
Një ngjarje e rëndë ka ndodhur mbrëmjen e sotme në Sarandë, ku pas një sherri mes dy personash, ka mbetur i vdekur një 65-vjeçar.
Ngjarja është regjistruar pasditen e sotme në fshatin Gjashtë të Sarandës.
Sipas uniformave blu shtetasi Admir Ferik Beqiri rreth 42 vjeç, ka goditur me sende të forta (shishe qelqi) shtetasin Gezim Bizioni, rreth 65 vjeç. Ky i fundit ka ndërruar jetë në oborrin e banesës së tij.
Policia ka vënë në pranga 42-vjeçarin, ndërsa dyshohet paraprakisht se ai ishte nën ndikimin e alkoolit në momentin e ngjarjes.
"Sot, në fshatin Gjashtë, Sarandë, dyshohet se për motive të dobëta, Admir Ferik Beqiri rreth 42 vjeç, ka goditur me sende të forta (shishe qelqi) shtetasin Gezim Bizioni, rreth 65 vjeç, në oborrin e banesës së tij. Si pasojë e dëmtimeve të marra, shtetasi G. B. ka ndërruar jetë në vendngjarje.
Shërbimet e Policisë shkuan menjëherë në vendngjarje dhe, falë reagimit të shpejtë, bënë të mundur kapjen e autorit të dyshuar, shtetasin A. B., i cili u shoqërua në Komisariatin e Policisë Sarandë për veprime të mëtejshme hetimore. Dyshohet paraprakisht se autori ishte nën ndikimin e alkoolit në momentin e ngjarjes", njoftoi policia.
Vijon puna e grupit hetimor për përcaktimin e shkakut të konfliktit dhe sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes.
Lini një Përgjigje