TAGS-AT E JAVËS

Editorial 5 Prill 2023, 11:42

Hani i Hasan P*rdhës, një realitet funebër

Shkruar nga Sokol Pepushaj
Hani i Hasan P*rdhës, një realitet funebër
Shkodra

Në atë Han, ku qytetërimi i gjenerimit duhet kuptuar si agjërim i rebelimit, barra e rëndë e poshtërimit i ka kërrusur të gjithë...

“Ej ti, ik, nuk gjete Amerikën, je në Shkodër!”

Nëpër tis të historisë, Shkodra të ngjan e mbijetuara e regjimeve sunduese. Nuk u ligështua as kur e prenë në besë, as kur e vodhën, as kur e “vranë.

Sot, edhe trotuarin ja kanë zaptuar.

Kudo ka tezga e papastërti. Njerëzit ecin në të njëjtën korsi me makinat. Migjeni është mes plehrave dhe ca makinave  të parkuara njëra mbi tjetrën, tek këmbët e Prek Calit, pijanecët thyejnë shishet e birrës e s’duan t’ia dinë as për koburen që mban Heroi në brez, kurse me Ndre Mjedën e kanë pasur lehtë. Prej kohësh, një kalimtar i ka thyer “hundën” poetit.

Ka fat Gjergj Fishta që e kanë fshehur mes ca librave e nuk e njohin. Makinat gulçojnë në kërkim të vendit të tyre, parkimit publik. Shkodra nuk ka asnjë të tillë, përveç ca skutave private, ku duhen 200 lekë të futesh brenda. Pastaj, këto parkimet private, janë më të sikletshme  se radha e qumështit në kohën e Enver Hoxhës, pasi nuk je me një shishe në dorë që pret ta mbushësh, por me dorë në shishe të karburantit, që në çdo sekondë pikon para. Sot nuk duhet të shtyhesh trup me trup, por makinë me makinë.

Fërkimi i dy makinave në dekorin e këtyre momenteve, është më me pasoja se thyerja e një brinje dikur në radhë të qumështit.

Ngërthehen keq trokitjet në realitet.

Gjithë shërbimi bashkiak është mbytur në mundësinë e gjetjes së “shtigjeve” për tek Hani i Hasan P*rdhës, ku sundon një realitet funebër. Në atë Han, ku  qytetërimi i gjenerimit duhet kuptuar si agjërim i rebelimit, barra e rëndë e poshtërimit ka kërrusur edhe sjelljet e automjeteve që bashkia i ka shitur për vota.

Dilni shihni nëpër Shkodër.

Në rrugën kryesore të ish Degës së Punëve të Brendshme, lokalet dhe dyqanet, kanë lyer me bojë mes të verdhës dhe fosforeshentes parkimet publike dhe nuk lejojnë qytetarët të parkojnë. Po kështu, edhe nga para ish Turizmit të Shkodrës e deri në lagjen e famshme ‘Parrucë’ e gjithandej ku ka rrugë.

Tek ish mapoja e madhe, është hata e madhe.

Dikush, me ferman të Djalit të Alisë ose Sulltanit të Hanit të Hasan P*rdhës, ka pushtuar pronën publike, dhe e ka bërë parking privat.

Në këtë sëmbim shërbimi, nuk je ti ai që flet me të keq. Janë qytetarët e Shkodrës, por edhe vizitorët, që me pa fajësinë e tyre, nuk kanë shanse të mos ndihen keq kur para se të fikin motorin e makinës në parkimet publike, u vjen dikush e ju thotë; Ej ti, ik, nuk gjete Amerikën, je në Shkodër!

Ti që e dëgjove me veshë këtë shprehje në qendër të qytetit, i thua nga distanca Djalit të Alisë, vazhdo figurë, sa kohë nuk del dikush t’i thyejë turinjtë e ta çlirojë këtë qytet.

Po kush të flasë, në Shkodër mediat janë si kotece pulash!

Për ditë kontrollojnë ‘furrikun’, mos ka ndonjë “vezë”. Djali i Alisë, u ka dhënë sadaka si për fukara. Pra, sillen e mbështillen nëpër “skutat” e veta, kanë sinorët e veta, idiotësitë e veta, marrin nga disa rroga të vetat.

Për çfarë paguhen, kur nuk shohin vizimet në rrugë, as kur zografisin lajme për parkimet e pa ligjshme?!

Ata kanë mjaft të lajnë e thajnë rreth 1000 fjalë nga fjalori memec, për temën e përditshme; “Hani i Hasan P*rdhës është pronë e Djalit të Alisë”.

Roja i lokalit që ka zënë qindra metra parkim publik, e ka zërin më kumbues e artikulimin më fin se gazetarët. Mes padijes së vet, arrin të shprehë substancën e gjësë, edhe të na japë një titull shkrimi; Ej ti, ik, nuk gjete Amerikën, je në Shkodër!/Pamfleti

hani realitet makabër shkodra bashkia

Lini një Përgjigje

Editorial