Majkëll Olize mund të jetë emri i madh i radhës në radarin e Realit të Madridit. Sipas të përditshmes gjermane "Bild", ylli i Bajernit të Mynihut është gjithnjë e më i hapur ndaj mundësisë për t'u transferuar në "Santiago Bernabéu", ndërsa një rol kyç në këtë proces po luan bashkëkombësi i tij, Kilian Mbape.
Raporti mes dy futbollistëve u forcua ndjeshëm gjatë Kupës së Botës, ku bashkëpunimi i tyre në fushë rezultoi spektakolar. Olize regjistroi shtatë asiste, një rekord për një edicion të vetëm të turneut, ndërsa pesë prej tyre shkuan pikërisht për Mbapenë, i cili realizoi dhjetë gola.
Sipas "Bild", kapiteni i Francës e ka shfrytëzuar këtë afërsi për të bindur Olizen se Reali i Madridit është destinacioni ideal për të. Mbape besohet se i ka theksuar bashkëkombësit se ai është profili që i mungon skuadrës madrilene, duke i folur gjithashtu për jetën në Spanjë dhe kushtet më të favorshme krahasuar me Gjermaninë.
Madje, sulmuesi francez thuhet se i ka bërë të ditur edhe presidentit të Realit, Florentino Perez, se Olize është i gatshëm të dëgjojë një ofertë nga klubi spanjoll.
Megjithatë, pengesa më e madhe mbetet Bajerni i Mynihut. Klubi bavarez nuk ka asnjë dëshirë të humbasë një nga lojtarët e tij më të rëndësishëm. Olize është i lidhur me kontratë deri në vitin 2029 dhe marrëveshja nuk përmban klauzolë lirimi.
Drejtori sportiv Maks Eberl dhe zv.presidenti Uli Hënes kanë deklaruar më herët se Bajerni nuk ka ndërmend ta shesë lojtarin, pavarësisht shumës që mund të ofrojë Reali i Madridit. Gjithsesi, situata mund të marrë tjetër drejtim nëse vetë futbollisti kërkon largimin, edhe pse deri tani kjo nuk ka ndodhur. Sipas mediave gjermane, ndikimi i Mbapesë ka bërë që ky skenar të diskutohet gjithnjë e më shumë ditët e fundit.
Një nga faktorët që mund ta shtyjë Olize drejt Madridit është dëshira për të fituar për herë të parë Ligën e Kampionëve, objektiv që ai beson se mund të arrihet më lehtë me fanellën e Real Madridit.
Pakti mes Realit të Madridit dhe Bajernit
Pavarësisht interesimit, Reali ende nuk ka kontaktuar zyrtarisht me Olizen. Arsyeja është një marrëveshje mes presidentëve Florentino Pérez dhe Herbert Hainer, e arritur në qershor të këtij viti.
Sipas këtij pakti, për të ruajtur marrëdhëniet e mira mes dy klubeve, asnjëra palë nuk mund të negociojë me një futbollist të klubit tjetër pa kontaktuar më parë drejtuesit e tij.
Në këtë mënyrë, Mbape ka marrë rolin e një ndërmjetësi jozyrtar për Realin e Madridit. Ndërkohë, Florentino Perez kishte paralajmëruar para rizgjedhjes së tij se ishte i gatshëm të investonte deri në 150 milionë euro për afrimin e një lojtari të madh, dhe Majkëll OL duket se është një nga kandidatët kryesorë për atë investim.
Lini një Përgjigje