Daniel Siad, agjenti francez i modeleve që dyshohej se kishte luajtur rol në lidhjet mes Jeffrey Epstein dhe vajzave të reja nga industria e modës, është gjetur i pajetë në banesën e tij në Colombes, në periferi të Parisit. Vdekja e tij u regjistrua të hënën dhe tashmë autoritetet franceze kanë nisur hetimet për të zbardhur rrethanat e ngjarjes.
Zëvendësprokurorja e Gjykatës së Nanterre, Marie-Celine Loverisy, konfirmoi se do të kryhet një autopsi për të përcaktuar shkakun e saktë të vdekjes.
Pak kohë përpara se të ndërronte jetë, Siad kishte folur për CNN, duke deklaruar se nuk kishte dijeni që dy gra, të cilat ai i kishte prezantuar me Jeffrey Epstein, e akuzuan më vonë financierin amerikan për abuzim seksual.
Sipas tij, Epstein e kishte bindur se pas dënimit të vitit 2008 kishte shlyer përgjegjësinë për krimet e kryera dhe se nuk do të përfshihej më në sjellje të ngjashme.
“I besoja atij dhe besoja se ky djalë ishte një profesionist”, tha Siad për CNN.
Dokumentet e publikuara nga Departamenti Amerikan i Drejtësisë tregojnë se Epstein i kishte paguar Siadit dhjetëra mijëra dollarë. Në të njëjtat dosje përfshihen edhe mesazhe ku agjenti francez i raportonte Epsteinit për vajza të reja që kishte njohur, duke i dërguar në disa raste edhe fotografi të modeleve ose kandidateve për asistente.
Në një nga komunikimet e publikuara, pasi Siad i dërgoi një fotografi të një gruaje, Epstein iu përgjigj shkurt: “Shumë e madhe.”
Sipas dokumentacionit të bërë publik nga autoritetet amerikane, emri i Daniel Siad përmendet mbi 2 mijë herë në dosjet që lidhen me çështjen Epstein, çka e vendos atë ndër personat më të përmendur në hetim.
Ndërkohë, lidhjet e Jeffrey Epstein me botën e modës vijojnë të jenë objekt hetimesh. Edhe vetë Siad ishte nën hetim penal në Francë, ku përballej me akuza për sulm seksual. Një modele e kishte denoncuar për përdhunim, duke pretenduar se ngjarja kishte ndodhur në vitin 1990, kur ai punonte në Francë. Siad i kishte mohuar vazhdimisht këto akuza.
Lini një Përgjigje