TAGS-AT E JAVËS

Editorial 5 Maj 2026, 10:54

Më mirë një fund i tmerrshëm, se një tmerr pa fund

Shkruar nga Gjergj Zefi
Më mirë një fund i tmerrshëm, se një tmerr pa fund
Ngushtica e Hormuzit /

Nga iluzioni i një fitoreje të shpejtë te paniku në tregje, kriza e Iranit po kthehet në provën më të ashpër për diplomacinë perëndimore: ose një zgjidhje e dhimbshme politike tani, ose një konflikt i gjatë që do ta paguajë e gjithë bota...

Në fillim u shit si një luftë e shkurtër. Një goditje e shpejtë, një regjim në panik, një rend i ri që do të lindte mbi rrënojat e Ajatollahëve. U fol për ditë, ndoshta javë. Për një Iran të gjunjëzuar, për një Lindje të Mesme të riorganizuar dhe për një fitore që do t’i jepte botës siguri.

Sot, realiteti është shumë më i ftohtë dhe shumë më i rrezikshëm. Regjimi në Teheran nuk ka rënë. Lufta nuk ka mbaruar. Ngushtica e Hormuzit është kthyer në nervin e zbuluar të ekonomisë globale. Çmimet e naftës qëndrojnë mbi 100 dollarë për fuçi, ndërsa Brent u raportua pranë 114 dollarëve, në një treg të komanduar më shumë nga frika gjeopolitike sesa nga logjika ekonomike.

Kjo është pika ku propaganda e fillimit përplaset me faturën e realitetit. Sepse luftërat rrallë përfundojnë sipas skenarëve të hartuar në zyra të sigurta, larg porteve, larg tregjeve, larg qytetarëve që paguajnë karburantin, bukën dhe energjinë.

Në këtë krizë, askush nuk po fiton. SHBA kërkon të ruajë autoritetin e saj si garantuese e lirisë së lundrimit. Irani kërkon të dëshmojë se nuk mund të goditet pa kosto. Izraeli kërkon të thyejë arkitekturën ushtarake të Teheranit. Europa kërkon stabilitet, por zbulon edhe një herë se sa e brishtë është kur krizat energjetike vendosen jashtë kufijve të saj. Ndërsa qytetarët, nga Azia në Ballkan, nuk dëgjojnë më deklaratat e komandave ushtarake; ata shohin vetëm çmimet që rriten e rritën nga ora në orë.

Ngushtica e Hormuzit nuk është thjesht një hartë në ekranet e televizioneve. Ajo është porta për një pjesë jetike të furnizimeve globale me naftë, gaz, plehra kimike dhe mallra strategjike. Ngushtica ka qenë praktikisht e mbyllur që prej nisjes së sulmeve amerikano-izraelite ndaj Iranit më 28 shkurt, duke sjellë rritje çmimesh në mbarë botën.

Këtu qëndron dilema brutale e diplomacisë: a është më mirë një fund i tmerrshëm, një marrëveshje e dhimbshme, e papërsosur, e pakëndshme për të gjitha palët, apo një tmerr pa fund, ku lufta zvarritet, tregjet çmenden, aleancat lodhen dhe rajoni rrëshqet çdo ditë më afër një përplasjeje akoma edhe më të madhe?

Përgjigjja nuk është morale, por strategjike. Një fund i tmerrshëm mund të jetë një armëpushim me lëshime të vështira, me garanci ndërkombëtare, me kontroll të lundrimit, me ulje graduale të tensionit dhe me një formulë që askujt nuk i pëlqen plotësisht. Por ai fund, sado i hidhur, prodhon një horizont. Një tmerr pa fund nuk prodhon asgjë, përveç lodhjes, radikalizimit dhe kaosit.

Historia e Lindjes së Mesme e ka treguar shpesh herë: kur luftërat nisin me premtimin e rendit të ri, shpesh përfundojnë duke prodhuar vakume të reja. Kur thuhet se një regjim do të shembet shpejt, duhet pyetur gjithmonë: kush vjen pas tij, kush e kontrollon territorin, kush ruan kufijtë, kush i mban portet, kush kontrollon ushtrinë, kush garanton energjinë?

Në rastin e Iranit, këto pyetje janë më të rënda se vetë lufta. Teherani nuk është një objektiv i izoluar. Është nyje shtetërore, ideologjike, ushtarake dhe rajonale. Goditja ndaj tij prodhon valë në Gjirin Persik, në Liban, në Irak, në Jemen, në tregjet aziatike, në bursat europiane dhe në xhepin e qytetarëve të zakonshëm.

Prandaj sot, diplomacia nuk duhet të sillet si komentatore lufte. Duhet të sillet si zjarrfikëse e rendit ndërkombëtar. Të kërkosh fundin e luftës nuk do të thotë të shpërblesh agresionin. Do të thotë të pranosh se lufta e gjatë është shpesh forma më e shtrenjtë e dështimit politik.

Operacioni amerikan “Project Freedom” synon të rihapë Hormuzin dhe të rikthejë lirinë e lundrimit, ndërsa Uashingtoni pretendon se ka shkatërruar mjete iraniane dhe ka neutralizuar kërcënime me dronë e raketa. Irani i mohon këto pretendime dhe vijon ta trajtojë praninë amerikane si provokim. Kjo do të thotë se palët nuk janë më vetëm në konflikt për territor apo ndikim; ato janë në konflikt për narrativën e kontrollit.

Dhe kur dy palë luftojnë jo vetëm për të fituar, por për të mos u dukur sikur kanë humbur, diplomacia bëhet edhe më e vështirë.

Sepse sot pyetja nuk është më nëse regjimi i Ajatollahëve do të përfundojë nesër. Pyetja është nëse bota mund të përballojë edhe muaj të tjerë me një krizë që mban peng detin, energjinë dhe tregjet.

Në diplomaci, fitoret absolute janë të rralla. Zakonisht, paqja ndërtohet mbi kompromise që duken të shëmtuara në mëngjesin e parë, por shpëtojnë shumë më tepër se sa humbin. Ky mund të jetë një prej atyre momenteve.

Më mirë një fund i tmerrshëm, sesa një tmerr pa fund./Pamfleti

 

më mirë një fund i tmerrshëm se një tmerr pa fund gjergj zefi

2 Komente

  1. T
    Tironci

    Ne vend qe te shkruaj me ne fund shyqyr qe doli dikush ti shkaterroje dhe ti heqi qafe Ajetllahet, shkruan jo po lufta ska mbaru e gjera pa kuptim. Mendo pak se si Irani ka qene nga vendet me te zhvilluara ne gjirin Persik ne vitin 1989 kur ishte mike e partnere me USA e ku eshte sot kur te gjithe ato vende ne ate pjese te kontinentit kane pare nje zbvillim te jashtezakonshem duke shitur nafte kurse Irani ka bere mbrapa ose ka ngelur ne vend me ekonomine me te dobet ne rajon. I denuar me sanksione, duke pasur nje rregjim cnjerezor qe i vret njerezit pa pike meshire, e ngelur mbrapa teknegjollikisht e detyruar te shesi naften vetem tek Kina ku Kina e blen me cmim me te ulet se ce shesin te tjeret. Per momentin te gjithe aty po bejne namin duke shitur nafte me dyfishin e cmimit kurse Irani nuk shet dot asnje pike nafte.

    1. T
      Tony

      Wow, wo, Tironci me brekushe turqish t'zbardhe prej diellit e pono cop politiken e botes. Or cun zdroms, zdryp ere prej fiku, a t'q... rrethn e kapeles!

    Lini një Përgjigje

    Editorial