TAGS-AT E JAVËS

Ekonomi 4 Prill 2025, 11:00

Plani i Trump prapa tarifave, një rend i ri global tregtar dhe financiar

Shkruar nga Chiara Brusini

Plani i Trump prapa tarifave, një rend i ri global tregtar dhe financiar

Çfarë thuhet në manualin mbi ristrukturimin e sistemit të tregtisë globale të Stephen Miran, këshilltarit ekonomik të Shtëpisë së Bardhë. Plani synon t’i detyrojë partnerët tregtarë të dobësojnë dollarin, për të rritur konkurrencën e SHBA-së...

Një rend i ri tregtar dhe financiar global. Është ky objektivi i vërtetë, që qëndron pas shpalljes nga Donald Trump të tarifave të reja ndaj partnerëve tregtarë të SHBA. Dhe ky plan nuk është aspak sekret. Ekonomisti Stephen Miran e shpalosi në detaje nëntorin e vitit të kaluar, kur ishte ende duke punuar për kompaninë e investimeve Hudson Bay Capital.

Titulli ishte shumë përshkrues “Udhëzues mbi ristrukturimin e sistemit global të tregtisë”. Menjëherë pas kësaj publikimit të tij, 41-vjeçari Miran u emërua nga presidenti amerikan për të udhëhequr Këshillin e Këshilltarëve Ekonomikë.

Dhe ky emërim e bën atë ese, të cilën shumë vëzhgues e konsiderojnë plot me gabime dhe kontradikta, planin e madh të Shtëpisë së Bardhë për ringjalljen e industrisë amerikane. Ai duhet lexuar për të kuptuar se cilat mund të jenë lëvizjet e ardhshme të Uashingtonit.

Duke filluar nga një marrëveshje ndërkombëtare, që synon uljen e vlerës së dollarit, e cila sipas Miran është e mbivlerësuar dhe në dëm të konkurrencës së produkteve amerikane, dhe kohëzgjatjen e borxhit publik amerikan për të stabilizuar normat e tij në kurriz të zotëruesve të huaj.

Këta të fundit, do të binden me “shkopin e tarifave” dhe “ karotën e mbrojtjes ”, pra me kërcënimin e privimit nga ombrella mbrojtëse e ofruar deri tani nga Uashingtoni.

Një udhëzues për Trumpin, kishte bërë bujë që në gusht të vitit të kaluar.

Ai mbante autorësinë e Miran, i doktoruar në Harvard dhe ish-këshilltar i Departamentit të Thesarit gjatë mandatit të parë të Trump, dhe ekonomistit tjetër të njohur Nouriel Roubini, që e akuzonte Sekretaren e atëhershme të Thesarit Janet Yellen për manipulimin e emetimit të letrave me vlerë të borxhit publik për qëllime politike.

Pastaj, një javë para zgjedhjeve presidenciale, Miran publikoi “udhëzuesin”, që i shërben synimeve të Trump “për ta bërë Amerikën sërish të madhe”. Miran e thekson në atë ese, se pret që mandati i dytë i Trump “të jetë edhe më i vendosur se i pari në rikonfigurimin e sistemit ndërkombëtar të tregtisë dhe financave”.

Dhe ai do që të bashkojë “një gamë mjetesh politike”, që do ta lejonte të arrinte qëllimet e tij për rigjallërimin e prodhimit dhe rritjen e konkurrencës së SHBA në tregjet globale. Sipas tij rrënja e “pakënaqësisë së madhe me rendin ekonomik mbizotërues” qëndron në mbivlerësimin e dollarit, i cili i bën eksportet amerikane më të shtrenjta, dhe për rrjedhojë më pak konkurruese, duke imponuar rënie të prodhimit dhe humbje të vendeve të punës.

Për Miran, dollari mbivlerësohet për shkak të akumulimit të rezervave të dollarit dhe obligacioneve të qeverisë amerikane nga vendet e treta që kërkojnë një strehë të sigurt. Pra ka një kërkesë të tepërt për dollarë, e cila dikton edhe defiçitin tregtar, duke qenë se bilanci i pagesave (eksportet minus importet), pritet gjithnjë të rregullohet derisa të barazohet me flukset e kapitalit hyrës në vend.

Nëpërmjet monedhës së gjelbër, Uashingtoni e mbështet rritjen e ekonomisë globale mbi supet e veta, për të mirën e partnerëve të tij, dhe në kurriz të ekonomisë së tij. Por për fituesin e çmimit Nobel në ekonomi, Paul Krugman, ky shpjegim është tejet i thjeshtëzuar, duke pasur parasysh se deri në fund të viteve 1970 - pavarësisht se roli i dollarit si monedhë rezervë ishte identik - vendi regjistroi sufiçite tregtare të vazhdueshme.

