vjeshtës së vitit shkollor 1922. Kështu nga 93 nxënësit e miratuar – 29 nga cilët të rinj – vetëm pak erdhën me vonesë.
Ardhja me vonesë e studentëve ishte një problem që përbënte pengesë si për vetë nxënësit por edhe për fillimin e rregullt të vitit shkollor. Ndonëse shumica vinin në kohë në ditën e fillimit të shkollës, një pjesë vonoheshin deri në disa javë, në përgjithësi jo dhe aq për fajin e tyre. Arsyet e vonesës ishin nga më të ndryshmet: detyrimet familjare, siç janë për shembull të korrat; vështirësitë e udhëtimit – shpesh nxënësit duhet të udhëtonin në distanca të largëta në një vend me pak rrugë dhe ku nuk ekzistonte transporti publik; nganjëherë ndodhte që qeveria shtynte fazën përzgjedhëse apo vononte caktimin e bursave për ta. Cilado që të ishte arsyeja kjo do të bëhej e zakonshme për çdo vit. Për të zgjidhur problemin, stafi këtë tremujor vendosi krijimin e një klase të veçantë për ata që vinin me vonesë, në mënyrë që të ndihmoheshin ata të zinin shokët.
Një tjetër rregullim i bërë në përshtatshmëri me rrethanat e veçanta shqiptare ishte rishikimi i skemës së pagesës për shkollimin. Shuma e pagesës për shkollim ishte caktuar mbi bazën e përllogaritjes së kostos për ushqimin e një nxënësi për periudhën nëntëmujore të vitit shkollor4) . Por të pakët ishin ata, sidomos në vitet e para, që vinin nga familje që ishin në gjendje t’i përgjigjeshin pagesës, ndërsa një pjesë tjetër mund ta paguanin nga Kryqi i Kuq. Kështu në vjeshtën e vitit 1922, shuma e mbledhur nga këto pagesa nuk pritej të kalonte 2000 dollarë. Shkolla Teknike, pasi rishikoi skemën, shpresonte që në të ardhmen të rriste burimet e saj dhe të pranonte djem premtues, qofshin edhe të varfër, duke mënjanuar stigmën e lëmoshës. Kështu ata që ishin të kamur ta paguanin shumën e caktuar të plotë; të tjerë, tjetër mund ta kompensonin me mall –psh me grurë, ullinj, dhen. Ndërsa birit të një familje të varfër i jepej mundësia për të punuar – për shembull në kuzhinë apo si kamerier – dhe kështu të paguante shkollimin duke “ruajtur respektin për vetveten”.5)
Kështu, gjysma e 93 nxënësve të këtij viti paguan një pjese të shpenzimeve me mall ose me punë; njëzet morën bursë të plotë. Në Shqipëri, shtresa e të pasurve ose edhe atyre që kishin aftësi pagimi, ishte relativisht e vogël, dhe prestigji i arsimimit akademik ishte shumë më i lartë se arsimimi profesional e teknik. Me kohë, me rritjen e reputacionit u rrit edhe numërim i nxënësve me pagesë.
Duke qenë se dy të tretat e nxënësve vinin nga familje të varfëri, rrobat që vishnin ishin ato që u gjendeshin sipas mundësive financiare. Nisur nga teshat e papërshtatshme që mbanin shumica, z. Fullc ngriti para Kryqit të Kuq mundësinë që t’u jepeshin rroba nevojtarëve. Përgjigja ishte negative për arsyet e mëposhtme:
Ne se fillojmë kështu, kjo nuk do të ketë të ndalur dhe kjo do të ishte një formë lëmoshe, gjë që nuk dë të ishte e mirë për nxënësit të mësoheshin me të. Ne kemi për qëllim të përpiqemi t’i mësojmë këta djem të mbështeten tek puna e tyre dhe ta duan të qenit të pavarur, t’u edukojmë dashurinë për punën dhe besimin tek dinjiteti dhe vlera e saj. Ndaj kjo është e domosdoshme. Nuk duhet të bëjmë ne më shumë se sa duhet të bëjnë nxënësit dhe familjet e tyre për vetvehten.6)
Kryqi i Kuq, vërtet u tregua parimor por jo aq zemërgur. Kështu ai dërgoi një sasi të vogël teshash nga rezerva, që do t’u shpërndaheshin më të varfërve, siç do ta gjykonte drejtori.
