TAGS-AT E JAVËS

Forum19 Shkurt 2024, 18:29

Shqipëria, mes pesë ngjarjeve që bënë historinë botërore 15 vite më parë!

Shkruar nga Lutfi Dervishi

Shqipëria, mes pesë ngjarjeve që bënë historinë

Ndërsa pjesa tjetër e globit dridhej nga kriza financiare, pandemia apo tronditjet për shkak të vdekjes së ikonave të muzikës, Shqipëria hodhi themelet për atë që pa frikë mund të quhet “Route 66” e Ballkanit. Një rrugë që tejkalon afatet zgjedhore dhe mandatet e qeverive... 

15 vjet më parë saktësisht më 2009 ndodhën ngjarje që tronditën dhe vijojnë të tronditin botën.

Në atë kohë të largët askush nuk e kuptonte fuqinë e Facebook-ut. Instagrami nuk kishte lindur dhe tik tok as që mund të mendohej. Por ngjarjet e mëdha nuk munguan.

5. Barak Obama, president: Shtetet e Bashkuara hapën një faqe në historinë e vet me zgjedhjen e Obamës. Në atë kohë Donald Trump po mbante shënime se si televizioni në veçanti dhe media në përgjithësi mund të kthejnë vëmendjen në kapital politik.

4. Kriza Financiare Globale. Bota gati ra në gjunjë nga kriza financiare e 2008. Bankat shpëtuan për të mirën e vet dhe për zezën e gjithë atyre që kishin marrë kredi.

3. Gripi i Derrit: Para se pandemitë të bëheshin trendi kryesor global, H1N1 u bë lajm duke dëshmuar  se brenda një dite apo për punë orësh njerëzit mund të shqetësohen për çështjet globale të shëndetit. Maska u bënë trendi, dezinfektantët e duarve shiteshin si ëmbëlsira të nxehta, dhe diku, një lakuriq në Whan të Kinës  po mbante shënime për t’i përdorur 10 vite më pas më 2019.

2. Vdekja  e Michael Jackson. Mbreti i Popit ndërroi jetë, duke lënë miliona fansa në zi dhe duke nxitur një rilindje globale në shitjen e dorashkave të bardha. Stuhia e teoritë konspirative, mbuloi botën, duke provuar që legjendat nuk vdesin kurrë, thjesht bëhen viral në mënyra të ndryshme.

1. Por ngjarja më e madhe në 2009 është nisja e ndërtimit të rrugës Qukës-Qafë Plloçë. Vërtet nuk kemi të bëjmë me autostradë, por nuk është rrugë sido kudo, është një odise që zgjat  40 km në një terren që përveç maleve e kodrave mban edhe peshën e historisë së lavdishme të zonave nga kalon rruga. Nuk është thjesht një rrugë me asfalt dhe beton, por është ambicie që dëshmon se deri ku mund të shkojë durimi i votuesve dhe deri ku mban buxheti i taksapaguesve.

Ndërsa pjesa tjetër e globit dridhej nga kriza financiare, pandemia apo tronditjet për shkak të vdekjes së ikonave të muzikës, Shqipëria hodhi themelet për atë që pa frikë mund të quhet “Route 66” e Ballkanit. Një rrugë që tejkalon afatet zgjedhore dhe mandatet e qeverive. Është një rrugë që rrit një brez (dhe që lë pas për nga cilësia projektin e madh kinez “një brez një rrugë). 

Në skemën globale të ngjarjeve, rruga Qukës-Qafë Plloçë është më shumë se thjesht një segment  nga pika A në pikën B; është një metaforë për udhëtimin e jetës- e mbushur me vonesa të papritura, devijime piktoreske, ribërje projekti dhe milona që sa vijnë dhe shtohen.

Qukës - Qafe Plloçë, është një kujtesë se çdo gjë ka kohën e vet dhe një testament I lashtë që vërteton se  për të parë një mrekulli ja vlen të presësh një jetë. 

Dhe siç dihet, jeta është e vështirë vetëm 100 vitet e para.

Lini një Përgjigje