
Një 28-vjeçar ka rënë në prangat e policisë së Lezhës, pasi akuzohet për shpërndarjen e lëndëve narkotike pranë shkollave.
28-vjeçari Pashk Ndoj, banues në Lezhë, u kap në flagrancë ndërsa iu sekuestruan dhjetëra doza kanabis gati për shitje. I riu shpërndante lëndë narkotike kryesisht pranë shkollave, duke krijuar një rrezik serioz për sigurinë e nxënësve.
“Goditet një rast i shpërndarjes së lëndëve narkotike pranë shkollave, arrestohet 28-vjeçari.
Sekuestrohet lëndë narkotike e ndarë në dhjetëra doza gati për shitje.
Specialistët për Hetimin e Narkotikëve dhe Forcës së Posaçme Operacionale, pas një hetimi disajavor të ndjekur me metoda speciale, në zbatim dhe të planit të masave për rritjen e parametrave të sigurisë në shkolla, kanë finalizuar me sukses operacionin policor të koduar “Quick Strike”.
Si rezultat i këtij operacioni, u bë e mundur kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasit P. N., 28 vjeç, banues në Lezhë.
Gjatë kontrollit fizik dhe në banesën e tij, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale Një sasi lënde narkotike të dyshuar cannabis sativa, e ndarë në dhjetëra doza të gati për shitje.
Nga hetimet paraprake, dyshohet se ky shtetas operonte në mënyrë të vazhdueshme, duke shpërndarë lëndë narkotike kryesisht pranë shkollave, duke krijuar një rrezik serioz për sigurinë e nxënësve.
Hetimet vijojnë për të zbuluar nëse ka persona të tjerë të përfshirë në këtë rrjet shpërndarjeje.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Lezhë, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, njoftoi policia.
Lini një Përgjigje