
Berisha në llojin e vet tek radikalizimi dhe polarizimi i retorikës ka gjetur gjithnjë ‘levën emocionale’ më te cilën ka lëvizur mbështetësit e vet.
“Sali Berisha është më i votuari në PD! Donald Trump gëzon mbështetjen më të madhe brenda republikanëve”! Këto janë dy shprehjet që lidhin në mënyrë thuajse identike argumentat për rikandidim në krye të opozitave të tyre të dy personazheve. Dakort, kështu është, por a mjafton ky argument në të dyja rastet për të fituar zgjedhjet e 2025 në Shqipëri dhe ato të 2024 SHBA? Dyshimet janë që shanset për fitore në të dy rastet janë ose zero, ose diçka e përafërt me të.
Por le të hyjmë më thellë në gjykimin e sloganit “kush ka mbështetjen e partisë, mund kundërshtarin’. Së pari duhet pranuar së të dy personazhet nuk janë politikanë të zakonshëm kalimtarë, por figura të forta politike. Me histori të ndryshme, por me diçka të ngjashme që I bashkon: shpirti luftarak dhe retorika e ashpër me një farë stilistike tërheqëse ndaj kundërshtarëve. Berisha në llojin e vet tek radikalizimi dhe polarizimi i retorikës ka gjetur gjithnjë ‘levën emocionale’ më te cilën ka lëvizur mbështetësit e vet. Dhe natyrisht që ashpërsia e tij për të rrëzuar “qeverisë e stabilitetit” në 1992 është ngulitur mirë në nën ndërgjegjen e shumë votuesve të PD. Dhe këtë stil e shtriu gjatë gjithë karrierës së tij edhe brenda radhëve të vetë PD. Aq larg ka shkuar me këtë modus operandi, saqë u ka mbushur mendjen demokratëve që Basha është një demon që arrin deri aty sa të imponojë DASH për shpalljen e tij non-grata. Por harron të marrë përgjegjësitë e tij si Xhepeto që krijoi dhe mbajti në këmbë Pinokun e tij, pikërisht Lulin e tij të preferuar.
Por gjithsesi ajo pjesë e bazës së PD që e adhuron ende Berishën, ka qejf të gënjehet edhe këtë herë, pasi të njëjtën gjë ka bërë dhe me dy klonet paraardhës të Bashës, Selamin dhe Shehun. Por duke mos u thënë në atë kohë demokratëve se Selami ishte delfini i tij pranë mocionistëve në 1992, ndërsa i dyti ose i ashtuquajturi Profesori, ka qenë i vetmi konkurrent i denjë i Agron Llakajt në imitimin e vetë Berishës.
Aq sa në 1997 mori dhe çmimin “prasi vitit” nga juria e kreditorëve të piramidave në Lushnje. Por fabula funksionoi megjithëse Shehu u kthye sërish në PD në 2005 dhe prasët u tretën në ujin e memories së munguar të radikalëve. Natyrisht që e njëjta trajektore artikulimi i është drejtuar me radhë më të drejtë Ramiz Alisë dhe më pak Nanos e Ramës që në perceptimin e radhëve besnike nuk kanë qenë kundërshtarë, por “armiq” të tij dhe popullit të djathtë. E më keq akoma dhe cirakë te Beogradit. Nuk mjaftonte armiqësia e Shqiptarëve të Shqipërisë por edhe atyre të Kosovës!!
Po të kthejmë kokën në SHBA pasi jemi në kushte të ngjashme. Mbështetja në sondazhe për Donald Trump është më e lartë se për DeSantis apo kandidatët e tjerë njëshifror në Partinë Republikane. Dhe me diferencë jo të vogël. Edhe Trump tek gjuha e ashpër ndaj rivalëve, brenda dhe jashtë Republikanëve, ka gjetur mënyrën më eficente për të gëzuar mbështetje në radhët e elektoratit emocional. Edhe Trump si Berisha në fillimet e tij në vitin 2016 gjatë primareve dhe garës përballë rivalit demokrat, kishte të drejtë në ekspozimin e krizës së liberalizmit globalist. Dhe për këtë Trump do mbetet në histori, si Berisha përballë komunistëve në 1992.
