
Dy shtetas shqiptarë, 44 dhe 39 vjeç, janë arrestuar në Itali pasi akuzohen për tentativë vrasjeje dhe armëmbajtje pa leje.
Mësohet seata plagosën me armë zjarri një bashkëatdhetar në Zianigo di Mirano, në provincën e Venecias.
Arrestimet u kryen nga Karabinierët e Venecias, në bashkëpunim me efektivët e stacioneve të Miranos dhe Jesolos, pas një hetimi të koordinuar nga Prokuroria italiane.
Ngjarja ka ndodhur më 1 korrik, kur i plagosuri me inicialet K.R., u qëllua me armë në shpatull. Sipas hetimeve, ai arriti t'i shpëtonte atentatit vetëm pasi u fsheh në një zonë me bimësi pranë banesës së babait të ish-partneres së tij.
Gjatë kontrolleve të kryera menjëherë pas ngjarjes, karabinierët gjetën municione të të njëjtit kalibër me plumbin që goditi viktimën, si dhe materiale që lidhen me trafikimin e lëndëve narkotike në banesat dhe automjetet e të dyshuarve.
Hetimet e mëtejshme, të mbështetura nga përgjime, vëzhgime dhe ndjekje operative, zbuluan se plagosja lidhej me aktivitetin e një grupi të përfshirë në trafikun e drogës në zonën e Miranos dhe komunave përreth.
Sipas autoriteteve italiane, viktima kishte vendosur të largohej nga rrjeti kriminal për të nisur një jetë të re dhe për të gjetur një punë të ligjshme. Ky vendim, sipas hetuesve, nuk u pranua nga dy të dyshuarit, të cilët fillimisht e kërcënuan vazhdimisht me vdekje që prej shkurtit 2026.
Pasi kërcënimet nuk dhanë rezultat, autorët dyshohet se organizuan pritën e armatosur natën e 1 korrikut. Të pajisur me pistoleta, ata i zunë pritë shqiptarit, por ai arriti të largohej dhe të fshihej, duke shpëtuar me plagë në shpatull.
Dy shqiptarët ndodhen aktualisht në burgjet e Venecias dhe Padovës, ndërsa hetimet dhe procedurat penale ndaj tyre vijojnë.
Lini një Përgjigje