Për të përmbushur vizionin e “MAGA-s”, duhet filluar nga vendosja e tarifave. Qofshin ato janë reciproke siç pretendon Shtëpia e Bardhë, të diferencuara në 3 grupe (jeshile, të verdhë dhe të kuqe) në varësi të politikave tregtare dhe monetare dhe respektimit të “vlerave”, apo në nivelin 20 për qind, që sipas Miran është “optimali”, duke cituar një studim, autorët e të cilit, theksojnë se një lëvizje e tillë do të shkaktonte një lufte tregtare me pasoja shumë negative.

Duke lejuar mbledhjen e të ardhurave jashtë kufijve kombëtarë, me qëllim rifinancimin e uljes së taksave, mendohet se këto masa duhet t’i nxisin kompanitë që të zhvendosen në SHBA për të prodhuar.

Në fakt këto dy objektivat janë qartazi në konflikt me njëri-tjetrin (sepse sa më shumë fabrika të zhvendosen në Shtetet e Bashkuara, aq më pak të ardhura do të vijnë për qeverinë federale).  Për më tepër, tarifat janë një levë që përdoren edhe në negociatat mbi politikën valutore, të cilat sipas Miran duhet të zhvillohen paralelisht.

Qasja me dy drejtime është e nevojshme sepse goditja e importeve me tarifa, priret të rrisë çmimet në dëm të konsumatorëve amerikanë, dhe të forcojë më tej monedhën kombëtare. Pra rezultat i kundërt me atë që dëshirohet të arrihet sipas planit të Miran. Ndaj pasi të ketë “zbutur” liderët e vendeve të mëdha me tarifa ndëshkuese, Trump mendon t’i thërrasë ata në rezidencën e tij në Mar-a-Lago në Florida për nënshkrimin e një marrëveshjeje të re të madhe mbi kurset e këmbimit, si ajo e nënshkruar në Hotelin Plazza të Nju Jorkut nga SHBA-ja, Franca, Gjermania, Japonia dhe Britania në vitin 1985.

Këtë herë synohet, që në këmbim të uljes së tarifave dhe mbajtjes së “ombrellës mbrojtëse” të SHBA për ata që do t’i bashkohen paktit, të ndërmerren veprime të koordinuara - shitjen e rezervave të tyre - me synim uljen e vlerës së dollarit.

Rritja normave të interesit, e dëmshme për Uashingtonin, borxhi i të cilit pritet të rritet nga 100 aktualisht në 156 për qind të PBB-së deri në vitin 2055, do të kompensohej duke i detyruar të paguajnë për të vendet që e financojnë atë borxh.

Ideja është që t’i kërkojë ose detyrojë ato të shkëmbejnë letrat me vlerë afatshkurtër të thesarit që kanë në portofolet e tyre për obligacione shumë afatgjata, madje edhe obligacione shekullore, me një fitim të reduktuar. Një “qasje shumëpalëshe”, siç e përkufizon Miran, e bazuar në fakt tek frikësimi.

Alternativa e njëanshme, duket edhe më e pamundur: ndër propozimet janë aktivizimi i Aktit Ndërkombëtar të Fuqive Ekonomike Emergjente për të vendosur një tarifë përdorimi për shtetet që mbajnë bonot e thesarit të SHBA (me arsyetimin se “ato janë një barrë për eksportet”) ose përdorimi i Fondit të Stabilizimit të Kursit të Këmbimit për të blerë valutë dhe për të fryrë vlerën e saj.

Gjithsesi, vetë Miran e pranon se lëvizjet që ai rekomandon mund të anulojnë njëra-tjetrën. Për shembull, nëse do të funksiononte kompensimi i monedhës, tarifat do të ndalonin së ndikuari në flukset tregtare, duke i bërë importet më të shtrenjta.

Të dukshme janë edhe kontradikta të tjera me objektivat e shpallura të administratës Trump: siç e theksoi Krugman, rishtetëzimi i prodhimit, duket se është në kontrast të qartë me besimin se nuk do të ketë efekt tek inflacioni (E pse konsumatorët duhet të preferojnë produktet vendase?).

Lidhja e qartë me ofrimin e “shërbimeve të mbrojtjes”, ngre disa dyshime të tjera, të cilat në studimin në fjalë shpërfillen, duke argumentuar se nëse Evropa nuk përshtatet dhe vendos të vazhdojë rritjen e madhe të shpenzimeve të saj ushtarake , nuk do të jetë problem. Përkundrazi “SHBA-ja do të jetë në gjendje të fokusohet më shumë tek Kina, e cila është një kërcënim më serioz se Rusia”. Analistët dhe bankat e investimeve, nga JP Morgan tek ABN Amro, e konsiderojnë si gati të pamundur që të arrihet një pakt i tillë. Ato presin që tarifat të shkaktojnë inflacion dhe ndikim negativ në rritjen ekonomike./Pamfleti nga “Il Fatto Quotidiano”

tarifat plani i trump rendi ri tregtar

Lini një Përgjigje