
Moti i keq që ka përfshirë vendin prej disa ditësh ka krijuar një seri problematikash në të gjithë vendin.
Kundrejt kësaj situatë, Policia e Shtetit i është drejtuar me një apel të gjithë përdoruesve të rrugës që të respektojnë rregullat. Dhe po kështu është marrë masa e menjëhershme për ndalimin e aktiviteteve rafting në kushte ekstreme.
Policia e Shtetit, në të gjithë vendin, ka shtuar prezencën e saj, me qëllim ardhjen në ndihmë të banorëve në nevojë, në zonat e përfshira nga përmbytjet, të përdoruesve të rrugës, si dhe për të parandaluar aksidentet rrugore.
Policia e Shtetit është urdhëruar të sekuestrojë mjetet e lundrimit, me të cilat të rinjtë kryejnë rafting.
Gjithashtu, Policia e Shtetit apelon për të gjithë përdoruesit e rrugës që të tregojnë kujdes të shtuar, të respektojnë me rigorozitet rregullat e qarkullimit rrugor dhe të zbatojnë udhëzimet e shërbimeve të Policisë Rrugore, pasi, si pasojë e motit të keq me reshje shiu, në disa akse rrugore ka prezencë uji apo edhe rënie inertesh.
Strukturat e Policisë janë në terren për të ndihmuar dhe për të parandaluar ngjarjet rrugore dhe po bashkëpunojnë me firmat kontraktore të mirëmbajtjes së rrugëve, me qëllim pastrimin në kohë të segmenteve ku, si pasojë e reshjeve, ka pasur rënie inertesh në rrugë.
Lini një Përgjigje