
Tre të arrestuarit që pritet të ekstradohen njihen si ushtarë të Talo Çelës. Ata akuzohen për një seri veprash penale, ndërsa GJKKO ka caktuar masat e sigurisë arrest me burg...
Tre persona të arrestuar në Dubai, pritet të ekstradohen sot drejt Tiranës, njoftoi Policia e Shtetit.
Bëhet fjalë për ekstradimin e shtetasve Maksim Koçi, Ado Xhika dhe Ervis Daka. Ata dyshohet se janë pjesë e bandës së Talo Çelës. Ata janë arrestuar më 8 maj, ndërsa pritet që të ekstradohen gjatë ditës së sotme.
Ervis Daka, 38 vjeç, akuzohet për tentativë vrasjeje, sigurim i kushteve për vrasje në dy atentate të rënda në dëm të Kei Pikut dhe Arjan Spahiut në vitin 2020.
Në rastin e Pikut ka qenë informator për lëvizjet, ndërsa në rastin e vrasjes së Spahiut në Belgjikë ka siguruar kushtet për eliminimin e tij.
Daka është nën akuzë edhe për përkrahja e autorit të krimit pasi Talo Çelën e ka strehuar dhe i ka siguruar kushtet e nevojshme për jetesë. Maksim Koçi ka marrë pjesë në vrasjen e dy personave, Klevis Kapllanit dhe një tjetri, si dhe ka siguruar kushtet për vrasjen e 2 të tjerëve, përfshirë ndihmën për fshehjen e Talo Çelës.
I treti, Ado Xhika, 40 vjeç, është nën akuzë për përkrahje të autorit të krimit si pjesë e grupit kriminal për eliminim e Ardian Çapjas, gjatë sulmit me snajper, të cilit mundi t’i mbijetojë. Xhika, për 2 vjet me radhë ka ndihmuar Talo Çelën të fshihet, ndërsa në 2020-ën shoqëroi një gazetar me qëllim intervistimin e të shumëkërkuarit.
Talo Çela, një emër i njohur i botës së krimit, prej vitesh është në kërkim, si një prej kokave kryesore të krimit në Elbasan, me disa masa arresti. Emri i tij është lidhur me disa ngjarje të rënda kriminale, në akuzë për vrasjen e vëllezërve Besmir dhe Viktor Haxhia në Durrës dhe disa vrasje të tjera. Po ashtu edhe për përfshirjen në grabitjen e bujshme në aeroportin e Rinasit në prill 2019.
Njoftimi nga Policia
“Si rezultat i bashkëpunimit të pandërprerë me partnerët në Emiratet e Bashkuara Arabe, pritet që gjatë ditës së sotme, të finalizohen procedurat për ekstradimin nga Dubai, në Shqipëri, të shtetasve të shumëkërkuar, pjesëtarë të organizatave kriminale:
A. Xh. alias A. C. alias E. C., i akuzuar nga GjKKO-ja, se në kuadër të organizatës kriminale, ka përkrahur një shtetas të shumëkërkuar;
E. D., i akuzuar nga GjKKO-ja, si pjesëtar i një organizate kriminale që ka planifikuar vrasje dhe si përkrahës i një shtetasi të shumëkërkuar;
M. K., i akuzuar nga GjKKO-ja, për vrasje dhe sigurim të mjeteve për të kryer vrasje, të kryera në kuadër të organizatës kriminale, si dhe si përkrahës i një shtetasi të shumëkërkuar”, njoftoi Policia e Shtetit.
Lini një Përgjigje