TAGS-AT E JAVËS

Forum 2 Qershor 2025, 14:45

Trump mund të provokojë enkas një luftë për të vazhduar me një mandat të tretë

Shkruar nga Iker Seisdedos

 

Trump mund të provokojë enkas një luftë për të
Barbara F. Walter /

Në këtë skenar, ai mund të shpallë gjendjen e jashtëzakonshme dhe kompetenca emergjente për veten. Publiku amerikan do ishte më i prirur të mblidhet rreth tij dhe të thotë: “Tani është shumë e rrezikshme të ndryshosh presidentin. Kemi nevojë për stabilitet në Shtëpinë e Bardhë”...

Barbara F.Walter, 60 vjeçe, e ka kaluar gjithë karrierën e saj duke studiuar se çfarë i shtyn vendet drejt luftës civile…dhe si ta shmangin një konflikt të tillë. E lindur në Bronxville, New York, ajo është profesoreshë e shkencave politike në Universitetin e Kalifornisë në San Diego.

Gjatë mandatit të parë të Donald Trump - dhe sidomos pas pandemisë dhe sulmit ndaj Capitol Hill - ajo filloi të kishte ndjesinë shqetësuese se “shenjat e paqëndrueshmëris” që kishte parë në vende si Jugosllavia, Siria dhe Iraku, po fillonin të shfaqeshin edhe në vendin e saj. Libri i saj i vitit 2023, “Si nisin luftërat civile: Dhe si t’i ndalojmë ato”, pati një ndikim të madh intelektual në Shtetet e Bashkuara.

Në atë libër, Walter argumenton se vendi i saj përmbush dy kritere që ndodhin zakonisht para një konflikti vëllavrasës: shfaqja e dy fraksioneve - të organizuara në secilën anë të vijave ndarëse të karakterizuara nga “raca, feja ose identiteti” - dhe fakti që për herë të parë që nga themelimi, SHBA-ja përfshihet në grupin e vendeve që Qendra për Paqe Sistemike (CSP) i quan “anokraci”.

Këto regjime janë diku në zonën gri midis demokracive të plota dhe autokracive të pastra. Në këtë atmosferë në kinema doli filmi “Lufta Civile” (2024), një distopi që e imagjinon SHBA-në në mesin e një lufte civile midis një qeverie federale despotike dhe milicive separatiste.

A ju pëlqeu filmi Lufta Civile?

Më ftuan për premierën në Nju Jork… por nuk shkova sepse nuk doja të shihesha sikur po e legjitimoja atë skenar. Gjithsesi e pashë më vonë, dhe mendoj se kanë bërë një punë shumë të mirë, duke u dhënë amerikanëve ndjesinë se si do të ishte një luftë civile.

Nuk do të dukej si e para: Veriu kundër Jugut…

Nuk do të kishte ushtarë dhe tanke. Ju kujtoj një skenë nga mesi i filmit, kur protagonistët shkojnë drejt Uashingtonit, dhe në një moment ndalojnë në një pikë karburanti, ku shohin disa njerëz të varur në litar. Kështu do të ishte një luftë civile e shekullit XXI-të. Është anarkia, ajo që lejon të ndodhin të gjitha këto nën-komplote dhe nën-luftime.

Pra, mund të kemi një grup rebelësh që luftojnë ndaj qeverisë...Por luftë ka edhe në nivel lokal, ku nëse fqinji dëshiron një pjesë të fermës suaj, hyn në shtëpinë tuaj dhe ju vret. Dhe amerikanët nuk e kuptojnë se një luftë civile mund të shkaktojë një sërë mikro-ngjarjesh. Ata thjesht shpresojnë se gjërat do të funksionojnë.

Kanë kaluar 2 vite që kur e botuat librin. Çfarë ka ndryshuar që atëherë, me rikthimin e Trump në Shtëpinë e Bardhë?

Kanë ndodhur shumë gjëra, por kushtet që përshkruaj në libër mbeten të njëjta. Ose më keq akoma. Sot jemi plotësisht të zhytur në një anokraci. Me rikthimin e Trump, ka pasur një rënie drastike të cilësisë së sistemit demokratik. Ky degradim po ndodh shpejt, dhe gjithçka tregon se presidenti dëshiron ta dobësojë më tej sistemin. Nëse do të ketë mundësi, ai do të eliminojë kontrollet dhe balancat ndaj qeverisë. E imagjinoj skenarin, ku ai ka sukses në krijimin e një diktature.

Zgjerimi i pushtetit ekzekutiv, është një nga faktorët që siç e theksoni edhe në libër, përcakton humbjen progresive të demokracisë. Ndoshta ky tipar po përcakton më shumë fazat e hershme të presidencës së dytë të Trumpit…

Kushdo që e studion demokracinë në shekullin XXI-të, e di se ekziston ky fenomen i ri, ku autokratët e kanë kuptuar se s’kanë nevojë të kryejnë një grusht shteti. Mënyra më e lehtë për t’u bërë diktator, është të kandidosh si populist, të zgjidhesh në një mënyrë krejtësisht të ligjshme dhe pastaj dalëngadalë dhe në prapaskenë, të fillosh të eliminosh kontrollet dhe balancat në pushtetin ekzekutiv.

