
Një 30-vjeçar i cili kanosi me thikë disa të mitur në zonën e Lungomares në Vlorë ka rënë në prangat e policisë. Pas videos së publikuar ditën e shtunë, ku burri shihej duke tmerruar fëmijët në një park, blutë e qytetit bregdetar arrestuan 30-vjeçarin.
Në momentin e arrestimit, të riut iu gjet edhe biçaku me të cilin kishte kanosur nxënësit. Policia njofton se bëhet fjalë për një person që vuan nga sëmundje mendore dhe se pas procedurave është dërguar në spitalin psikiatrik për kurim.
Njoftimi i policisë:
Në lidhje me një video të publikuar në rrjete sociale, ditën e djeshme, në të cilën shfaqet një shtetas duke kanosur disa të mitur, në zonën e Lungomares, Vlorë, ju informojmë se:
Strukturat e Komisariatit të Policisë Vlorë, menjëherë kanë kryer verifikimet dhe kanë bërë të mundur identifikimin e shtetasit A. M., lokalizimin e tij, ditën e sotme, rreth orës 12:30, në zonën e Lungomares dhe shoqërimin në ambientet e Komisariatit.
Në përfundim të veprimeve procedurale u referuan materialet në Prokurori dhe nisi procedimi penal për shtetasin A. M., 30 vjeç, banues në Vlorë.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestrua një mjet prerës (biçak), që iu gjet 30-vjeçarit, gjatë kontrollit fizik. Shtetasi A. M. është dërguar në spitalin psikiatrik Vlorë, për trajtim mjekësor, sepse vuan nga sëmundje mendore.
Drejtoria Vendore e Policisë Vlorë falënderon median dhe qytetarët për denoncimin e paligjshmërive dhe i fton ata që të vijojnë të denoncojnë në numrin 112, duke iu garantuar anonimat të plotë, reagim të menjëhershëm dhe të paanshëm.
Lini një Përgjigje