Z.Fullc mendonte se vetë mbështetja e vetë shkollës do të bëhej e mundur në së do të vazhdonte të aplikohej pa u ndalur. Pjesa me e madhe e shpenzimeve shkonin për ushqimin a afro 100 nxënësve. Me rritjen e numrit të nxënësve ishte e natyrshme që do të rriteshin edhe shpenzimet. Çfarëdo që shkolla mund të kontribuonte në depot e saj, ishte e barabartë me kursimin e fondeve. I pirur nga ky synim z.Fullc i kërkoi qeverisë shqiptare t’i jepte shkollës një copë tokë për ta mbjellë dhe duke parë anën praktike të propozimit qeveria ia miratoi. Në vitin 1920, kur z.Skull (Scull) po mendonte për një projekt të mundshëm për Kryqin e Kuq të Ri, ishte pikërisht trajnimi për bujqësinë që iu sygjerua nga disa shqiptarë. Por ajo për të cilën ndihej më shumë nevoja në Shqipëri ishte trajnimi industrial, ndaj edhe u bë funksioni kryesor i shkollës. Kështu drejtori i Shkollës Teknike Shqiptare do të mund të shkruante në një letër për Parisin:
Dhënia e kësaj toke nuk përben problem për mësimet në agronomi. Këtë gjë e kam bërë të qartë...Këto mësime mund të kthehen në karakteristikë për punën që është bërë... por synimi kryesor është ulja e jashtzakonshme e shpenzimeve për ushqim që sa vinë e bëhen më të mëdha për shkak të rritjes së vazhdueshme të numërit të nxënësve. Po të mos fillojmë të ndajmë mjetet përmes të cilëve buxheti i shkollës të sillet brenda mundësive që ka vendi të paguajë, nuk shoh praktikisht të ardhme për shkollën në fund të periudhës nën përkujdesjen e Kryqit të Kuq të Ri Amerikan. 7)
Në vazhdim të argumentit të tij, z.Fullc shkruante se duheshin vlerësuar e përmendur edhe përpjekjet e nxënësve për nxjerrë vetë shpenzimet, si dhe aftësitë e energjitë e tyre. Duke e shpërndarë punën tek të gjithë dhe shfrytëzuar ditët e lira të zakonshme, puna në fermë. mendonte ai, nuk duhej të prekte programin akademik apo lëndët e tjera mësimore praktike. Për më tepër ferma do të kthehej në një konsumator të produkteve të ofiçinave mekanike dhe të drurit, ndërkohë që zbatimi i të reja në fermë i përgjigjej direkt nevojave të një vendi bujqësor. Në një paragraf të fundit na shfaqet Fullci tipik, duke thënë: Ne duhet ta sjellim shkollën sa më shpejt të jetë e mundur në baza praktike dhe pune. Sa në shumë të kontribuojë ajo në mbështetjen e vetes, aq më e sigurtë do të jetë për të ardhmen e saj dhe aq më pak e varur nga ndihmat e jashtme apo kapriçot dhe tekat e një qeverie të varfër. Dhe unë e kam të qartë se nuk ka terren më të mirë për të përgatitur qytetarët e ardhshëm të çfarëdo vendi, se sa një institucion, ku ata që janë të lidhur me të, e ndihmojnë atë të mbajë vehten. Ai vetë i pari duhej të jepte shembullin e dinjitetit për punë dhe idenë se secili, pa përjashtim duhet të bënte atë që i takonte.
