“ANSA”: Pista shqiptare nuk është prioritet i policisë italiane
Italia mbetet e përfshirë në një klimë tensioni dhe konfuzioni lidhur me atentatin ndaj gazetarit investigativ Sigfrido Ranucci, ndërsa dy nga mediat më të mëdha të vendit, Il Giornale dhe ANSA, raportojnë versione të ndryshme mbi drejtimin e hetimeve. Në qendër të këtij debati është pista shqiptare, e cila fillimisht u përfol si e mundshme, por më pas duket se është spostuar në plan të dytë.
Sipas një raportimi të Il Giornale, arrestimi i Altin Sinomatit, një shtetas shqiptar i arrestuar më 10 tetor në Abu Dhabi dhe i konsideruar porositësi i vrasjes së Selavdi Shehajt në vitin 2020 në Torvaianica, është parë si element kyç në zbardhjen e një rrjeti kriminal që mund të ketë lidhje me atentatin ndaj Ranuccit, ndodhur më 16 tetor pranë shtëpisë së tij në Pomezia. Mediat e djathta italiane raportuan se vrasja e Shehajt ndodhi vetëm 100 metra larg banesës së gazetarit, në një zonë e cila sipas vetë Ranuccit është e kontrolluar nga fraksione të krimit të organizuar shqiptar dhe bashkëpunëtorë të figurave si Fabrizio Piscitelli, i njohur si “Diabolik”.
Në të kundërt, agjencia zyrtare italiane ANSA raportoi se pista shqiptare nuk është më prioritet në hetim, duke e cilësuar si një “sugjestion” dhe jo një pistë konkrete në këtë fazë. Hetuesit e antimafias romane janë të përqendruar më tepër në lidhjet e mundshme të atentatit me grupe ekstremiste të djathta dhe elementë të tifozërisë ultras, si dhe me intimidimet e shumta që Ranucci ka raportuar që prej vitit 2021. Vetëm në Prokurorinë e Romës ndodhen mbi 10 dosje hetimore të hapura për kërcënime ndaj tij, të gjitha aktualisht ndaj autorëve të panjohur.
Ndërkohë, autoritetet italiane po analizojnë edhe kamerat e sigurisë dhe makinat e përdorura në sulm. Një Fiat 500 e vjedhur në zonën e Ostias është gjetur pranë shtëpisë së Ranuccit, ndërsa dëshmitarët flasin për një burrë të maskuar që u pa pak para shpërthimit. Hetimi ka marrë përmasa të gjera dhe, siç raportojnë mediat, autoritetet kërkojnë të lidhin episodet e mëparshme të kërcënimeve me këtë atentat.
Ndërkohë, vetë Ranucci ka qenë i qartë në qëndrimin e tij publik, duke e lidhur klimën e frikës me ekspozimin e krimit të organizuar në emisionin e tij. “Nuk janë shumë njerëzit që kanë kapacitet për të kryer atentate të tilla”, ka deklaruar ai në një intervistë për “Repubblica”, ku ka përmendur qartë edhe rolin e mafies shqiptare në Torvaianica dhe lidhjet e saj me dosjet e “Report”. /Pamfleti
Lini një Përgjigje