
Një tërmet me magnitudë 7.1 ballë të shkallës Rihter goditi të martën ishullin Kyushu në jugperëndim të Japonisë, duke shkaktuar të plagosur, shembje ndërtesash, zjarre dhe dëme në infrastrukturë.
Sipas autoriteteve japoneze, tërmeti ndodhi në orën 16:27 sipas kohës lokale dhe arriti intensitetin maksimal 7 në shkallën sizmike japoneze Shindo, e cila mat fuqinë e lëkundjeve në sipërfaqen e tokës.
Kryeministrja japoneze, Sanae Takaichi, deklaroi se autoritetet janë ende duke vlerësuar shkallën e dëmeve dhe numrin e viktimave, por konfirmoi se ka disa persona të plagosur.
"Në disa zona janë raportuar ndërprerje të energjisë elektrike, zjarre, rrugë dhe ura të dëmtuara, si edhe ndërtesa të shembura", tha ajo.
Pas tërmetit, Agjencia Meteorologjike e Japonisë (JMA) lëshoi një paralajmërim për cunami, duke njoftuar për mundësinë e valëve deri në një metër të larta. Më vonë, agjencia bëri të ditur se deri në atë moment nuk ishte vërejtur aktivitet i pazakontë në det dhe se paralajmërimi mund të hiqet nëse niveli i detit mbetet i pandryshuar.
Autoriteti Rregullator Bërthamor i Japonisë njoftoi se nuk janë konstatuar anomali në centralet bërthamore të vendit. Ndërkohë, kompania Kyushu Electric Power bëri të ditur se tre reaktorët bërthamorë që ishin në funksion në momentin e tërmetit vazhdojnë të operojnë normalisht.
Japonia është një nga vendet me aktivitetin më të lartë sizmik në botë, pasi ndodhet në kryqëzimin e katër pllakave tektonike përgjatë Unazës së Zjarrit të Paqësorit. Vendi regjistron qindra tërmete çdo vit dhe përbën rreth 18 për qind të aktivitetit sizmik global.
Tërmeti më shkatërrues në historinë e fundit të Japonisë mbetet ai i vitit 2011, me magnitudë 9.0, i cili shkaktoi një cunami katastrofik ku humbën jetën ose u shpallën të zhdukur rreth 18.500 persona, si edhe aksidentin bërthamor në centralin Fukushima Daiichi.
Lini një Përgjigje