
Policia ka ngritur dronin dhe është në kërkim të autorit, teksa ka vënë në dispozicion dhe 30 mijë euro për këdo ka informacion.
Zbardhen te tjera detaje lidhur me ngjarjen e rëndë në Fier, ku u vra një efektiv policie. Paraprakisht policia po heton në dy pista, atë të hakmarrjes dhe të një konflikti të çastit. Por sipas burimeve e gjitha ka ndodhur pas një sherri.
Mësohet se efektivi dhe autori kanë qenë duke lëvizur me makina, por rruga ka qenë e ngushtë dhe kanë debatuar se kush duhet të hapë rrugën, në konflikt e sipër 23-vjeçari Asllan (Azgan) Mernica ka nxjerrë armën dhe e ka qëllur me një plumb në kokë efektivin Novruz Cenalia.
Më pas ai është larguar me makinë, të cilën e ka braktisur te shtëpia e dajës dhe është larguar nëpër ara. Policia ka ngritur dronin dhe është në kërkim të tij, teksa ka vënë në dispozicion dhe 30 mijë euro për këdo ka informacion.
“Në lidhje me ngjarjen e ndodhur në fshatin Baltëz, ku u vra me armë zjarri, punonjësi i Policisë (jashtë shërbimit), shtetasi N. C., Policia e Shtetit kërkon ndihmën dhe bashkëpunimin e qytetarëve për lokalizimin e autorit të dyshuar të vrasjes, shtetasit Azgan Mernica, 23 vjeç, banues në fshatin Sulaj.
Kushdo që ka informacion të telefonojë në numrin pa pagesë 112, duke iu garantuar anonimatin. Për çdo informacion të vlefshëm, Policia e Shtetit vë në dispozicion shpërblimin 30 000 euro.
Ndërkohë, shërbimet e Policisë së Fierit, Forca Kombëtare e Sigurisë dhe Reparti Special “RENEA”, në drejtimin e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, vijojnë veprimet operacionale në zonë, me qëllim kapjen dhe vënien në pranga të 23-vjeçarit.
Gjithashtu, në të gjitha akset rrugore lidhëse me qarkun Fier janë ngritur pika kontrolli.
Grupi hetimor, në drejtimin e Prokurorisë, po vijon veprimet në vendngjarje për të sqaruar dhe dokumentuar me prova ligjore rrethanat e rastit”, njofton policia.
Po ashtu Lorenc Panganika, drejtor i Policisë së Fierit i ka bërë thirrje Azgan Mërnica, autori i vrasjes së efektivit Novruz Cenalisë, që të dorëzohet, pasi përndryshe reagimi i policisë do të jetë i ashpër. Drejtori i Policisë hodhi poshtë pistën e hakmarrjes dhe vrasja tha se ka ndodhur për shkak të një konflikti të çastit.
"Shërbente në policinë e Fierit prej 4 vitesh, prej 1 viti në FNSH. Autori është Azgan Mërnica banues në Sulaj, po punojmë të kapim autori. I bëjmë thirrje autorit të vetë dorëzohet pasi veprimi i policisë do të jetë i aspër.
Pista kryesore është për motive të çastit. Ska lidhje me probleme hasmërie. Makina e autorit është gjetur. Ka qenë një konflikt i çastit", tha Panganika.
Lini një Përgjigje