
Mërzia e tij për këtë “maraz” duhej të merrej në konsideratë më shumë se përshpirtja apo reflektimi për jetën pas vdekjes së Kadaresë!
Duket sikur Shqipëria është çliruar nga Patriarku i epërm kulturor i saj Ismail Kadare dhe ditëlindjet e tij shndërrohen në datë rutinore!
Ikjen dhe ardhjen i ndajnë pak muaj!
E para pa kthim e dyta është ngrirë! Mjafton të gërvishtësh pak kujtesën për të kuptuar sa banale ja bëmë përcjelljen në të përtejmen botë!
Një kontrast i madh me dhimbjen që ndiente kombi, me respektin që shfaqte Franca, me lajmin që përcillte Europa dhe Bota!
Kryeministri vuri veten në qendër të ceremonisë funebre dhe nga podiumi mortal zihej me të gjithë ata që i kërkonin dy metra dhe të denja për gjeniun e letrave!
Mërzia e tij për këtë “maraz” duhej të merrej në konsideratë më shumë se përshpirtja apo reflektimi për jetën pas vdekjes së Kadaresë!
Askush nuk pati mundësi ta nderonte me një fjalë dinjitoze rasti, as Kryeministri i Kosovës as Akademia e Shqipërisë as ajo e Francës e Kosovës, as shtëpia botuese e as botuesit e “Fajar” e të “Onufrit” asnjë nga përkthyesit e tij të gjuhëve të mëdha, as një shkrimtar i shquar shqiptar apo i huaj!
U panë në atë përzierje dhimbje e dukjeje shumë ministresha që kërkonin vëmendje, rol e sqimë në skenën e përkohshme të vanitetit të tyre meskin!
Ngjanin shumë syresh si personazhe që ngulmueshëm kërkonin të merrnin paksa nga madhështia e mjeshtrit!
Ndoshta nga kjo ditëlindje duhet te nisemi për të ndrequr diçka në ndërgjegjen tonë jo për Kadarenë të cilin qeveria e çoi dhe po e lë në Tufinë përtej zotimit solemn për t’i realizuar atij të merituarin vend për prehjen e madhe!
Historia jonë shpesh tragjike na bëri të harrojmë për shumë shekuj edhe themeluesin politik të identitetit shqiptar Gjergj Kastriotin-Skënderbeun! E ruajti Europa kujtimin e tij dhe na e ktheu kur na duhej për të bërë shtetin e gjetur shtizën ku të varej Flamuri i Pavarësisë kombëtare!
Fatalitetet e kohës dhe komplekset maroke të një vendi të vogël mund t’i rezervojnë një vend të ngjashëm edhe Kadaresë përkufizuesit të identitetit kulturor të shqiptarëve në modernitet!
Kadare është një shkrimtar europian dhe rri si i tillë në të ardhmen por të gjithëve ne na duhet për vete dhe fëmijët tanë edhe si shkrimtar shqiptar si katalizator i kulturës së deritanishme dhe themel i ngrehinës të së ardhmes!
Ditëlindjet e tij janë shëlbesë për shpirtin dhe mendjen tonë! E kotë t’i themi ministrit rrondokop të kulturës që do duhej filluar kjo ditë me themelimin e Institutit Kadare si politike kulturore si nevojë jonë e jona për lavdinë e tij dhe me fjalën publike për dy metrat që ja mohuam se kur e ku do ja japim!
Lini një Përgjigje