
Detaje të reja janë zbardhur nga ngjarja e rëndë në Mat ditën e djeshme ku u gjet i pajetë pranë liqenit të Shkopetit, 23-vjeçari Renis Dobra.
Policia e Matit ka shoqëruar 4 persona si të dyshuar për vrasjen e Renis Dobrës. Të shoqëruarit janë persona që më herët kanë pasur konflikte me viktimën.
Ata kanë thënë se problemet që kishin me 23-vjeçarin i kishin mbyllur dhe nuk kanë dijeni për rrethanat e krimit. Pasi u morën në pyetje për disa orë, u liruan nga policia, por pavarësisht kësaj do të vijojnë të mbahen në mbikëqyrjen e uniformave blu.
Ekspertiza paraprake ka nxjerrë se 23-vjeçari Dobra ka humbur jetën nga mbytja me litar.
Hetimet janë përqendruar në disa pista, si konfliktet që i riu mund të ketë pasur, brenda dhe jashtë Shqipërisë.
Sipas burimeve, në Gjermani, nga ku ishte deportuar pak muaj më herët, ka qenë i përfshirë si shpërndarës i lëndëve narkotike. Këtë aktivitet dyshohet se po e vijonte së fundmi edhe në qytetin e tij.
Në vendin tonë 23-vjeçari nuk ka precendent te theksuar kriminal, por i dyshuar dhe hetuar për vjedhje banesash.
Kujtojmë se ngjarja e rëndë ndodhi mbrëmjen e 8 korrikut, pranë liqenit të Shkopetit. Që në vëzhgimin e parë të trupit, është vënë re që i riu kishte shenja mavijosje në qafë, duke ngritur kështu që në fillim dyshimet se kjo është një situatë kriminale dhe jo aksidentale. Policia ngriti dyshimet se Dobra është mbytur dhe makinën ia hodhën në liqen.
Kanë qenë familjarët e të riut të cilët alarmuan policinë për zhdukjen e të riut, për të gjetur më pas që 23-vjeçari është vrarë. Hetimet u mbështetën gjithashtu dhe tek dyshimi se viktima mund të ketë pasur konflikt për ndonjë vajzë, por kjo nuk është e provuar. Ngjarja e rëndë u raportua mëngjesin e djeshëm më 9 korrik 2025.
Lini një Përgjigje