Dhe është e kuptueshme, liderët që dalin fitues nga beteja me kundërshtarë që kanë prodhuar kriza të mëdha janë shpërblyer me mbështetje tek votuesit e ashpër dhe më gjerë. Por, këto histori të ngjashme fitoresh epike kanë dhe anën tjetër të medaljes. Humbjet e të njëjtëve personazhe në zgjedhjet pasardhëse. Berisha përbën edhe një përjashtim atipik, pasi rierdhi në pushtet pas humbjes së tij herën e parë. Dhe kjo e bën të pamundur një kthim të tretë pa iu referuar fare non-gratës, pasi gjysma e votuesve potencialë e kanë mbyllur këtë hesap në gjuhën shqipe. Kanë zgjedhur të mos hanë bar, por thjeshtë nuk hanë as bar e as “karamelet” e Rilindjes së Ramës që veçse rishpiku veten nga bashkia në kryeministri dhe asgjë më shumë. Trump po ashtu në 2020 humbi sa për shkak të vendimeve kontradiktore, retorikës jo qeverisëse por opozitare duke qenë vetë në pushtet, por edhe për shkak të artificës kundërshtare të “betejës së minoriteteve etnike” në një Amerikë që është bashkim historik rracash të ndryshme. Demokratët luajtën edhe pisët me Black Lives Matters por ja që fituan me Joe Biden. Dhe siç thonë rëndom juristët “retorika përballë fakteve, është shterpë”!
Por ka dhe një analogji tjetër fatale që I bashkon. Dështimi i Trump në zgjedhjet e ndërmjetme për të marrë në kontroll senatin në SHBA dhe 14 maji që do mbahet mënd si “dita e martirëve të Rithemelimit në Shqipëri”, nga Shkodra në Tropojë.
Pra përballë mbështetjes që kanë në shumicë brenda partive respektive dhe pamundësisë për të fituar zgjedhjet e ardhshme, e ardhmja e republikanëve amerikanë dhe demokratëve shqiptarë është në udhëkryq. Biles Rithemelimi, në udhëkryqin e fundit u copëtua keq nga treni elektoral që refuzoi Berishën dhe krizën e PD ku ai vetë shihet si përgjegjësi kryesor. I saj. Por duhet thënë se edhe me ndryshimet që kanë mes vetes, ambicia, egoizmi dhe narcizizmi thuajse patologjik i dy personazheve i bën që të këmbëngulin në rikandimin. Nuk shohin dot asgjë përtej hundës së tyre, ç‘ka rezulton mos të jetë horizonti i gjithë elektoratit potencial opozitar në të dyja anët e oqeanit.
Kjo mungesë përgjegjësie me shume mundësi mund të djegë një kandidat me shumë potencial fitues si DeSantis në SHBA dhe një dinamike demokratizuese që mund të prodhojë një lider dhe ekip fitues të djathtë në Shqipëri. Fatkeqësisht numërimi mbrapsht ka nisur dhe është drejt fundit. Kokëfortësia e të dyve pothuaj me siguri do tu dhurojë pushtetin në tavolinë kundërshtarëve të tyre. Por “who cares”, tek e fundit rëndësi ka që Trump dhe Berisha të krenohen para pasqyrës për betejat e tyre me kundërshtarët që mund të jenë dhe mullinj ere. Një gjë është e sigurt, jeta vazhdon përveç rastit nëse Trump dhe Berisha do ecin mbi ujë si Krishti. Por në 2023 vitet e fundit mrekullitë janë parë vetëm ne Izraelin Biblik. Konkretisht zgjedhjet fitohen përmes votës gri që të dy rikandiduesit kokëfortë nuk e marrin dot.
Lini një Përgjigje