
Kanë mbërritur në Gjykatën e Shkallës së Parë në Shkodër, Julian Cumraku dhe Erzen Uka, të cilët u arrestuan mbrëmjen e së hënës në Fushë Arrëz. Ata do të njihen sot me masën e sigurisë.
Ata dyshohen se janë të indoktrinuar me prirje ekstremiste, ndërkohë që në banesën ku fshiheshin u gjetën armë dhe një flamur i ISIS.
Uka dhe Çumraku u vetëdorëzuan pas më shumë se 13 orësh të rrethuar në një banesë në lagjen Orosh të fshatit Kryezi, Fushë-Arrëz.
Ata kanë refuzuar të japin dëshmi në polici për të sqaruar lidhjet që mund të kenë me grupet terroriste jashtë vendit, dhe se ku i kanë gjetur armët, ndaj, hetuesit kanë bindje se ata janë ndihmuar nga persona të tjerë.
Banorët e zonës kanë folur edhe për një person të tretë pasi të dy ata janë parë shpesh herë në shoqërinë e një personi me flokë të gjata.
Çumraku ishte kthyer të jetonte prej më shumë se një viti në fshatin e të parëve, ndërsa kohët e fundit aty ishte bashkuar edhe Uka. Gjatë kontrollit në banesë, policia gjeti armë, municion, granata dhe një flamur të organizatës “ISIS”.
Erzen Uka ka qenë i dënuar më herët për nxitje të urrejtjes dhe konfliktit, ndërsa Julian Çumraku ka precedentë për vjedhje dhe kanosje.
Lini një Përgjigje