
Policia e Malit të Zi dhe ajo Shqiptare kanë ndëmarrë një operacion të përbashkët kundër kultivimit të kanabisit.
Mësohet se në kuadër të operacionti 'Bjeshkët" janë zbuluar 3 parcela me bimë narkotike dhe janë asgjësuar 11 358 rrënjë kanabis në territorin e Malësisë së Madhe, në kufirin me Malin e Zi
Në pranga ka rënë shtetasi M.G, 27 vjeç, banues në Shkodër, i cili u kap në flagrancë. Gjatë operacionit u sekuestruan një armë zjarri me municion dhe një çifte, të dyja pa leje.
"Sot, më datë 25.07.2024, në orët e para të mëngjesit, pas një hetimi disajavor, në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Shkodër, në kushte të vështira operacionale, është zhvilluar dhe finalizuar operacioni policor kundër kultivimit të bimëve narkotike, në territorin e Malësisë së Madhe, njësia administrative Kelmend, fshati Selcë, në vendin e quajtur “Bjeshkët e Gërçes”, në afërsi të kufirit me Malin e Zi
Në zbatim të masave të përcaktuara në planin operacional kombëtar të koduar “Territor i pastër”, nga Drejtoria Vendore e Policisë Shkodër, në bashkëpunim me Policinë e Malit të Zi, Forcën e Sigurisë Kombëtare dhe me Njësinë Speciale “RENEA”, u finalizua operacioni policor i koduar “Bjeshket”, gjatë të cilit u bë asgjësimi i 11 358 bimëve narkotike të dyshuara cannabis sativa, të kultivuara në 3 parcela, si dhe kapja në flagrancë e autorit të dyshuar të kultivimit të këtyre bimëve, shtetasit M. G., 28 vjeç, lindur dhe banues në Shkodër. Gjatë operacionit u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale 1 armë zjarri pushkë dhjetëshe, me municion dhe 1 armë gjahu çifte që posedoheshin pa leje.
Për finalizmin e këtij operacioni, në emër të Policisë së Shtetit, dua të falënderoj kolegët e Policisë së Malit të zi, për bashkëpunimin korrekt dhe profesional me shërbimet e Policisë shqiptare. Ky model bashkëpunimi tregon dhe një herë marrëdhëniet shumë të mira mes dy policive, si dhe besimin për të shkëmbyer çdo informacion në luftë ndaj krimit.
Gjithashtu, ju bëjmë me dije se nga Drejtoria Vendore e Policisë Shkodër, në funksion të këtij plani operacional, që nga muaji janar i vitit 2024, deri sot, janë asgjësuar 249 834bimë dhe fidanë cannabis sativa, si dhe janë evidentuar 242 raste të kultivimit, për të cilat janë referuar materialet për fillimin e procedimeve penale në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Shkodër.
Në funksion të këtyre hetimeve që po kryhen nga DVP Shkodër, ne po koordinohemi dhe kemi një bashkëpunim shumë të mirë me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Shkodër dhe me Prokurorinë e Posaçme SPAK, për dokumentimin ligjor të aktivitetit kriminal të personave të përfshirë në këtë veprimtari", njofton policia.
Lini një Përgjigje