TAGS-AT E JAVËS

Politike21 Korrik 2026, 15:11

Përplasje në Komision për Ligjin për Turizmin, Muçi akuza mazhorancës: Zgjatim i ligjit për investimet strategjike

Shkruar nga Pamfleti
Përplasje në Komision për Ligjin për Turizmin, Muçi
Mbledhja e Komisionit për Kulturën dhe Turizmin

Deputeti i Partisë Socialiste, Taulant Balla, prezantoi në mbledhjen e Komisionit për Turizmin dhe Kulturën, ndryshimet e propozuara në ligjin për turizmin, duke theksuar se ndërhyrjet synojnë rritjen e standardeve në sektor dhe përmirësimin e cilësisë së shërbimeve turistike.

Sipas Ballës, projektligji parashikon një sërë ndryshimesh që lidhen me mënyrën e ndërtimit dhe funksionimit të strukturave akomoduese, kategorizimin e tyre, regjistrimin elektronik të turistëve, menaxhimin e mbetjeve, si dhe krijimin e një regjistri qendror për të dhënat e turizmit.

Por jo të gjitha ndryshimet e propozuar gjetën mbështetjen e partive  opzoitare në komision.

Projektligji u shoqërua me diskutime nga deputetët e opozitës. Deputeti i Lëvizjes Bashkë, Redi Muçi, shprehu rezerva për një prej dispozitave, duke argumentuar se ajo i jep qeverisë kompetenca të ngjashme me ato të ligjit për investimet strategjike.

Muçi iu referua nenit që parashikon se, me propozim të ministrit përgjegjës për turizmin, Këshilli i Ministrave mund të vendosë ndryshimin e përgjegjësisë së administrimit të zonave me përparësi zhvillimin e turizmit për realizimin e projekteve ose investimeve me interes publik apo me rëndësi kombëtare.

“Më duket zgjatim i ligjit famëkeq për investimet strategjike. Siç e keni pranuar, është një ligj që ka skaduar, por për shkak të ndërhyrjes së partnerëve ndërkombëtarë është ngulur këmbë që të shfuqizohet, dhe tani zgjatimin po e bëni nëpërmjet këtij projektligji. Pra, ligji thotë të merret në dorë nga kryeministri”, tha Redi Muçi.

Ndryshimet në ligjin për turizmin pritet të shqyrtohen më tej në komisionet parlamentare përpara se të kalojnë për votim në seancë plenare. 

mbledhja e komisionit për kulturën dhe turizmin muci perplaset me ballen

Lini një Përgjigje