Modeli amerikan në mes të Tiranës
Shkolla ishte implementim i një projekti amerikan në mes të Tiranës. Fillimisht ishte qeveria që dha me qira një tokë me sipërfaqe 65 akra për ta përdorur shkolla teknike. Toka shtrihej në luginën e Tiranës në një distancë të afërt nga “Kolegji i vjetër”. E lënë pa punuar për një kohë të gjatë, kishte shenja se dikur ishte vaditur dhe z.Fullc iu duk tokë pjellore dhe aluvionale. Shkollës Teknike të Tiranës i kaloi aty nga muaji janar dhe nga fundi i marsit toka u rrethua, u hapën disa kanale kullues, u mbollën dymijë rrënjë hardhi – dhuratë nga populli i Vlorës – si dhe u përpilua një plan program për dy-tre vitet e ardhshme. Nxënësit e klasave të zdruktarisë prodhuan nja dymbëdhjetë krehër dhe nja dyzet pishta për lopata, kazma dhe shatër. (ofiçina mekanike nuk ishte vënë ende në punë). Në periudhën e mbjelljeve gjatë muajit maj nxënësit mbollën dy akra me qepë, bizele, misër, lakër dhe domate, ndërsa katër akra të tjera i mbollën me patate, shalqinj dhe fasule. Prodhimet e fermës e treguan që në nisje leverdinë e kësaj ndërmarrje. Të ardhurat nga vjeljet e para ishin rreth 600 dollarë mbi shpenzimet, sipas çmimeve të tregut në Tiranë – dhe ajo që ishte më mahnitëse u prodhuan një ton qepë dhe tre ton domate.
Z.Fullc e nënvlerësoi zgjerimin që mund të merrte ferma. Mësimet për agronominë vazhduan natyrshëm më tej pasi që edhe ferma vazhdoi me aktivitete të tjera si mbjelljen e drurëve frutorë, ekonomi blegtorale, rritja e bletëve dhe të tjera. Kjo fermë u kthye në një model me kapacitete eksperimentale dhe demonstrative edhe jashtë kufijve të saj, dhe një ekonomi shumë fitimprurëse. Përtej të gjitha këtyre, e cila ishte me më shumë se një vlerë edukative “e rastësishme” dhe karakteri ndërtues që parashikoi z.Fullc, puna në fermë ishte përcaktuar nga z.Hollingshed si një mjet e mrekullueshëm për t’u mësuar studimin e natyrës, vetë gjuhën angleze dhe eventualisht për përgatitjen në praktikë të mësuesve të ardhshëm. Ajo u kthye në një burim gëzimi dhe kënaqësie, nga ushtrimi në ajër të pastër pas qëndrimeve në banka për të shijuar frutë e punës, apo duke parë jeshilimin e një kopshti që më parë kishte qenë tokë djerrë.
Në qendër të punës së nxënësve ishte puna studimore akademike, si për këtë vit, por e tillë do të mbetej për tërë kohën. Këto studime zinin një vend të rëndësishëm në programin e vitit 1922-23, pasi klasat e para dhe të dyta ishin ende në fazën fillestare dhe për më tepër ofiçina mekanike nuk ishte gati. Me qenë se nuk kishte tekste mësimi në shqip në lëndët e matematikës, shkencore dhe teknike, ky problem pjesërisht u zgjidh duke shfrytëzuar tekste që përdoreshin në shkollat amerikane dhe britanike. Kështu, për shembull shkolla e mesme e Universitetit Çikagos mblodhi disa tekste që përdoreshin atje dhe ia dërgoi Shkollës teknike të Tiranës. Kjo rrugë u provua mjaft efikase, veçanërisht seria Bresliç (Breslich) e matematikës dhe Boshamp (Beauchamp) për shkencat e natyrës. Në disa raste mësuesit dhe nxënësit hartuan edhe vetë tekstet. Kështu z.Hollingshed përpiloi një tekst për mësimin e anglishtes. Rexh Meta, tanimë nxënës i vitit të dytë, udhëhoqi një grup, i cili përgatiti një punim për historinë evropianë të z.Fullc. Të shkruarit si një mënyrë të mësuari mori menjëherë një vlerë shumë përtej metodës së zakonshme të kufizimit brenda lëndës që jepej në tekstet shkollore.
