TAGS-AT E JAVËS

Forum 5 Korrik 2024, 16:25

Shqipëria, aty ku vdekja të kushton më shumë se jeta

Shkruar nga Mariela Stefanllari

 Shqipëria, aty ku vdekja të kushton më shumë se jeta

Shqipëria është feudi i disave që i shqetëson jeta dhe ekzistenca e të tjerëve, të cilëve po u ofrojnë vdekje të shtrenjtë, për jetën e tyre të pavlerë në sytë e shtetit....

Ti do të largohesh nga jeta, por fillimisht vdekjen do e paguash shtrenjtë tek “sistemi”.

Njeriu mjekohet, sepse e do jetën, i do edhe vuajtjet e saj, vuajtje që sado që e torturojnë kur e prekin, po aq e lumturojnë kur largohen.

Njeriu kërkon, hulumton dhe zbulon botën, krijon shkenca që t’i vijë në shërbim vetes dhe jetës, por kurrsesi vdekjes.

Shqipëria është vendi ku është instaluar një sistem dhe qeverisje ku jeta e njeriut nuk ka asnjë vlerë, ku njeriu vetë është një i bezdisshëm, që kur nuk hesht përpara vdekjes dhe i reziston asaj, i ofrohet vdekja aq e shtrenjtë, sa vetë jeta e tij dhe e atyre përreth tij.

Ky lloj sistemi ka të nevojshëm, përveç të korruptuarve dhe hajdutëve në çdo institucion, në çdo hallkë të mekanizmit të zhvatjeve, ka nevojë pra edhe për mjekë shtazë, kriminelë, anti-humanë që janë fytyra e vërtetë e sistemit, që janë personifikimi i shtetit.

Këta mjekë, të tillë të paktën i emëron sistemi, kështu i quan dhe kështu iu drejtohet, për shkak të një diplome në mjekësi dhe për shkak të një emërimi në një institucion të shëndetit publik, këta mjekë pra, para se të akuzohen për korrupsion, për shpërdorim detyre, për veprimtari të paligjshme konformë  rregullave të institucionit dhe legjislacionit, duhet të dënohen nga Gjykata e të Drejtave të Njeriut, nga Haga gjithashtu, sepse po privojnë të drejtën themelore të njeriut, të drejtën për jetën.

Këta mjekë që i ofrojnë njeriut vdekje të shtrenjtë në shuma monetare, janë duke kryer krime ndaj njerëzimit.

Shqipëri kancerogjene, tumoriale në çdo kapilar të trupit të saj, ha të vetët, mes edhe këtyre mjekëve që ofrojnë vdekje të shtrenjtë, për një jetë që nuk e konsiderojnë thjesht të lirë, por të pavlerë.

Këta janë mjekë që i japin vlerë vdekjes në tregun e anarkisë të sistemit shqiptar të drejtimit dhe administrimit të shtetit.

Në Shqipëri sistem demokratik, nuk ka.

Në Shqipëri sistem drejtësie, nuk ka.

Në Shqipëri sistem shëndetësie, nuk ka.

Në Shqipëri ekonomi të lirë, treg të lirë, nuk ka.

Shqipëria është feudi i disave që i shqetëson jeta dhe ekzistenca e të tjerëve, të cilëve po u ofrojnë vdekje të shtrenjtë, për jetën e tyre të pavlerë në sytë e shtetit.

Sa kushton vdekja pak e shumë e kuptuam, e mësuam. Një vetëtimë jeta, por sa e gjatë dhe e mundimshme vdekja me ndihmën dhe kontributin e shtetit, që duhet të ndodhte e kundërta.

Shumë e shtrenjtë vdekja!

Sa kushton jeta vallë? Kjo është çështja!/Pamfleti

mariela stefanllari shqipëria ku vdekja kushton më shumë se jeta

Lini një Përgjigje