Nëse i mbyllin të gjitha vrimat e demokracisë socialiste, dhe opozita nuk arrin të depërtojë kurrsesi deri te foltorja, ata e nxjerrin edhe foltoren jashtë or vëlla. I bëjmë dy parlamente. Edhe dy vula. Njëra, gjithsesi nga patatja!
Në kohën e socializmit jugosllav, menjëherë pas luftës së dytë botërore, edhe në Kosovë fshatarët kishin filluar të organizoheshin në kooperativa.
Kooperativat kishin kryetar dhe natyrisht, kryetari e kishte vulën.
Në parim kryetarin e zgjidhte fshati, por ai kalonte nëpër filtrin e partisë. Partia i jepte vulën dhe vetëm një letër me vulë quhej vendim.
Njëherë, një fshat ishte i pakënaqur me kryetarin e kooperativës dhe e ndërruan. E emëruan të preferuarin e tyre, por i vjetri nuk mërzitej fare. E pse të mërzitej kur ai e kishte vulën. Vulën e kishte nga partia e jo nga fshati.
Kështu kryetari i shkarkuar lëronte tokën e tij, ndërkohë që skaj arës i vinin delegacionet, për ta kërkuar vulën, por ky nuk ua jepte. Kishin një kryetar me elektorat dhe pa vulë, dhe një kryetar me vulë, pa elektorat.
“Bëjeni një nga patatja”, u thoshte me shpoti ai, delegacioneve dhe shtrëngonte vulën në xhep.
Tani, demokratët shqiptarë, me vulën zyrtare apo me atë të patates, sikur dy kokat e shqiponjës krenare, duke parë në drejtime të kundërta po bëjnë luftë në disa fronte të demokracisë së brishtë shqiptare. Luftën më të madhe po e bëjnë për vulën. Por së fundmi gjithçka mori formën burimore të luftës për karrige.
Luftë për karrige, luftë me karrige, grabitja e karrigeve të pozitës, operacionet “pushtimi i foltores”, apo “bllokimi i mikrofonit” dhe në fund fare gjithçka degjeneroi në një alpinizëm urban, në një kacavarje nëpër mure, dritare... të tempullit të demokracisë!
“Ti e nxjerr nga dera, ai hyn nga dritarja”, kështu thoshte fjala e moçme shqiptare. Kjo ishte e paparë deri më tani në skenën politike të Shqipërisë.
Djaloshi pensionist, kreativ në botën e politikës dixhitale, më në fund i hapi edhe rrugët alternative për të hyrë në parlament.
E ku të shkoj, si të ja bëjë, një politikan jashtë politikës. I morën partinë, e shpallën “non grata”, e sulmuan, e shanë ... “Hosana baraba”, do të thoshte Noli i madh.
Tani duan të ja marrin edhe shpirtin. E shpirti i tij është politika. Çfarë të bëjë një pensionist jashtë politikës? Atë që bëjnë gjithë pensionistët? Kur jemi te mosha, në politikë ajo duket se është relative... a nuk ka ide rinore Berisha? Kujtojeni vetëm “qytetarin dixhital” , “foltoren” etj...
Ndërkaq, Edi pasi e futi në kaos opozitën, shpartalloi mediat e pavarura, dhe promovoi vetveten si medium dhe mediat e veta... si të vetat, po kafshon malet. Malet nuk i bëri dot fusha as Enveri, por ky hap tunele. Pra, bën çka bën e po e hap një tunel.
Edhe rrugët, portet ja vlejnë si projekte me një kosto të lartë, por tunelet janë tunele, ato janë edhe metaforike, se ku ka metaforë më të fuqishme se drita në fund të tunelit? Duket gjë drita , Edi?
Kur Edi mbetet pa projekte politike, mediatike, edhe infrastruktura kryen punë, sidomos tunelet.
A nuk është politikë edhe infrastruktura?
Edi i hapi të gjitha rrugët e hyrjes në Shqipëri, pastaj i bllokoi në Shqipërinë e mesme. Po e dini, është aty ku bëhen kolonat e gjata, ku me orë zvarritesh metër pas metri . Por kësaj radhe nuk e kemi fjalën për kolonat e pafund të kosovarëve që kërkojnë fllad në Adriatik apo Jon, por për një problem tjetër infrastrukturor. Edhe demokratët duan infrastrukturë. U duhet një nënkalim për në parlament. Futesh me veturë, ose me autobus dhe e parkon mu para foltores. Do të flasë Rama, bjeri borisë. E si do të dëshmosh ndryshe se ke makinë, nëse nuk ke bori? Krye demokrati bori ka, edhe makinë...vetëm një nënkalim i duhet!
A nuk do të bënte punë një aleancë e Berishës me Erion Veliajn, si kundërpeshë ndaj Bashës dhe Ramës? Ti lutej, “më bëj një nënkalim Erion vëllai”! E bën dot? . “Të bëjmë kryetar të PS, ashtu si e bëri PS, Bashën”, do të mund të premtonte Berisha dhe ti jepte fjalën e pionierit ... të Enverit!
Por Veliaj ka tjera halle, nuk e bën dot. Tjetër sikur të kërkohej një hyrje sekrete nga Piramida në Parlament? Apo të ndiqej strategjia që të bëhen aq vrima sa nuk mbyllen dot? Pra, halli i Berishës është si të hysh në parlament kur të mbyllin derën? Për dritare pra! Ose kap shkallët, se ato i rregullon Veliaj. Piramida me shkallë edhe parlamenti me shkallë. E Kryeministria me tunele... kjo po që ka kuptim! Apo nuk ka?
Askush nuk mund ta mohojë se ky alpinizëm urban, e rriti solidaritetin mes ligjvënësve të përjashtuar. Si raportojnë mediat, deputeti i parë që u ngjit lart ndihmoi të tjerët të ngjiten, madje u lëshoi edhe një karrige e cila mund të jetë edhe historike në mënyrën e saj...!
Nëse i mbyllin të gjitha vrimat e demokracisë socialiste, dhe opozita nuk arrin të depërtojë kurrsesi deri te foltorja, ata e nxjerrin edhe foltoren jashtë or vëlla. I bëjmë dy parlamente. Edhe dy vula. Njëra, gjithsesi nga patatja!/Pamfleti
Lini një Përgjigje