Metoda mësimdhënëse e z.Hollimgshed nuk ishte ajo që zbatohej normalisht në Europë, ndaj të cilës ishin të prirur disa prej instruktorëve të shkollës teknike. Stafi pedagogjik gjatë shtimit përfshiu edhe shqiptarë e evropiane të tjerë. Kështu atë viti iu bashkua stafit pedagogjik Gasper Beltoja, por që shumë shpejt përqafoi modelin e Hollingshed. Metoda e këtij të fundit, për të cilën ishte edhe drejtori – u kthye stilit të sistem dominues mësimdhënie. Një provë e stilit të Hollingshedit për mënyrën e sjelljes me nxënësit, duket qartë në një letër që ai dërgonte të bijës atë dimër:
Tani djemtë e klasës sime po kopjojnë të paktën një gjysmë tregimi. Ju do të habiteshit se sa shpejtë ata përvetësojnë dhe janë në gjendje ta përsërisin. Nxënësit e pëlqejnë shumë gjeografinë dhe historinë si dhe gjërat praktike. Në Historinë e Përgjithshme ata tani po lexojnë dhe shkruajnë që kanë filluar të shkruajnë një pjesë teatrale – “Roli i makinës me avull në Angli”. Unë vetë nuk po u jap ndonjë ndihmë lidhur me këtë nismë. (Por ishte karakteristike që këtë ai e ktheu në rregull pra “të ndalonte dhe ndihmonte ose ta dëgjonte kur i shkonte ndonjë nga nxënësit). Një nga klasat e natyrës po studionte krasitjen e hardhive. Pasi bëhej teoria shkohej jashtë në terren në fermë dhe krasiteshin hardhitë. Mund të mos bënim dhe aq mirë, por më në fund do ta arrinim siç duhej...Krahas leximit ata tërhiqeshin dhe studionin modele specifike: sythet, filizat, rrënjët, lëvoren e pemëve, palcën e drurit, qelizat dhe shumë gjëra të tjera të çuditshme.9) Ndërsa programi akademik përparonte në rregull, aspekti i përgatitjes teknike kishte mbetur pas, për shkak të dy pengesave serioze të cilët që po vononin pajisjen e repartit mekanik. Problemi i parë si të transportoheshin makineritë e rënda nga Durrësi në Tiranë dhe i dyti, çështja e instalimit të menjëhershëm të pajisjeve në vend. Shkolla teknike trashëgonte nga Komisioni i Kryqit të Kuq një kamion dhe dymotokarro, që ishin të papërshtatshme për këtë punë dhe në këtë rast mbetej si mundësi transporti i makinerive të punim drurit që ishin disi më pak të rënda me qerre me qe, sikundër u veprua me gjeneratorin. E vetmja mundësi mbetej përdorimi i dekovilit të vjetër austriak, i cili nuk ishte mirëmbajtur qe nga mbarimi i luftës. Shinat gjendeshin ne vend bashkë me lokomotivën, por shtrati i rrugës duhej riparuar. Inxhinjer Koliaka me grupet e tij – nxënësit u dërguan me turne sipas programit dhe punuan sipas aftësive e mundësive – riparuan shtratin deri sa 26 miljet erdhën në gjendje të shfrytëzueshme. Kjo ishte vetëm zgjidhja e problemit të parë. Sa i përket problemit të dytë, kishte një çështje që i takonte ta zgjidhte furnizuesit austriak të pajisjeve, të paktën sigurimin e mbikëqyrjes deri në montimin dhe vendosjes në bazament betoni të kudhrës dhe farkës, rrjetave metalike, trapanos, tornove, çekiçëve. Nga frika e malaries firma u tërhoq nga dërgimi i inxhiniereve për montimin. Më vonë ranë dakord të dërgonin dikë gjatë muajve të dimrit, por kërkonin një pagesë ekstra prej 5000 dollarë. Kjo për shkollën teknike ishte një shumë e konsiderueshme dhe rruga e vetme në këtë rast mbetej të shikonin se çfarë mund të bënin vetë. Pala austrike nuk kishte dërguar udhëzimet e nevojshme për montimin. Pas kësaj z.Koliaka dhe dhe z.Fullc, por edhe të tjerëve nga stafi pedagogjik e nxënësit, të shfrytëzonin mendjen e tyre, përveshën mëngët dhe realizuan me sukses montimin. Mbi portën e hyrjes së ofiçinës u vendos një pllakë me mbishkrimin: Kryqi i Kuq i Ri Amerikan, 1922, Shërbim dhe Miqësi. Shkolla Teknike e Tiranës festoi ceremoninë inaguruese më 29 prill 1923 me entuziazëm të madh, njëlloj si kur u hodh lopata e parë në prillin e një viti më parë. Z.Koliaka në fjalën e tij iu kërkoi makinerive : O ju hekura rrotullojnë, që i bindeni atyre që janë të aftë t’ju urdhërojnë, ju urdhëroj t’u bindeni djemve të Shkollës Teknike Shqiptare në krijimin e shtetit industrial shqiptar...10)
Një nga elementët jetik të shkollës, ofiçina mekanike jo vetëm shërbeu për trajnimin për prodhoi edhe artikuj të përdorimit për përdorim nga vetë shkolla (përfshi këtu mjete të nevojshme për ndërtimet e ardhshme), por krijoi edhe të ardhura shtesë. Ofiçina krijoi mundësi zgjerimi të kapaciteteve energjetikë, që do të kthehej në të ardhura të rëndësishme në katër vitet e ardhshme.
