
Disa grupime studentore e kanë penguar valëvitjen në protesta të flamujve të BE-së dhe NATO-s, ndërsa po shtohen “flamujt e Rusisë, të shenjtorëve ortodoksë rusë, dhe simbolet e tjera që lavdërojnë vëllazërinë ruso-serbe”...
Jemi mësuar të mendojmë se protesta është një mund i kotë. Dhe kur e mendojmë këtë për Italinë, le të mos flasim pastaj për disa vende, qeveritë e të cilave duken të paprekshme, të pa ndikueshme si nga vullneti i popullit ashtu edhe nga kalimi i kohës. Megjithatë, Serbia sapo na ka dëshmuar të kundërtën. Pas muajsh demonstrata gjithnjë e më të mëdha, studentët serbë kanë arritur një rezultat historik: dorëheqjen e kryeministrit Millosh Vuçeviç.
Nuk është aspak e lehtë të parashikohen zhvillimet e ardhshme në Serbi. Por diçka ka ndryshuar atje, sidomos nga këndvështrimi i studentëve që nxitën protestat. Guximi dhe aftësia e tyre për të mobilizuar pjesën tjetër të shoqërisë civile, i bëri ata të nominohen zyrtarisht për Çmimin Nobel për Paqen.
Kjo e përforcon imazhin e Evropës Lindore si një “tenxhere me presion”, që kërkon më shumë liri dhe demokraci. Gjithsesi, s’duhet të nxitojmë dhe të arrijmë në përfundime të nxituara.
Sepse do të ishte gabim të mendohej, se rebelimi kundër qeverisë pro-ruse në Beograd, është një protestë pro-evropiane, si ato në Sllovaki apo Gjeorgji. Ajo që nisi si një protestë studentore kundër korrupsionit dhe mungesës së transparencës, u shndërrua shpejt në një revoltë kolektive, duke përfshirë segmente gjithnjë e më të mëdha të popullsisë.
Shkëndija ishte shembja e çatisë së stacionit hekurudhor të Novi Sadit, e cila shkaktoi 15 të vdekur dhe 30 të plagosur, një ngjarje që nxori edhe njëherë në pah neglizhencën dhe korrupsionin sistemik që e karakterizon infrastrukturën publike të Serbisë.
Dhe studentët nuk u ndalën vetëm në kërkimin e drejtësisë për këtë tragjedi. Ata zaptuan 62 nga 80 departamentet universitare, duke i shndërruar universitetet në qendra të rezistencës dhe organizimit politik.
Ata shpërndanë me forcë organet përfaqësuese zyrtare, duke i konsideruar të komprometuara dhe krijuan organe të vetë-administruara, duke diskutuar dhe votuar për kërkesat e tyre. Simboli i protestës, ishin duart e përlyera me gjak të qeveritarëve, të cilat studentët i mbanin në pankartat e tyre.
Lëvizja ka fituar një popullaritet të tillë, saqë nuk mund të injorohet më nga mediat, historikisht të lidhura me qeverinë. Një nga momentet simbolike, ishte kur tenisti me famë botërore Novak Xhokoviç u shfaq në publik i veshur me një xhup me shkrimin “Studentët janë kampionë!”.
Por ajo që e bëri vërtet unike këtë protestë, ishte përfshirja e grupeve të tjera shoqërore. Pas studentëve, në rrugë dolën thuajse të gjitha grupet sociale, mes të cilëve fermerët, të cilët bllokuan rrugët me traktorët e tyre, duke bllokuar trafikun në qytetet kryesore.
Avokatët dhe profesionistë të tjerë, kanë paralajmëruar greva dhe aksione solidariteti. Sindikatat e mësuesve e mbështetën këtë lëvizje, duke denoncuar gjendjen e rënduar arsimit publik nën qeverisjen aktuale.
Madje demonstrata në mbështetje të studentëve serbë, ka pasur edhe në Athinë. Grupi Këshillimor i Politikave të Ballkanit në Evropë (Bepag) shkroi një letër mbështetëse për luftën për demokraci të studentëve serbë, në të cilën i bën thirrje Bashkimit Evropian që të ndërhyjë në mbështetje të tyre.
Letra ishte firmosur nga përfaqësues të shumë universiteteve evropiane. Megjithatë siç kanë raportuar gazetarët Massimo Moratti dhe Federico Baccini në Osservatorio Balcani, në protestë janë vënë re pak flamuj të Bashkimit Evropian, dhe tani anëtarësimi në BE është një çështje përçarëse.
