TAGS-AT E JAVËS

Forum 7 Janar 2025, 14:40

Kufizimi i mediave sociale për të miturit: A do të funksionojë eksperimenti australian?

Shkruar nga Peter Singer

 Kufizimi i mediave sociale për të miturit: A do të

Qeveria australiane mund të përjashtojë platformat e mediave sociale, të cilat janë të kufizuara tek komunikimet politike, megjithëse kjo do të kërkonte që dikush në qeveri të përcaktojë se cilat komunikime janë politike dhe cilat jo...

Në fund të vitit që shkoi, duke reaguar ndaj shqetësimeve në lidhje me efektin e mediave sociale mbi shëndetin mendor të fëmijëve, parlamenti i Australisë e ndryshoi Aktin e Sigurisë në internet. Tani ai u kërkon përdoruesve që të jenë të paktën 16 vjeç për të hapur një llogari në platformat e mediave sociale si TikTok, Snapchat, Instagram dhe X.

Amendamenti pritet të hyjë në fuqi deri në fund të këtij viti. Ligji mori mbështetje të gjerë në Australi, si në parlament ashtu edhe nga publiku. Megjithatë ka pasur edhe kritika. Kështu, disa ekspertë kundërshtojnë lidhjen midis përdorimit të mediave sociale dhe problemeve të shëndetit mendor tek adoleshentët.

Të tjerët e shohin si shkelje të së drejtës të lirisë së shprehjes. Edhe ata që mbështesin përpjekjen, po pyesin se si mund të zbatohet ajo. Nuk ka dyshime se shëndeti mendor i adoleshentëve, veçanërisht i vajzave, është përkeqësuar ndjeshëm që nga shfaqja e telefonave inteligjentë dhe e mediave sociale.

Platformat dixhitale që synohen nga ky ligj, përdorin algoritme për t’i mbajtur njerëzit në faqet e tyre, sepse më shumë klikime nënkuptojnë më shumë të ardhura nga reklamat. Rezultati? Një sondazh i Gallup, tregoi se adoleshentët amerikanë shpenzojnë mesatarisht 4.8 orë në ditë në mediat sociale.

Kjo është një pjesë e madhe e kohës së lirë të një adoleshenti, të cilën mund të kalojë edhe duke ndërvepruar personalisht me miqtë dhe me vende dhe objekte në botën reale. Psikologu social Jonathan Haidt, dhe autor i librit “Brezi i ankthit”, është shprehur se platformat e mediave sociale e kanë “rindërtuar fëmijërinë dhe kanë ndryshuar zhvillimin njerëzor në një shkallë gati të paimagjinueshme”.

Përdorimi i tepruar i mediave sociale nga adoleshentët dhe nivelet më të larta të depresionit dhe ankthit, shkojnë qartazi së bashku. Ajo që diskutohet, është nëse kjo është thjesht një lidhje apo një marrëdhënie shkakësore.

Studimet e mira, që testojnë nëse periudha shumë të gjata të reduktimit të përdorimit të mediave sociale e reduktojnë depresionin dhe ankthin, janë të vështira për t’u kryer. Sepse provat, në të cilat adoleshentët individualë largohen nga një platformë ndërsa miqtë e tyre qëndrojnë në të, mund të pritet të japin më pak përfitime, madje mund të shkaktojnë dëme tek fëmijët që tani janë të izoluar nga miqtë e tyre.

Në mungesë të provave të tilla rigoroze, provat që kemi sugjerojnë se përdorimi i tepruar i mediave sociale shkakton ankth dhe depresion, por nuk është përfundimtar.

Prandaj Australia, mund t’i bëjë një shërbim të vyer botës përmes këtij eksperimenti social kombëtar.

Natyrisht, kjo supozon që ajo ta reduktojë ndjeshëm kohën që të miturit kalojnë në mediat sociale. Politikë-bërësit planifikojnë të arrijnë qëllimin e tyre, duke vendosur gjoba të larta për kompanitë që operojnë platformat e reja të mediave sociale dhe që kanë zyrtarisht kufizime për moshën, nëse nuk marrin “hapa të arsyeshëm” për të parandaluar hapjen e llogarive nga ata nën 16 vjeç.

Ligji ngarkon me detyrën e përshkrimit të atyre që konsiderohen si “hapa të arsyeshëm” Komisionerin e Sigurisë në Internet në Australi, një zyrë e pavarur ligjore. WhatsApp dhe aplikacionet e ngjashme të mesazheve, si dhe disa shërbime shëndetësore dhe arsimore në internet, do të përjashtohen nga ky ligj.

Të miturit do të vazhdojnë të jenë në gjendje të shikojnë video ose faqe në YouTube në mediat sociale, si faqet e biznesit në Facebook, edhe pa pasur një llogari. Nga ana tjetër, qeveria australiane ka njoftuar synimin e saj për të miratuar ligje të tjera duke krijuar një “Task-force Dixhitale të Kujdesit”, që do të vendosë përgjegjësinë mbi platformat dixhitale për të parandaluar dëmet e njohura ose të parashikueshme.

Paradoksalisht, nga ky ligj mund të përfitojë nga drejtuesit dhe programuesit e mediave sociale, të cilët janë shumë të vetëdijshëm mbi atë që mund të bëjnë për shëndetin mendor të fëmijëve.

Duke pasur parasysh mungesën aktuale të rregulloreve, çdo platformë e mediave sociale që e merr seriozisht sigurimin që fëmijët të mos hapin llogari, do të humbasë në garën ndaj rivalëve më pak skrupulozë. Ligji krijon kushte të barabarta për të gjitha platformat, duke e tejkaluar kësisoj problemin e veprimit kolektiv.

Kushtetuta australiane nuk përmban deklarata gjithëpërfshirëse mbi të drejtat themelore. Në përgjithësi dhe në dallim nga Shtetet e Bashkuara, gjykatat atje e pranojnë supremacinë e parlamentit. Megjithatë, Gjykata e Lartë e Australisë ka vendosur se dispozitat e kushtetutës që mbrojnë një qeveri përfaqësuese dhe përgjegjëse, nënkuptojnë se parlamenti nuk duhet të vendosë një barrë të panevojshme në komunikimin politik.

Një përgjigje e mundshme ndaj atyre që kanë sugjeruar se ky ligj e shkel këtë parim, është se fëmijët nën 16 vjeç nuk votojnë, ndaj kanë më pak nevojë për komunikim politik. Për më tepër, mund të argumentohet se barra nuk është proporcionale, pasi dëmi i shkaktuar nga mediat sociale është shumë serioz për të justifikuar kufizimin modest që përmban ligji në fjalë.

Po ashtu, qeveria australiane mund të përjashtojë platformat e mediave sociale, të cilat janë të kufizuara tek komunikimet politike, megjithëse kjo do të kërkonte që dikush në qeveri të përcaktojë se cilat komunikime janë politike dhe cilat jo.

Shënim: Peter Singer, profesor i bioetikës në Universitetin Prinston, SHBA dhe profesor i jashtëm Universitetin Kombëtar të Singaporit.

kufizimi i mediave sociale të miturit eksperimenti australian

Lini një Përgjigje