Pas vrasjes së Kosta Plakës dhe vetëvrasjes së autorit Refit (Nertil) Buzi, ka humbur jetën në spital edhe ish-vjehrra e 35-vjeçarit, e cila mbeti e plagosur rëndë gjatë sulmit.
Shkon në tre numri i viktimave të tragjedisë së ndodhur në Roskovec. Bejlere Plaka, e cila mbeti e plagosur rëndë gjatë sulmit me armë zjarri të kryer nga ish-dhëndri i saj, Refit (Nertil) Buzi, ka ndërruar jetë në spital, pavarësisht përpjekjeve të mjekëve për ta mbajtur në jetë.
Më herët gjatë ditës, 35-vjeçari vrau me armë gjahu ish-vjehrrin e tij, Kosta Plakën, plagosi bashkëshorten e tij, Bejlere Plakën, dhe mori me forcë ish-të fejuarën, Rozalinda Plakën. Kjo e fundit u lirua disa orë më vonë gjatë operacionit policor.
Pas krimit, Buzi u rrethua nga forcat speciale RENEA në zonën e ish-fushës së helikopterëve, në fshatin Kurjan, ku qëndroi i ngujuar brenda automjetit të tij. Pavarësisht negociatave intensive për disa orë, ai nuk pranoi të dorëzohej dhe, sipas Policisë, rreth orës 16:35 dyshohet se qëlloi veten me armën e gjahut që mbante me vete.
Me vdekjen e Bejlere Plakës, bilanci i ngjarjes së rëndë shkon në tre viktima: Kosta Plaka, bashkëshortja e tij Bejlere Plaka dhe autori i dyshuar, Refit (Nertil) Buzi.
Rozalinda Plaka, ish-partnerja e autorit, u shpëtua gjatë ndërhyrjes së Policisë dhe më pas la ambientet e spitalit. Ajo ndodhet në komisariat, ku po merret në pyetje në kuadër të hetimeve.
Policia dhe Prokuroria vijojnë hetimet për të dokumentuar plotësisht rrethanat dhe motivet e kësaj ngjarjeje të rëndë kriminale.
Lini një Përgjigje