TAGS-AT E JAVËS

Kronike 1 Korrik 2024, 16:18

Vrasja e Pjerin Xhuvanit para zgjedhjeve, Apeli ul dënimin për Arbër Paplekajn; vetëm 7 vite burg!

Shkruar nga Pamfleti

Vrasja e Pjerin Xhuvanit para zgjedhjeve, Apeli ul dënimin për

Avokatët e Paplekajt apeluan vendimin e togave të zeza dhe ditën e sotme, Gjykata e Apelit vendosi të dënojë ish-efektivin me vetëm 7 vite burg.

Gjykata e Apelit ka dënuar me 7 vite burg, ish-efektivin e RENEA-s, Arbër Palekaj, për vrasjen e Pjerin Xhuvanit me 21 prill të vitit 2021.

Në seancën e 29 qershorit, 2023, prokuroria kërkoi dënimin me 25 vite burg për ish efektivin, ndërkohë që më datë 12 korrik 2023, Gjykata e Elbasanit i dha Arbër Paplekajt 22 vite burg dhe dënoi me nga 1 vit shërbim prove dy ish-nën drejtorët e komisariatit të policisë së Elbasanit, Nikollaq Palla dhe Albert Nushi. Ndërkohë që 6 efektivët e forcave ‘Shqiponja’, Dedion Durakun, Pëllumb Biçakun, Erion Ballën, Erion Meçjen, Donald Dedjen dhe Besmir Kadiun u dënuan me 8 muaj ‘shërbim prove’.

Pas këtij vendimi avokatët e Paplekajt apeluan vendimin e togave të zeza dhe ditën e sotme, Gjykata e Apelit vendosi ta dënojë ish efektivin me vetëm 7 vite burg, me argumentin se vrasja ndodhi në kushte të rënduara psikologjike. 

Ndërkohë që dy ish-zëvendes drejtorët e policisë Elbasan dhe 6 efektivët e tjerë janë cilësuar të pafajshëm nga Apeli.

Si ndodhi ngjarja

Kujtojmë se ngjarja e bujshme në Elbasan ndodhi 4 ditë përpara zgjedhjeve parlamentare të prillit 2021, ku u vra Pjerin Xhuvani, një eksponent i fuqishëm lokal i lidhur me Partinë Socialiste, i cili ishte i përfshirë direkt në fushatën e PS në këtë qytet. 

Pjerin Xhuvani mbeti i vrarë në Elbasan pasi u qëllua me armë nga Arbër Paplekaj, shoqëruesi i kreut të listës së Partisë Demokratike, Gazment Bardhi.

Nga ngjarja e 21 prillit, të plagosur mbetën edhe katër persona të tjerë, Emiljan Prenga, Pavlo Vuksani, Eltjon Bodinaku dhe Xhensila Sota (punonjëse e policisë). Paplekaj pranoi krimin dhe u vetëdorëzua në Repartin e Forcave RENEA në Tiranë duke thënë se qëlloi për vetëmbrojtje pasi u qëllua më parë nga persona që sipas tij po blinin vota.

Ngjarja zbuloi edhe skandalin e PD-së për ngritjen e një grupi të armatosur, të vetëshpallur Struktura për Mbrojtjen e Votës, ku një pjesë e mirë e anëtarëve të së cilës rezultuan persona të njohur edhe për strukturat ligjzbatuese në vend.

Përplasja me armë ndodhi për shkak të zgjedhjeve. Struktura e Mbrojtjes së votës e ngritur nga PD pretendonte se makina e shtabit të PS-së është kapur duke shpërndarë para në këmbim të votës. Pas konstatimit të makinës, është thirrur edhe policia.

Në vendin e ngjarjes mbërriti më pas nëndrejtori i Policisë së Elbasanit, Abert Nushi dhe disa efektivë të Shqiponjave. Pas mbërritjes së policisë, në vendngjarje erdhi edhe një automjet me simpatizantë të PS-së.

Në këtë moment ka nisur edhe shkëmbimi i zjarrit mes palëve. Pak minuta pas ngjarjes u vetëdorëzua në polici ish-efektivi i RENEA-s Arbër Paplekaj, i cili dyshohet se ka qëlluar me armë ndaj Xhuvanit gjatë shkëmbimit të zjarrit. Ky i fundit ka thënë vazhdimisht se ka qëlluar për vetëmbrojtje./Pamfleti

Lini një Përgjigje