Pista e vrasjes së biznesmenit Bujar Nasufi po zbulohet dita-ditës, dhe emrat që dalin në dritë nuk janë të panjohur për botën e errët të krimit. Vëllezërit përmetarë Voltan e Jugert Xhani, të arrestuar në kuadër të operacionit “Enigma” në Durrës, dyshohen të jenë organizatorët dhe financuesit e atentatit të 12 janarit 2025 pranë Pallatit me Shigjeta në Tiranë.
Mësohet se në vendin ku autori braktisi motorin pas vrasjes, u gjet një dorezë e djegur pjesërisht, brenda së cilës u izolua një profil ADN-je. Kjo ADN pritet të krahasohet me atë të dy vëllezërve, dhe me kampionin që do të merret nga nëna e tyre një provë që mund të vulosë fajësinë.
Pista e konfliktit për një pronë mes familjes Xhani dhe Nasufit del si motivi kryesor i atentatit. Babai i vëllezërve dyshohet se kishte shitur një pronë që u kthye në mollë sherri. Përplasjet ishin të ashpra dhe të vazhdueshme, ndërsa tashmë besohet se kanë degjeneruar në gjakderdhje.
Por kjo nuk është hera e parë që Voltan Xhani përmendet në atentate mafioze. Ai ishte më herët në kërkim për vrasjen e Elis Rroshkodolit në Shkodër, ku në servisin e tij u gjet makina e përdorur në ekzekutim. Ai akuzohet për krijimin e kushteve për të kryer vrasje dhe trafikim mjetesh motorike. Prokuroria dyshon se përplasja mes Xhanëve dhe Rroshkodolit kishte lidhje me tregtinë e drogës. Kujtojmë se kapja e vëllezërve në Durrës erdhi pas një arratie disa mujore.
Lini një Përgjigje