TAGS-AT E JAVËS

Kronike 2 Qershor 2025, 15:08

Dhunoi policët që i vunë gjobë për parkim të gabuar, arrestohet 39-vjeçari

Shkruar nga Pamfleti

Dhunoi policët që i vunë gjobë për parkim të

Policia arrestoi një 39-vjeçar, i cili dyshohet se dhunoi efektivët që i vunë një gjobë për parkim të gabuar të automjetit.

Ngjarja ndodhi rreth orës 21:00, në lagjen “Hajro Çakërri”, ku i arrestuari kishte parkuar makinën në mënyrë të gabuar, duke bllokuar rrugën për mjetet dhe kalimtarët. Pasi iu kërkua të largohej dhe u njoftua për gjobën, ai reagoi me dhunë ndaj efektivëve të policisë që ndodheshin në vendngjarje.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik.”

Njoftimi nga policia

“Strukturat e Komisariatit të Policisë Vlorë, në bashkëpunim me oficerin e Policisë Gjyqësore në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Vlorë, arrestuan në flagrancë shtetasin N. A., 39 vjeç, banues në fshatin Kaninë, Vlorë.

Ky shtetas, më datë 01.06.2025, rreth orës 21:00, në lagjen “Hajro Çakërri”, ka ndaluar dhe parkuar automjetin në kundërshtim me rregullat e qarkullimit rrugor, duke penguar lëvizjen e lirë të mjeteve dhe përdoruesve të tjerë të rrugës, në shkelje të dispozitave të parashikuara në Kodin Rrugor. Pasi i është komunikuar masa administrative për shkeljen, ky shtetas ka kundërshtuar me dhunë punonjësit e patrullës së përgjithshme, gjatë ushtrimit të detyrës”, njofton policia.

Lini një Përgjigje