
Një shqiptar i shpallur në kërkim ndërkombëtar është arrestuar në Angli në kuadër të operacionit të përbashkët "The Wanted", të zhvilluar nga Policia e Shtetit në bashkëpunim me autoritetet britanike.
Sipas njoftimit zyrtar të Policisë, në pranga ka rënë Sabri Sopoti, 60 vjeç, i cili ishte dënuar nga Gjykata e Dibrës me 24 vite burg për veprat penale "Vrasja me paramendim" dhe "Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit".
Arrestimi u bë falë bashkëpunimit mes Interpol Tiranës dhe Interpol Manchester, me qëllim ekstradimin e tij drejt Shqipërisë.
Sipas dosjes hetimore, ngjarja për të cilën është dënuar Sopoti ka ndodhur më 24 dhjetor të vitit 1999, kur ai dyshohet se vrau me armë zjarri automatike shtetasin me iniciale B. K.
"Si rezultat i koordinimit informativ dhe operacional ndërmjet homologëve të Interpol Tiranës dhe Interpol Manchester, në kuadër të operacionit të koduar 'The Wanted', u kap në Angli, me qëllim ekstradimin në Shqipëri, shtetasi i shpallur në kërkim ndërkombëtar, Sabri Sopoti, 60 vjeç", thuhet në njoftimin e policisë.
Autoritetet shqiptare njoftojnë se procedurat për ekstradimin e 60-vjeçarit kanë nisur dhe Interpol Tirana vijon bashkëpunimin me homologët britanikë për ta sjellë atë në Shqipëri, ku do të vuajë dënimin e dhënë nga drejtësia shqiptare.
Lini një Përgjigje