Eksperti i ekonomisë, Pano Soko, e quajti paranë e pistë një tumor në ekonominë shqiptare.
Soko tha se kur të ndërpriten burimet informale, Shqipëria do të përjetojë efektet e një të droguari, kur i del droga. Sipas tij ndërprerja e burimeve informale do të sjellë një rritje të lartë të inflacionit në vend.
“Me gjithë 10 milionë turistët, me gjithë investimet e shtuara të huaja, rritja ekonomike ishte prapë 3,6. Nëse do kishim një bum të madh nga pikëpamja financiare e turistëve, atëherë rritja ekonomike s’do ishte 3,6 për qind. Niveli i importeve gjatë periudhës së turizmit nuk ndryshoi shumë. Nuk besoj se kanë qenë 10 milionë turistët që krijuan bumin e parasë. Kursi i këmbimit zbriti që në maj, pa filluar turizmi. Nuk janë fenomene që vijnë graduale, por janë të izoluara dhe lidhen me raste të veçanta. Mund të dyshojmë që derisa s’është një gjë e bardhë, është e zezë. I dedikohet në pjesën më të madhe ky ndryshim i kursit të këmbimit paraja që s’dihet nga vjen.
Ndërkombëtarët i kanë lejuar. Nëse do kishin vullnetin për t’i ndaluar do ta kishin bërë nga vendet e origjinës. Këto para nuk prodhohen në Shqipëri. Prodhohen diku jashtë dhe vijnë në Shqipëri. Pjesa tumoriale e trupit tashmë është bërë kaq e rëndësishme, sa nuk e heqim dot, sepse nëse e heq vdes pacienti. Presupozohet se hapja e negociatave do të sjellë një monitorim më të rreptë edhe në flukset hyrëse të parave, unë besoj që kjo do shkaktonte një kolaps financiar, ku do të ishim të gjithë të prekur. Industria e ndërtimit është pronë e parasë së pistë. Nëse ndërpriten financimet e gjithë kjo industri kolapson. I gjithë stabiliteti makro-ekonomik është i varur nga ky kurs këmbimi. Imagjino nëse një moment euro shkon 120 lekë. Shqipëria s’do të jetë gjithmonë vendi ku do pastrohet para. Do vijë në një moment që do ndërpriten, qoftë për interesin e atyre vendeve nga ku burojnë këto para. Sot ne jemi nën efektin e drogës. Kursi i këmbimit nuk e ndjeu fare 400 milionë eurot e blera nga Banka e Shqipërisë! Kjo para e pistë është tumoriale, s’është e shëndetshme. Do vijë një moment që do ndërpritet. Është ajo që i ndodh të droguari kur i del droga, e njëjta gjë do t’i ndodhë vendit tonë, sepse jemi shumë larg ekuilibrit natyror, ku një euro të këmbehet me 140 lekë. Do t’i kthehemi me shumë dhimbje ekonomisë së bardhë. Por natyra fiton në fund fare”, tha Soko në “MCN TV”.
Lini një Përgjigje