
Publicisti dhe shkrimtari Ben Blushi sjell për lexuesin romanin “Jam Mysliman”. Që në titull shkrimtari ngjall reagim dhe duket sikur provokon, por vetë autori shpjegon se është rritur në një familje myslimane dhe vlerëson ata që besojnë pa çensuruar të tjerët. Në një video të hedhur në Facebook-un e tij ai jep një shpjegim të shkurtër të librit dhe kujt i dedikohet ai:
“Përshëndetje të gjithëve! Ditët e fundit kam marrë shumë mesazhe për romanin tim të ri “Jam Mysliman”. Disa prej tyre janë inkurajuese, disa janë entuziaste, por disa mosbesuese. Në disa raste, kopertina e këtij romani është kthyer në meme. Edhe kjo më pëlqen shumë. Disa prej këtyre memeve kam vendosur t’i postoj në faqen time në Facebook. Ato kanë shumë humor. Por, për fat të keq, disa komente dhe disa meme janë shumë fyese. Unë i mirëkuptoj prapë të gjithë. Megjithatë, dua t’ju them diçka: Romani “Jam mysliman” nuk është kundër myslimanëve. Unë jetoj me myslimanë. Ata më rritën. Ata më mësuan çfarë është mirë dhe çfarë është keq. Ata më mësuan si të dua. Unë i dua të gjithë myslimanët. Xhamia e msylimanëve që më rritën ishte familja. Zoti i tyre ishte dashuria. Feja e tyre ishte nderi. Unë jam po aq mysliman sa ata. Gjyshja ime ishte myslimane. Gjyshja e fëmijëve të mi është myslimane. Unë besoj se myslimanët shqiptarë, janë myslimanët më liberal të botës. Ky libër u dedikohet pikërisht atyre. Romani “Jam Mysliman” tregon jetën e një shkrimtari që, pasi shkoi në mekë u kthye në mysliman. Por, njëlloj si unë edhe ai pati një betejë me fanatikët. Me radikalët. Me ata që e kthejnë fenë në armë dhe besimtarët në ushtri. Me ata që e detyrojnë Zotin të duket si pushtues. Me ata që fyejnë. Me ata që ndalojnë dashurinë. Me ata që mbulojnë bukurinë e grave me perde. Me ata që janë kundër artit, kundër shkencës dhe kundër përparimit. Ky libër pra, nuk është kundër myslimanëve. “Jam mysliman” është kundër fanatikëve. Kundër atyre që duan të kufizojnë liritë tona. Ai nuk është një trakt dhe as një akuzë. Është vetëm një roman. Dhe diçka në fund. Sa më shumë humor. Do t’i postoj të gjitha memet tuaja në faqen time në Facebook. Faleminderit shumë dhe ju pres në panairin e librit. “Jam mysliman”.
Lini një Përgjigje