TAGS-AT E JAVËS

Dosja e zezë21 Maj 2025, 10:08

Babloku mes gomarëve të vet dhe deleve të Yuri Kim

Shkruar nga Sokol Pepushaj

 

Babloku mes gomarëve të vet dhe deleve të Yuri Kim
Edi Rama /

Edi Rama ka përpara 4 vite të vështira; me mandate, por pa kontroll të vërtetë. Tani nuk i mjaftojnë më as patronazhistët, as Batonët. Duhet të ushqejë edhe tufën e mbetur pa bariun nga Ambasada…

Edi Rama ka fituar një mandat të katërt, por për herë të parë nuk ka as shijen e fitores, as luksin e qeverisjes me komoditet. Sepse përveç gomarëve të tij politikë, tani duhet të ushqejë edhe delet e Yuri Kim, që i la në mes të stanit pa asnjë bari.

E për ta bërë më dramatike, në këtë skenë groteske të quajtur politikë shqiptare, Chris LaCivita, eksperimentuesi i vaksinave “antiberishiste”, ka hyrë në histori si veterineri i parë që provon serume amerikano-shqiptare mbi një kope pa bosht dhe një lider që nuk e do më askush, por që nuk largohet dot vetë.

Disa do të thonë se vaksina doli jashtë afati. Të tjerë, se ajo ishte projektuar për një tufë tjetër. Por një gjë është e sigurt: delet nuk u bënë ujqër. U bënë më shumë si dhelpra të rraskapitura që kërkojnë të hyjnë në parlament duke ecur mbi barin që nuk u përket.

Ndërkohë, në fushën tjetër, Berisha nisi të frynte fyellin më shumë për vete se për kopenë. E gjithë Shqipëria kujtoi se kishte marrë ndonjë “ilaç të ri”, që e bëri të ringjallej. Por ilaçi nuk ishte politik: ishte hakmarrje. Dhe kur politika kthehet në hakmarrje, e vetmja që djeg është llogjika.

Në raftin ku rri "Ferma e Kafshëve" e Orwell-it, fjalët zgjojnë një tjetër kuptim:

“Njeriu është krijesa e vetme që konsumon pa prodhuar.”
Në Shqipëri, këta janë pushtetarët. Dhe kur prodhimi i vetëm që kanë është propaganda dhe bajgat mediatike, atëherë nuk na mbetet as bar, as bereqet.

Kjo është arsyeja pse, para se Celibashi të numëronte delet, Baton Haxhiu kruante brirët me Çim Pekën diku në një arë dixhitale, duke shpallur vdekjen politike të Berishës.
Tani që Edi Ramës i buzëqesh një fitore që as vetë nuk e beson, i bie në kurriz edhe një sfidë tjetër më e madhe:
Duhet të mbajë të gjallë një tufë pa bosht, pa bar, pa lider dhe pa shpresë.

Pas kësaj pranvere ku deleve të Yuri Kim u vdiq bariu, Babloku ka filluar të ndjejë barrën që i rëndon në kokë. Se delet kërkojnë përkujdesje, pulat e parlamentit janë gati të bëjnë vezë në çilarë burgjesh, ekonomia rrokulliset, dhe patronazhistët mund të çmenden e kafshojnë njëri-tjetrin.

Ndërkohë, për analiza politike, kanë mbetur vetëm ca gomerë dhe derra, që i dëgjon në çdo ekran të kthyer në stallë. Dhe ndërsa Babloku përpiqet të sillet si bari i përmbajtur europian, realiteti i shfaqet si meme me baltë dhe me barrë që s’mbahet më./Pamfleti

edi rama babloku gomarët e bablokut delet e yuri kim

Lini një Përgjigje