Aktivisti Zheljko Peratoviç shkruan në rrjetin X, se disa grupime studentore e kanë penguar valëvitjen në protesta të flamujve të BE-së dhe NATO-s, ndërsa po shtohen “flamujt e Rusisë, të shenjtorëve ortodoksë rusë, dhe simbolet e tjera që lavdërojnë vëllazërinë ruso-serbe”.
Sikur të mos mjaftonte kjo, ata kanë nisur që të përdorin edhe simbolet e ekstremit të djathtë në SHBA. Prandaj lind pyetja: kush e propozoi nominimin e studentëve serbë për Çmimin Nobel për Paqe? Lajmi u raportua më 31 janar 2025 dhe nominimi u propozua nga Sinisa Kovaçeviç, një shkrimtar dhe dramaturg i njohur serb, dhe Dijana Stojkoviç, një avokate e angazhuar për mbrojtjen e të drejtave të njeriut.
Vendimi i tyre, u motivua nga dëshira për të vlerësuar guximin dhe vendosmërinë e studentëve në protestat e tyre paqësore kundër korrupsionit dhe autoritarizmit në Serbi. Në aplikimin e tyre drejtuar komisionit në Suedi, Kovaçeviç dhe Stojkoviç theksuan se lëvizja studentore serbe përfaqëson një model të rezistencës jo të dhunshme, të aftë për ta bashkuar shoqërinë në një luftë për dinjitet dhe drejtësi.
Por Sinisa Kovaçeviç, është një figurë kontroverse në politikën dhe kulturën serbe.
I lindur në vitin 1954, ai është një dramaturg dhe skenarist i njohur për pjesët e tij teatrale dhe filmat, shumë prej të cilave trajtojnë tema të identitetit kombëtar dhe historisë serbe. Ai themeloi “Frontin e Atdheut Serb”, një formacion nacionalist dhe konservator me qëndrime të qarta kundër pranimit të Serbisë në Bashkimin Evropian dhe kundër NATO-s.
Ndërkohë Dijana Stojkoviç është më pak e njohur për publikun e gjerë. Ajo është një avokate e të drejtave të njeriut, por ka pak të dhëna mbi pozicionet e saj politike apo orientimin ideologjik.
Megjithatë, bashkëpunimi i tij me Kovaçeviç për nominimin e studentëve serbë për Çmimin Nobel për Paqe, ngre pikëpyetje rreth motiveve reale pas këtij propozimi, dhe se si kjo kandidaturë përshtatet në një kornizë më të gjerë politike.
Fakti që nominimi erdhi nga dy figura me qëndrime të paktën pjesërisht skeptike ndaj Bashkimit Evropian dhe afër Rusisë, është një element që meriton reflektim. Nga njëra anë, protestat e studentëve filluan si një lëvizje kundër korrupsionit dhe autoritarizmit të qeverisë serbe, e cila mundohet të mbajë një sjellje të ekuilibruar midis Brukselit dhe Moskës.
Nga ana tjetër, mbështetja e Kovaçeviç dhe Stojkoviç, tregon se tendenca është drejt një modeli edhe më autoritar të qeverisjes. Pra nominimi për Nobelin, mund të jetë jo vetëm një njohje e guximit të studentëve, por edhe një përpjekje për të shfrytëzuar lëvizjen e tyre për qëllime më të gjera politike.
Sigurisht, lëvizjet në rrugë janë gjithmonë heterogjene. Brenda tyre ka shumë rryma të ndryshme, dhe do të ishte i gabuar etiketimi i të gjithave nën një vizion të vetëm. Por vetëm pse njerëzit në një vend pro-rus, po protestojnë kundër qeverisë dhe kërkojnë më shumë të drejta dhe transparencë, kjo nuk do të thotë domosdoshmërisht se ata po kërkojnë si alternativë Bashkimin Evropian.
Por pse Evropa nuk mund të jetë tashmë një pikë referimi për studentët protestues? Zyrtarisht ata po protestojnë për vlerat evropiane, dhe kërkesat e tyre nuk janë të ndryshme nga ato të demonstratave të tjera që kemi parë.
Po zyrtarisht, ata po përpiqen të kenë atë që kanë të rinjtë në vendet në kufi me ta, të cilat janë anëtarësuar në BE, dhe që e kanë arritur tashmë prej disa vitesh. Pse Evropa nuk është në gjendje të jetë protagoniste në këto momente të historisë?
Pse nuk mund të jemi aty, edhe kur duket sikur kjo po na kërkohet? Përgjigja për këtë pyetje kërkon një analizë edhe më të thellë, shumë durim dhe shumë shpresë.
Lini një Përgjigje