Një aksident ka ndodhur mëngjesin e sotëm në aksin nacional Pogradec-Qafë Thanë në afërsi të fshatit Udënisht.
Mësohet se një 60-vjeçare është aksidentuar teksa po kalonte në vijat e bardha.
Sipas policisë, 60-vjeçarja ka qenë duke lëvizur në vijat e bardha nga njëri krah i aksit nacional në krahun tjetër kur është përplasur nga mjeti tip “Benz”.
E aksidentuara është dërguar menjëherë në spitalin e Pogradecit me plagë në trup, ndërsa mësohet se ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Nga ana tjetër drejtuesi i mjetit është shoqëruar në komisariatin e Pogradecit dhe po merret në pyetje për rrethanat e këtij aksidenti.
Vetëm pak minuta më vonë shumë pranë vendit të aksidentit ka patur një tjetër aksident, por fatmirësisht nga përplasja e dy mjeteve nuk ka patur të lënduar.
Në të dyja rastet sipas ekspertëve të qarkullimit rrugor drejtuesit e mjeteve kanë qenë duke lëvizur me shpejtësi tej normave të lejuara në kushtet e shiut.
Ndërsa një tjetër aksident ka ndodhur në autostradën Lushnje-Fier në afërsi të kryqëzimit të Pushimit të Shoferit.
Dy mjete janë përplasur në një manovër të gabuar parakalimit. Automjeti tip Dacia me targa AB 522 KG i marrë me qira nga dy turistë ka goditur nga pas një mjet tip Benz me targa AA723 JF, i cili ka përfunduar në kanalin anësor përbri autostradës.
Nga përplasja ka pasur dëme materiale ndërsa drejtuesi i Benzit dhe pasagjerët ndodhen jashtë rrezikut për jetën.
Kujtojmë se një ditë pas aksidentit të patrullës së policisë, një tjetër aksident është regjistruar në orët e para të mengjesit të sotëm në Tiranë. Mësohet se një makinë ka humbur kontrollin dhe si pasojë ka rënë në lumin e Lanës.
Lini një Përgjigje