
Një 31-vjeçar i shpallur në kërkim ndërkombëtar u kap në Malin e Zi me qëllim ekstradimin e tij drejt Shqipërisë.
Bëhet fjalë për shtetasi M.D, 31 vjeç, ndaj të cilit Gjykata e Lezhës kishte vendosur masën e sigurisë “arrest me burg” për veprën penale “Kultivimi i bimëve narkotike”, kryer në bashkëpunim.
Policia njoftoi se falë informacionit të siguruar nga Departamenti i Policisë Kriminale në Policinë e Shtetit dhe i shkëmbimit të tij me Policinë e Malit të Zi, nëpërmjet Interpol Tiranës, u bë i mundur arrestimi në Malin e Zi, me qëllim ekstradimi në Shqipëri, i shtetasit shqiptar: M. D., 31 vjeç.
Nga hetimet e kryera në kuadër të operacionit policor të koduar “Vakumi”, i zhvilluar në muajin prill 2025, dyshohet se shtetasi M. D., ka bashkëpunuar me 1 shtetas të arrestuar gjatë këtij operacioni, për kultivimin e 1640 bimëve narkotikëve, në fshatrat Gocaj dhe Rraboshte, Lezhë. Gjatë operacionit “Vakumi” janë sekuestruar rreth 34 kilogramë lëndë e dyshuar narkotike cannabis sativa, e paketuar për shitje.
Interpol Tirana, në bashkëpunim me autoritetet e Malit të Zi, vijon punën për finalizimin e procedurave të ekstradimit të shtetasit M. D., në Shqipëri.
Lini një Përgjigje