
Një 34-vjeçar është shpallur në kërkim nga policia e Elbasanit pasi ka ushtruar dhunë ndaj prindërve të tij.
Uniformat blu bëjnë me dije se bëhet fjalë për shtetasin me iniciale D.G., i cili pas dhunës i ka kërcënuar prindërit me vdekje duke përdorur një armë zjarri tip kallashnikov.
Sakaq, gjatë kontrollit të ushtruar policia ka gjetur dhe sekuestruar 1 armë zjarri kallashnikov, 2 pako me dinamit dhe municion luftarak.
Policia njofton gjithashtu se po vijon puna për kapjen e 34 vjeçarit.
Njoftimi i policisë:
Elbasan
Ndërhyrja në kohë e shërbimeve të Policisë parandalon një ngjarje të mundshme kriminale në familje. Ushtroi dhunë ndaj prindërve të tij dhe i kanosi ata për jetën, shpallet në kërkim 34 vjeçari.
Policia sekuestron 1 armë zjarri kallashnikov, 2 pako me dinamit dhe municion luftarak, që dyshohet se i posedonte 34-vjeçari.
Shërbimet e Policisë, pas njoftimit se një shtetas kishte dhunuar dhe kanosur për jetën familjarët e tij, kanë organizuar menjëherë punën dhe kanë shkuar në banesën e kësaj familjeje, në fshatin Shushicë. Shtetasi D. G. që kishte dhunuar dhe kanosur për jetën, prindërit e tij, sapo ka konstatuar mbërritjen e shërbimeve të Policisë, ka dalë nga banesa dhe ka mundur të largohet në një terren të vështirë malor, në fshat.
Shërbimet e Policisë po vijojnë kontrollet për kapjen e shtetasit D. G. Gjatë kontrollit në banesë, janë gjetur dhe sekuestruar: 1 armë zjarri, 2 pako me lëndë të dyshuar plasëse dinamit, 1 kapsolle detonatore dhe municion luftarak. Vijon puna për kapjen e 34 vjeçarit. Materialet do t’i kalojnë Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.
Lini një Përgjigje