Policia ka kryer kontrolle në banesën e prindërve të 45-vjeçarit Dhimitër Meci, i arrestuar në Greqi si pjesë e një grupi vrasësish me pagesë.
Mediat greke shkruajnë se gjatë kontrollit, në banesë është gjetur vetëm nëna 84-vjeçare e tij, ndërsa dhoma e Dhimitër Mecit është gjetur e mbyllur me çelës.
Gjatë kontrolleve janë gjetur 2 Kallashnikovë, 1 pistoletë automatike e mbështjellë me plastmas, dhjetëra fishekë disa prej të cilave brenda qeseve me oriz dhe 5 krehëra Kallashnikovi.

Sipas mediave greke, dyshohet se këto armë do kalonin ilegalisht kufirin për në Greqi.
Media greke ka publikuar dhe foto të armëve të sekuestruara gjatë operacionit, ku duken edhe mbishkrime shqip si “PUSHK DHELPRA RUSE” apo “TT RUSE”. Nuk dihet nëse bëhet fjalë për armë të sekuestruara në Greqi apo Shqipëri, pasi nga autoritetet shqiptare nuk ka asnjë deklaratë zyrtare për shtyp.
Sipas policisë greke, dyshohet se grupi prej 4 shqiptarësh e 4 grekësh, ishte përgatitur për kryerjen e një atentati ndaj një mafiozi grek në Pirea, ndoshta rreth Krishtlindjeve, ish-bashkëpunëtor i Mihali Zampounit, i ekzekutuar më parë në atentat.

Raportohet se ata e kishin ndjekur viktimën e radhës dhe po planifikonin goditjen, ndoshta me një nga armët e gjetura në një apartament në Marina Zeas të Greqisë.
Po ashtu, policia ka zbuluar se i njëjti grup, veç tentativës së vrasjes së Jani Lalës dhe djegies së një karburanti, ishte autor edhe vjedhjes së një automjeti në 22 korrik 2025, të cilit i kishin vendosur targa false.
Kujtojmë se gjatë operacionit të dy ditëve më parë, ranë në pranga Dhimitër alias Dhimo Meci, 45 vjeç nga Labova e Poshtme e Gjirokastrës, Fatjon alias Fatjion Prendi, 39 vjeç nga Lezha, Andrea Brokeri, 32 vjeç nga Himara dhe u shpall në kërkim Vasil Theohari, 31 vjeç nga Krongji i Finiqit. Ata u identifikuan si pjesë e grupi edhe 4 grekë, disa prej të cilëve u arrestuan.


Lini një Përgjigje