
Makina ka dalë nga rruga në Qafë-Buall, humbin jetën dy persona; një tjetër i plagosur
Dy persona kanë vdekur si pasojë e një aksidenti tragjik në Bulqizë.
Mësohet se një automjet ka dalë nga rruga në Qafë-Buall, te zona e njohur si “Antena”. Për pasojë kanë gjetur vdekjen e menjëhershme shtetasit B.GJ dhe D.GJ, dyshohet nga e njëjta familje.
Ndërkohë një i tretë ka mbetur i plagosur rëndë dhe po merr ndihmë në spital.
Policia ka shkuar në vendin e ngjarjes dhe po punon për të zbardhur dinamikën e aksidentit. Paraprakisht dyshohet se shkak ka qenë shpejtësia e lartë dhe për pasojë shoferi ka humbur kontrollin ndaj mjetit.
"Rreth orës 14:15, në vendin e quajtur "Antena", në Qafë-Buall Bulqizë, një automjet tip "Nisan", ka dalë nga rruga. Si pasojë e këtij aksidenti, kanë humbur jetën shtetasit B.Gj., dhe D.Gj, si dhe ka mbetur i dëmtuar dhe po transportohet në spital për ndihmë mjekësore shtetasi A.Gj.
Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për zbardhjen e rrethanave të këtij aksidenti", njoftoi policia.
Shtimi i fluksit të automjeteve gjatë sezonit turistik ka sjellë shumë aksidente, por ky është aksidenti më tragjik i ndodhur kohët e fundit.
Lini një Përgjigje