
Policia e Kavajës ka arrestuar njërin nga tre personat e shpallur në kërkim për plagosjen e 43-vjeçarit në Luz të Vogël një ditë më parë.
Bëhet me dije se, policia ka vënë në pranga kushëririn e dy vëllezërve nga ky fshat, ndërsa 26-vjeçari ka dëshmuar se ku është hedhur arma e krimit. I riu akuzohet për veprat penale "Plagosja e rëndë me dashje" dhe "Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe e municionit".
Policia gjeti armën e hedhur në disa ferra. Ndërkohë, vijojnë kërkimet për gjetjen e dy vëllezërve dhe zbardhjen e plotë të ngjarjes.
"Kapet dhe vihet në pranga njëri nga autorët që dyshohet se plagosën një 43-vjeçar, gjatë konfliktit të ndodhur pasditen e djeshme, në fshatin Luz i vogël.
Vijon puna për kapjen e 2 autorëve të tjerë të plagosjes. Sekuestrohet arma e zjarrit pistoletë e dyshuar e përdorur gjatë konfliktit dhe sasi municioni luftarak.
Si rezultat i kontrolleve të kryera për kapjen e autorëve të plagosjes me armë zjarri, të ndodhur pasditen e djeshme, në fshatin Luz i vogël, shërbimet e Komisariatit të Policisë Kavajë kanë kapur dhe vënë në pranga njërin prej tyre, shtetasin:
E. D., 26 vjeç, banues në Kavajë, për veprat penale "Plagosja e rëndë me dashje" dhe "Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe e municionit".
Nga veprimet hetimore dyshohet se 26-vjeçari, në bashkëpunim me shtetasit V. T. dhe F. D. alias B. T., gjatë një konflikti për motive të dobëta, kanë plagosur me armë zjarri shtetasin E. D., 43 vjeç, i cili ndodhet në spital, në kujdesin e mjekëve.
Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme", njoftoi policia.
Lini një Përgjigje