TAGS-AT E JAVËS

Kronike 3 Tetor 2024, 16:06

Ai që vjedh hajdutin dënohet më shumë/ Apeli nuk ndryshon dënimet për Alda Klosin dhe Rozeta e Havier Dobin

Shkruar nga Pamfleti

Ai që vjedh hajdutin dënohet më shumë/ Apeli nuk ndryshon

 

Gjykata e Apelit ka lënë në fuqi vendimin e Shkallës së Parë ndaj Alda Klosit dhe Rozeta e Havier Dobin nënë e bir që u kapën duke vjedhur 400 mijë eurot e “vjedhura” nga Alda Klosi.

Ish zyrtarja e ministrisë së Financave së bashku me sanitaren Rozeta Dobi dhe djalin e saj Havier Dobi u shpallën fajtorë për veprën penale “vjedhje me pasoja të rënda" në bashkëpunim.

Kështu, ndaj Alda Klosit mbetet në fuqi dënimi me 2 vite e 6 muaj burgim, të cilit do t’i aplikohet edhe gjykimi i shkurtuar.

Pastruesja Rozeta Dobi dënohet me 7 vite burg, por për shkak të gjykimit të shkurtuar dënimi i konvertohet në 4.8 vite burg.

Djali i pastrueses, Havier Dobi dënohet me 5 vite burg, ndërsa për shkak të gjykimit të shkurtuar, dënimi i konvertohet në 3.4 vite burg.

Arrestimi i ish-zyrtares së lartë erdhi pas hetimit të kallëzimit të saj të kryer në polici për vjedhjen e 120 mijë eurove në banesë. Pas njoftimit të vjedhjes së banesës së Klosit në rrugën e Kosovarëve në Tiranë në dhjetorin e kaluar policia arrestoi Rozeta Dobin dhe Havier Dobin, nënë e bir, nën akuzën e vjedhjes pasi në shtëpinë e tyre u gjet një shumë e konsiderueshme parash ndërsa Havierit iu sekuestruan disa makina. 

Apeli nuk ndryshuar dënimet për tre të akuzuarit, ku Rozeta Dobi dhe djalin i saj Havier Dobi do të vuajnë më shumë se Alda Klosi.

Vendimi:

Më datë 15.12.2022, është njoftuar Salla Operative e Policisë Tiranë se në Rrugën e “Kosovarëve”, tek pallati “Orion”, është vjedhur banesa e shtetases me iniciale A. K. Për kryerjen e kësaj vepre panale, është akuzuar pastruesja e saj me iniciale R. D si dhe djali i kësaj të fundit me iniciale H. D.

Në përfundim të hetimeve paraprake Prokurirsa pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, paraqiti kërkesën, me objekt:

1. Dërgimin në gjyq të procedimit penal nr. 9220/2022, kundër:

(i) të pandehurës me iniciale R. D, e akuzuar për kryerjen e veprave penale të "Vjedhjes” me pasoja të rënda, në bashkëpunim dhe "Vjedhjes ” më shumë se një herë, parashikuar nga nenet 134/3 - 25 dhe 134/2 të K. Penal,

(ii) të pandehurit me iniciale H. D, i akuzuar për kryerjen e veprës penale të "Vjedhjes” me pasoja të rënda, në bashkëpunim, të parashikuar nga nen1 134/3 – 25 të Kodit Penal,

(iii) të pandehurës me iniciale A. K (Ç), e akuzuar për kryerjen e veprës penale të “Refuzimi për deklarimin, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave privatë të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim”, parashikuar nga neni 257/a/2 të Kodit Penal.

2. Pushimin e hetimeve të procedimit penal nr. 9220/2022 për veprat penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale” dhe “Deklarata e rreme përpara oficerit të policisë gjyqësore”, parashikuar nga nenet 287/1 dhe 305/b të Kodit Penal, ndaj personit nën hetim A. K (Ç).

I. Në lidhje me kërkesën për pushim si më sipër treguar, Gjykata e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, (gjyqtari i seancës paraprake) me vendimin datë 04.03.2024 ka vendosur:

- Pranimin pjesërisht të kërkesës së prokurorisë.

- Pushimin e hetimeve të procedimit penal nr. 9220 të viti 2022 me person nën hetim A. K (Ç), për veprën penale “Deklarata e rreme përpara oficerit të policisë gjyqësore”, parashikuar nga neni 305/b të Kodit Penal.

- Kthimin e akteve për veprën penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, parashikuar nga neni 287/1 të Kodit Penal, ndaj personit nën hetim A. K (Ç).