Dhe Victor Orbán në Hungari ishte i pari që e bëri këtë. Ai krijoi atë që njerëzit e quajnë “manuali i autoritarizmit”. Dhe Trump, Bolsonaro, Duterte po e vazhgonin me kujdes Trump ishte shumë i hapur mbi atë që kishte ndërmend të bënte. Ai nuk fshehu asgjë. Dhe shpeshherë, këta lloj individësh nuk fshihen: ata shfaqin guxim, dhe mbështetësve të tyre shpesh u pëlqen kjo.

Pastaj ai shkroi librin e tij të strategjisë - ose ka pasur një ekip që e shkroi për të - Projekti 25. Kushdo që e ka lexuar e dinte saktësisht, se çfarë do të bënte Trump po të rikthehej në pushtet. Dhe ai po e ndjek saktësisht atë strategji. Kjo nuk është surprizë.

Në librin tuaj, ju i këshilloni amerikanët të vetëdijësohen ndaj realitetit se vendi i tyre nuk është më demokracia më e vjetër dhe e pandërprerë. A mendoni se ju dëgjuan?

Jo, shumica e qytetarëve amerikanë nuk e kuptojnë fare sistemin tonë politik, i cili është shumë kompleks. Ata nuk dinë asgjë tjetër përveç demokracisë. Mendoj se nëse do të pyesja shumicën e amerikanëve, nëse besojnë se jemi ende demokraci, ata do të përgjigjeshin ”Sigurisht”, dhe do të më quanin alarmiste. Asgjë s’do ta ndalë Trumpin nëse publiku amerikan nuk është i gatshëm të dalë në rrugë dhe t’i kërkojë që ai të ndalet.

A është rezistenca e dobët që kemi parë në muajt e parë të mandatit të dytë të Trump, një tjetër karakteristikë e një anokracie?

Njerëzve u duhet pak kohë që të dalin dhe protestojnë. Në fillim shumica e njerëzve, janë të shokuar… dhe Trump ishte i zgjuar në kryerjen shumë shpejt të atyre që synonte. Në këto kushte, njerëzit nuk e kuptuan plotësisht se çfarë po ndodhte. Kur një individ, një biznes apo një universitet sulmohet, gjëja e parë që bëjnë është të përpiqen të mbrojnë veten.

Ata shohin nga vetja dhe mendojnë: “Ç’duhet të bëj për të ruajtur institucionin tim, universitetin tim?”. Pastaj marrin masa që janë të fokusuara në përgjithësi tek interesi vetjak. Dhe e dimë se nëse të gjithë veprojnë vetëm sipas interesit të tyre vetjak, të gjithë përfundojnë duke u bërë më keq.

Prandaj qytetarët duhet të koordinohen. Drejtuesit e universiteteve duhet të bëhen bashkë, ata duhet të kenë një strategji të koordinuar kundër administratës Trump. Kjo do të ishte shumë më efektive sesa secili prej tyre t’i bëjë lëshime Trump, gjë që vetëm sa e nxit të vazhdojë në rrugën e tij autoritariste.

Çfarë mendoni për vendimin e profesorëve Timothy Snyder, Marci Shore dhe Jason Stanley, që të tre studiues të fashizmit, për t’u larguar nga Universiteti i Yale dhe për t’u zhvendosur në Toronto të Kanadasë?

Ata janë shumë të pasur, ndaj kjo lëvizje nuk i dëmtoi financiarisht. Tani jetojnë në një qytet, ku mund të shkruajnë çfarë të duan, të lirë nga frika. SHBA-ja nuk është më një vend i këndshëm për të jetuar. Mund ta kuptoj plotësisht arsyen pse u larguan. Sepse nuk besoj se universitetet do të mbrojnë asnjërin nga ne që kritikojmë administratën Trump.

Duke u kthyer tek tema e librit, çfarë mund të presim në një skenar vëllavrasës nga 1.600 të burgosurit që sulmuan Capitol Hill, të cilët Trump i fali ditën e tij të parë në detyrë?

Nëse Trump vendos të kandidojë për një mandat të tretë, ose nëse humbet zgjedhjet e ardhshme dhe nuk dëshiron të largohet nga Shtëpia e Bardhë, unë mendoj se ata do t’i dalin në mbrojtje.

Por Kushtetuta e SHBA-së nuk e lejon një mandat të tretë...

Çdo gjë rreth Trumpit, tregon se s’ka asnjë arsye pse ai do të hiqte ndonjëherë dorë nga pushteti. Ne kemi një precedent për një mandat të tretë ose të katërt, në kohën e Franklin D.Roosevelt. Sigurisht, kjo ndodhi në kohë lufte…Por fakti që Shtetet e Bashkuara janë në luftë me një vend tjetër ose me ndonjë grup ekstremist të dhunshëm i sjell dobi Trumpit.

Unë mund ta imagjinoj duke e përdorur atë strategji - që mendoj se po e përdor Benjamin Netanyahu në Izrael - për të provokuar një sulm të jashtëm ndaj Shteteve të Bashkuara, ose për të filluar një luftë kundër një vendi më të dobët. Pastaj, mund të shpallë gjendjen e jashtëzakonshme dhe kompetenca emergjente për veten. Në një skenar të tillë, publiku amerikan është më i prirur të mblidhet rreth tij dhe të thotë: “Tani është shumë e rrezikshme të ndryshosh presidentin. Kemi nevojë për stabilitet në Shtëpinë e Bardhë”./Pamfleti nga "El Pais"

trump mandat i tretë luftë civile

Lini një Përgjigje