
Gjykata e Kukësit ka lënë në qeli Zenel Muçmatën, i akuzuar si i përfshirë në plagosjen e kushëririt të kryebashkiakut të Kukësit Albert Halilaj.
Kërkesa e prokurores së çështjes, Vilma Kapaj, për masën paraprake është marrë parasysh nga gjyqtarja paraprake e gjykatës së shkallës së Parë Suada Kurti duke vendosur lënien në burg pa afat të shtetasit Zenel Muçmata.
Ai u arrestua të hënën në Tiranë, si dyshuar për përfshirje në ngjarjen datës 19 shkurt të këtij viti në Bicaj të Kukësit, ku mbeti i plagosur Elvis Halilajt. I riu akuzohet për veprat penale “Vrasja me paramendim”, mbetur në tentativë, kryer në bashkëpunim dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve shpërthyese dhe municionit”. Bashkë me Zenelin u arrestuan Genci Pinguli dhe Enes Asllanaj.
Vlerësimi për masën e arrestit për këta dy të fundit do të bëhet të enjten 27 shkurtit. Kujtojmë se Gjykata e Kukësit, më 24 shkurt ka lënë Sebastian Muçmatën, në masën e sigurisë “arrest me burg” pa afat pasi më 19 shkurt plagosi me armë zjarri Elvis Halilajn.
Mësohet se shkak i konfliktit është bërë largimi nga puna i Elvis Halilajt, I cili pretendonte se e ka shkarkuar padrejtësisht Drejtori i Shërbimeve Publike në bashki, Zenel Muçmata, vëllai i Sebastianit. Ai pretendon se ka ndërhyrë për të mbrojtur familjaret e tij dhe nuk kishte për qëllim të vriste të afërmin e kryebashkiakut të Kukësit Albert Halilaj.
Lini një Përgjigje