TAGS-AT E JAVËS

Forum 7 Qershor 2023, 18:20

Prangat që nuk trembin asnjë njeri me pushtet

Shkruar nga Enton Abilekaj

Prangat që nuk trembin asnjë njeri me pushtet

Këto arrestime vlejnë më shumë për të mbushur fletët e raportimit për Komisionin Europian dhe Departamentin e Shtetit, që në raportin e ardhshëm të ketë ndonjë fjalë të mirë për Drejtësinë...

As arrestimet e fundit nuk e kane rritur besimin tek Drejtësia e re. Për statistikat e Drejtësisë, Sekretarja e Përgjithshme e Ministrisë së Shëndetësisë dhe ish-anëtari i kryesisë së PS që ka qenë për 12 vjet kryetar bashkie në Durrës, janë goditje të mëdha kundër korrupsionit, por për ata që presin Drejtësi për milionat e korrupsionit, janë vetëm truke për të bindur publikun.

Duket si truk kur Drejtësia niset nga ideja e bujës që do bënte arrestimi i një ish- zyrtari apo zyrtari. Aq më keq duket si truk kur vepra penale për të cilën akuzohet, ka ndodhur 12 vjet më parë dhe mund të jetë parashkruar.

Aq më keq kur dëmi që i është bërë Shtetit, nuk i kalon 180 milionë lekë të vjetra, ndërsa Kontrolli i Lartë i Shtetit, raporton qindra milionë euro në vit dhe aq më keq akoma, kur arrestimi i një zyrtareje në detyrë, bëhet për një tender 6 milionë lekësh të vjetra.

Këto raste tregojnë se Drejtësia zgjedh, shkon tek ata që kanë pak ase aspak mbrojtje politike, ose tek ish - drejtues që janë larguar me mirëkuptim dhe kanë kohë që nuk gjenden në krahun e Kryeministrit. Zgjedh çështje të vogla, me dëme minimale, që e minimizojnë idenë e korrupsionit të qeverisë, pikërisht duke bërë sikur po e lufton atë. Me shifrat që po hetohen të arrestuarit, kushdo do të mendonte se këto nivele abuzimesh janë shumë larg atyre që shkruhen në raportet ndërkombëtare apo kombëtare, se perceptimi i korrupsionit është i gabuar dhe kemi një qeveri që i dorëzon drejtësisë njerëzit e vet edhe për gabime kaq të vogla. SPAK po vepron si trukues i një qeverie që ka thyer gjithë rekordet duke qenë e para në Ballkan për korrupsion, sipas Transparency International.

Një çështje e madhe, si ajo e Inceneratorëve, mund të shërbente si alibi e SPAK, që po merret edhe me milionat, që ka arrestuar një ministër dhe një deputet dhe po i akuzon për miliona euro korrupsion. Nga jashtë duket alibi perfekte, por nëse hyn brenda çështjes, kupton se prokurorët e antikorrupsionit, nuk kanë hetuar as atë që kanë dyshuar vetë, procedurën e paligjshme që u ndoq për miratimin e inceneratorit të Elbasanit.

Nëse do ta ndiqte procedurën, në pranga nuk do të ishte një ish- ministër dhe një ish- sekretar i përgjithshëm kur aderonin në LSI, por zyrtarët më të lartë të Shtetit, nëse do të hetohej çfarë po ndodh në landfillin e Tiranës, nuk do të kishim hetim për 3 milionë euro korrupsion, por për pothuajse 100 milionë, që nuk dihet ku kanë shkuar.

Kur SPAK rri larg çështjeve të nxehta dhe emrave të mëdhenj me pushtet aktual, askush nuk bindet se arrestimi i Vangjush Dakos është vënie e Drejtësisë, aq më tepër kur akuza që komunikohet, është shumë e papërfillshme përballë shqetësimit publik.

Një drejtësi që njofton Kryeministrin në rastin më të mirë, apo gjithë mediat dhe pastaj detyron të akuzuarin të interesohet vetë nëse duhet të shkojë në paraburgim, është duke bërë pazar me Pushtetin politik dhe mediatik, për të mos u përballur më asnjërën.

Këto arrestime vlejnë më shumë për të mbushur fletët e raportimit për Komisionin Europian dhe Departamentin e Shtetit, që në raportin e ardhshëm të ketë ndonjë fjalë të mirë për Drejtësinë. Për vendin do të kishin vlerë vetëm nëse ndonjë zyrtar i lartë me pushtet real do të trembej pas kësaj, ndonjë biznesmen i emëruar që merr fondet e buxhetit të shtetit, sikur i ka ën arkën e tij, do të distancohej nga tenderat apo nëse Kryeministri do të ishte, në mos i hetuar, i painformuar për hetimet e njerëzve përreth.

dako arrestime spak

Lini një Përgjigje