
SPAK ka dhënë informacion zyrtar për operacionin që çoi në pranga 8 persona, mes tyre prokurorin e Kukësit, Xhevahir Lita, ish-kreu i Operacionales Oltion Bistri, biznesmenin Pëllumb Gjoka etj.
Në njoftim thuhet se është bërë e mundur dokumentimi i disa ngjarjeve kriminale, ndërsa hetimet për ngjarje të tjera vijojnë.
Hetimet nga SPAK me Europol dhe agjencitë e jashtme
Hetimet për goditjen e këtij grupi nisën më 16 Janar të këtij viti. Në kuadër të këtij procedimi, Struktura e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, në bashkëpunim intensiv me Eurojust, Europol dhe agjencitë ligjzbatuese belge, holandeze dhe franceze, ka zhvilluar hetime lidhur me disa shtetas shqiptarë të përfshirë në aktivitet kriminal në Shqipëri dhe në disa vende europiane. Po ashtu është hetuar edhe lidhur me disa ngjarje kriminale të mëparshme të ndodhura në Shqipëri në vitet 2019-2022.
Gjatë hetimeve të kryera nga SPAK, është bërë e mundur të dokumentohet se persona me precedent kriminal, të dënuar për vepra të rënda penale, kanë kryer edhe ngjarje të tjera kriminale për të cilat vijojnë hetimet. Janë dokumentuar gjithashtu vepra penale të kryera nga zyrtarë publik, punonjës të Policisë së Shtetit të nivelit drejtues, punonjës të Policisë të Shtetit të nivelit të lartë drejtues, si dhe prokuror, të cilët cënonin funksionimin e rregullt të shtetit ligjor dhe sundimin e ligjit.
Bazuar në kërkesën e Prokurorisë së Posaçme, Gjykata e Posaçme e Shkallës Parë për Korrupsionion dhe Krimin e Organizuar, me vendimin nr.94, datë 23.07.2023 ka miratuar masat e sigurisë personale “arrest në burg”, për 15 shtetas të dyshuar si autorë të kryerjes së veprave penale.
Zbardhen 4 ngjarje kriminale të rënda
Nga hetimet e kryera janë zbardhur disa ngjarje kriminale të ndodhura në vend, siç ishte tentativa e vrasjes së Gjin Borici Ndoj, ndodhur në Shkodër në muajin gusht të vitit 2020.
Gjithashtu, është zbardhur tentativa për vrasjen e Taulant Pepës, po në Shkodër në shkurt 2021.
Nga ana tjetër, është konfirmuar se pjesëtar të këtij grupi kanë siguruar mjetet për vrasjen e Kleant Musabelliu në Tiranë gjatë vitit 2020, si edhe për vrasjen e Ibrahim Licit, Dorjan Dolit, Gentian Tafilajt ndodhur gjatë vitit 2020.
Komunikimet mes vrasësve
Nëpërmjet “Sky” dhe “Encro” ka rezultuar që pjesëtar të këtij grupi kriminal merrnin porosi për vrasje, thurin plane për ekzekutime, por edhe i raportojnë në kohë reale për finalizimin e këtyre krimeve. “U kry”, ishte një nga mesazhet që është zbardhur, i cili ishte tregues se plani kishte shkuar me sukses.
Mirëpo, nga ana tjetër, është zbardhur edhe rasti i një bisede mes një biznesmenit Pëllumb Gjokës dhe Behar Bajrit, ku kërkohet eliminimi i Gjin Ndojit. Gjoka kërkonte me çdo kusht eliminimin e Ndojit, prandaj i kishte vënë në dispozicion Bajrit që të kërkonte sa para të dëshironte, shuma këto që shkonin 100-110 mijë euro.
Në “biznesnin” e vrasjeve nuk funksiononin vetëm pagesa me para cash.
Roli i prokurorëve dhe zyrtarëve të lartë të policisë
Mësohet se pjesë e këtij grupi kriminal, ishte edhe drejtuesi i Prokurorisë së Kukësit, Xhevahir Lita i cili ushtronte ndikimin e tij në mbylljen e dosjeve apo ndikim në procese të ndryshme gjyqësore që ishin hapur për anëtar të këtij grupi. Ndërsa, zyrtarët e policisë, Ardit Hasanpapaj dhe apo ish shefi i Operacionale, Oltion Bistri jepnin informacione këtij grupi kriminal për lëvizjet e policisë.
Lini një Përgjigje