
500 mijë euro janë sekuestruar në një pikë këmbimi valutor në Tiranë, ku dyshohet se zhvillohej aktivitet i paligjshëm huadhënieje jashtë sistemit bankar.
Paratë, të cilat dyshohet se janë përfituar nga veprimtari kriminale, ishin depozituar nga persona të ndryshëm në subjektin në pronësi të një 72-vjeçareje, e cila është proceduar penalisht në gjendje të lirë. Sipas Policisë, ajo nuk deklaronte shumat që kalonin përmes subjektit të saj, duke i përdorur më pas për dhënie huaje me interes,
"Finalizohet operacioni policor i koduar “Hidden Funds”.
Nuk deklaronte shumat e parave, të cilat depozitoheshin nga persona të ndryshëm në subjektin e saj (exchange), me qëllim përdorimin e tyre për huadhënie me përqindje, procedohet në gjendje të lirë pronarja e subjektit.
Sekuestrohen rreth 500 000 euro , të dyshuara të përfituara nga veprimtari kriminale.
Si rezultat i një hetimi, të iniciuar nga Seksioni për Hetimin e Pastrimit të Parave dhe Aseteve Kriminale i DVP Tiranë dhe të ndjekur nga Prokuroria e Tiranës, u finalizua operacioni “Hidden Funds”, në kuadër të cilit u procedua penalisht shtetasja E. K., 72 vjeçe.
Në subjektin në pronësi të kësaj shtetaseje, sipas provave të mbledhura, rezulton se depozitoheshin para të padeklaruara nga persona të ndryshëm, me qëllim përdorimin e tyre për huadhënie me përqindje, jashtë sistemit bankar.
Vijon puna për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në këtë aktivitet kriminal, me qëllim dokumentimin e plotë të veprimtarisë së tyre dhe vënien përpara përgjegjësisë penale.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme", njofton policia.
Lini një Përgjigje