Deri tani ishte vënë në përdorim vetëm një nga tre gjeneratorët që kishte lënë Komisioni i Kryqit të Kuq. Gjeneratori në përdorim mund të furnizonte me energji elektrike vetëm shkollën dhe pak ndërtesa qeveritare si psh Parlamentin. Tanimë të tre gjeneratorët ishin vënë punë dhe të vendosur në seri ishin lidhur në një central elektrik në krahun e ofiçinave. Impianti punonte me dru i cili kur digjej prodhonte avull dhe ky vinte në funksion turbinën, duke arritur një kapacitet total prej 12 kilovat. (Më vonë kjo u zëvendësua me një motor që punonte me naftë).
Blerësi kryesor i energjisë elektrike ishte Bashkia e Tiranës. Në fakt, ventrali elektrik i Shkollës Teknike ishte i vetmi burim energjie elektrike në Tiranë nga 1922 (gjeneratori i vetëm saj) deri më 1928, kohë në të cilën një firmë private shqiptare hyri në treg me ndërtimin e një centrali të madh. Pas një marrëveshje midis shkollës dhe qytetit Shkolla Teknike furnizoi me energji. Kështu Bashkia menaxhonte linjat e furnizimit me energji elektrike për ndërtesat qeveritare dhe për ndriçimin e rrugëve, të cilat u dukën kështu për herë të parë në Tiranë. Kjo marrëveshje nuk është së nuk pati probleme, pasi disa nga mirëmbajtësit e saj nuk ishin skrupulozë në detyrë duke lejuar persona privatë të bënin lidhje të paligjshme duke shkaktuar mbingarkesë dhe ndërprerje të shpeshta të energjisë.
Me ngritjen e centralit në verën e vitit 1923, nxënësit iu futën punës. Ata u morën me grumbullimin dhe stivosjen e lëndës drusore, pastruan dhe riparuan gjeneratorët, mbajtën llogaritë, duke punuar me tre turne deri në orën 10.30’ të mbrëmjes. Pavarësisht nga puna e rëndë, kryerja e shërbimeve profesionale iu dha prestigj. Nxënësit viheshin në garë për t’u përfshirë në ekipin e punës në central, sikur ai të ishte ekip universitar. Aq seriozisht ishte marrë kjo punë, sa që një ndihmës përgjegjës tregon:
Energjia elektrike dhe centrali funksionoi gjatë gjithë vitit shkollor. Pavarësisht se në shkollë zhvillohej ose jo mësim, dritat në qytet ishin të nevojshme (energjia për makineritë e shkollës ishte e vazhdueshme)...Kjo punë ishte e nevojshme, sepse ndihmonte që shkolla të bëhej një institucion që mbahej me fondet e veta...
Duhet thënë se vërtet ishte punë e vështirë. Kërkonte gatishmëri, pasi një moment neglizhence mund të shkaktonte djegien e ndonjë kushinete apo thyerje të pjesëve dhe kështu ndërpriteshin dritat për qytetin, pesëmbëdhjetë makineri ndalonin...dhe pas kësaj krijohej përshtypja e mungesës së përgjegjësisë./Pamfleti
Në pjesën e tretë
Nga laboratorët e shkollës së kantieret e ndërtimit, historia e suksesit të shkollës teknike që në vitet e para.
Fullc caktoi Mehmet Shehun për të drejtuar punimet për ndërtimin e selisë së ambasadës amerikane në Tiranë.
Fati i të diplomuarve të parë dhe përkujdesja e këshillit pedagogjik për karrierën e tyre
Lini një Përgjigje