TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota21 Korrik 2026, 19:15

Gjashtë muaj paga për një udhëtim: Bonuset e egra të kompanive për Ngushticën e Hormuzit

Shkruar nga Pamfleti
Gjashtë muaj paga për një udhëtim: Bonuset e egra të
Hormuzi

Rreziku në Ngushticën e Hormuzit po detyron kompanitë e transportit detar të ofrojnë shpërblime të jashtëzakonshme për marinarët që pranojnë të kalojnë në një nga rrugët më të rrezikshme të botës.

Sipas Bloomberg, kompania koreano-jugore Sinokor Group, një nga operatorët më të mëdhenj të supertankerëve në botë, u ka ofruar ekuipazheve bonus sa gjashtë paga mujore për një mision që zgjat rreth 30 ditë.

Në rastin e kapitenëve, të cilët paguhen deri në 15 mijë dollarë në muaj, bonusi mund të arrijë në rreth 90 mijë dollarë vetëm për një udhëtim. Marinarët e niveleve më të ulëta, me paga rreth 1.500 dollarë në muaj, mund të përfitojnë deri në 9 mijë dollarë shtesë.

Oferta vjen ndërsa sulmet ndaj anijeve tregtare në Gjirin Persik dhe rreth Ngushticës së Hormuzit janë shtuar ndjeshëm. Anijet ngarkojnë naftë në portet e Arabisë Saudite ose Irakut dhe e transportojnë drejt Gjirit të Omanit, duke kaluar përmes një korridori që konsiderohet jetik për furnizimin global me energji.

Sipas Organizatës Ndërkombëtare Detare (IMO), të paktën 59 anije tregtare janë goditur në Gjirin Persik dhe zonat përreth që nga përshkallëzimi i konfliktit në fund të muajit shkurt. Deri më tani kanë humbur jetën 17 marinarë, ndërsa vetëm javën e kaluar u raportua vdekja e dy pjesëtarëve të ekuipazheve në sulme të njëpasnjëshme.

Pavarësisht bonusit të lartë, jo të gjithë janë të gatshëm të marrin përsipër rrezikun. Sipas përfaqësuesve të industrisë, marinarët kanë të drejtë të refuzojnë hyrjen në zonat me rrezik të lartë dhe të kërkojnë zëvendësimin e tyre.

Presidenti i organizatës ndërkombëtare GlobalMET, Pradeep Chawla, tha se disa kompani po ofrojnë tashmë shpërblime "marramendëse", por shumë marinarë zgjedhin të zbresin nga anijet përpara nisjes. Megjithatë, sipas tij, gjithmonë gjenden të tjerë që pranojnë rrezikun në këmbim të pagesave shumë të larta.

hormuz

Lini një Përgjigje