Ndaj këtij vendimi, ka bërë ankim:

-Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, e cila ka kërkuar ndryshimin pjesërisht të vendimit. Pushimin e hëtimeve për veprën penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, parashikuar nga neni 287/1 të Kodit Penal, ndaj personit nën hetim A. K (Ç).

- Personi nën hetim A. K (Ç), e cila kërkoi prishjen pjesërisht të vendimit. Pushimin e gjykimit për kryerjen e veprës penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, parashikuar nga neni 287/1 të Kodit Penal.

Ankimet e mësipërme janë në pritje për gjykim, pranë Gjykatës së Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm.

II. Në lidhje me kërkesën për gjykim, në Gjykatën e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, është gjykuar çështja penale ndaj tre të pandehurve R. D, H. D dhe A.K (Ç).

Gjykata e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, me vendimin nr. 665, datë 19.03.2024 ka vendosur:

1. Deklarimin fajtore të të pandehurës R. D për kryerjen e veprës penale “Vjedhja”, parashikuar nga neni 134/3 i Kodit Penal dhe në bazë të kësaj dispozite dënimin e saj me 6 (gjashtë) vjet burgim.

2. Deklarimin fajtore të të pandehurës R. D për kryerjen e veprës penale “Vjedhja”, parashikuar nga neni 134/2 i Kodit Penal dhe në bazë të kësaj dispozite dënimin e saj me 1 (një) vit burgim.

3. Në bazë të nenit 55 të Kodit Penal, bashkimin e dënimeve në një dënim të vetëm prej 7 (shtatë) vjet burgim.

4. Në bazë të nenit 406 të K.Pr. Penale, i ulet 1/3 e masës së dënimit dhe e dënon përfundimisht të pandehurin R. D me 4 (katër) vjet e 8 (tetë) muaj burgim.

5.Vuajtja e dënimit i fillon të pandehurës R. D nga data e arrestimit në flagrancë datë 07.01.2023

6. Vuajtja e dënimit të vuhet nga e pandehura R. D në një burg të sigurisë së zakonshme.

7. Deklarimin fajtor të të pandehurit H. D për kryerjen e veprës penale “Vjedhja”, parashikuar nga neni 134/3 i Kodit Penal dhe në bazë të kësaj dispozite, dënimin e tij me 5 (pesë) vjet burgim.

8. Në bazë të nenit 406 të K.Pr. Penale, i ulet 1/3 e masës së dënimit dhe e dënon përfundimisht të pandehurin H. D me 3 (tre) vjet e 4 (katër) muaj burgim.

9. Vuajtja e dënimit i fillon të pandehurit H. D nga data e ndalimit datë 07.01.2023

10. Vuajtja e dënimit të vuhet nga i pandehuri H. D në një burg të sigurisë së zakonshme.

11. Deklarimin fajtore të të pandehures A. K (Ç) për kryerjen e veprës penale “Refuzimi për deklarimin, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave privatë të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim” parashikuar nga neni 257/a/2 i Kodit Penal dhe në bazë të kësaj dispozite dënimin e saj me 2 (dy) vjet e 6 (gjashtë) muaj burgim.

12. Në bazë të nenit 406 të K.Pr.Penale, i ulet 1/3 e masës së dënimit dhe e dënon përfundimisht të pandehurën A. K (Ç) me 1 (një) vit e 8 (tetë) muaj burgim.

13. Vuajtja e dënimit i fillon të pandehurës A. K (Ç) nga data e ndalimit datë 07.02.2023.

Ndaj vendimit kanë bërë ankim:

- E pandehura me iniciale A. K (Ç), e cila kërkoi ndryshimin e vendimit, deklarimin e pafajshëm.

- E pandehura me iniciale R. D, e cila kërkoi ndryshimin e vendimit, dhënien e një dënimi më të butë.

- I pandehuri me iniciale H. D, i cili kërkoi ndryshimin e vendimit. Deklarimin fajtor për veprën penale të “Vjedhjes” dhe aplikimin e nenit 406 të K.Pr.Penale. Në zbatim të nenit 59 dhe 60/9 të Kodit Penal, pezullimin e ekzekutimit të dënimit me burgim për pjesën e pavuajtur të dënimit, duke e vënë në provë të pandehurin.

Në përfundim të gjykimit, më datë 02.10.2024, Gjykata e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm, e përbërë nga trupi gjykues me Relatore Gjyqtare z. Fuat Vjerdha dhe anëtare z. Genti Shala dhe z. Genti Dokollari, vendosi:

- Lënien në fuqi të vendimit Nr. 665, datë 19.03.2024 të Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë.

GJYKATA E APELIT TË JURIDIKSIONIT TË PËRGJITHSHËM

Lini një Përgjigje