Guvernatori dhe zëvendësguvernatorët e Bankës së Shqipërisë do të gëzojnë imunitet procedural të posaçëm ndaj masave shtrënguese, nëse miratohet projektligji i ri për funksionimin e bankës qendrore. Drafti parashikon se ndaj tyre nuk mund të vendoset masë arresti, nuk mund t'u kufizohet liria dhe as të ushtrohet kontroll personal apo kontroll i banesës pa një autorizim paraprak nga Gjykata Kushtetuese.
Sipas projektligjit, mbrojtja procedurale nuk zbatohet vetëm në rastet kur guvernatori ose zëvendësguvernatorët kapen në flagrancë ose ndiqen menjëherë pas kryerjes së një vepre penale. Në çdo situatë tjetër, organi i akuzës duhet t'i drejtohet fillimisht Gjykatës Kushtetuese për të marrë autorizimin për arrestimin ose kryerjen e kontrolleve.
Drafti përcakton se kërkesa për autorizim do të shqyrtohet nga Gjykata Kushtetuese brenda dy javëve nga depozitimi i saj. Nëse brenda këtij afati nuk merret një vendim, kërkesa konsiderohet e refuzuar.
Dispozitat e reja synojnë të vendosin një procedurë të veçantë për hetimet penale ndaj drejtuesve më të lartë të Bankës së Shqipërisë, duke i kushtëzuar veprimet procedurale të prokurorisë me miratimin paraprak të Gjykatës Kushtetuese.
Projektligji është pjesë e paketës së re ligjore për Bankën e Shqipërisë, e cila synon të rregullojë organizimin dhe funksionimin e institucionit, si edhe statusin juridik të guvernatorit dhe zëvendësguvernatorëve, duke përcaktuar garanci procedurale të posaçme në rastet kur ndaj tyre zhvillohen hetime penale.
Cili vend be bote e ka kete alternative? Kush Po mere masa per vete? E dine ckane bere e vazhdojne te bejne me lidhje me oligarket, Ndaj po marrin masa. Ky duhet te jete proposimi I Zacaj, pasi ajo e di se edhe mund te jete gati per arrest!