TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet28 Korrik 2026, 15:24

Kristian Shkreli rrëzon pretendimet e SPAK: Nuk kam ofruar dhe premtuar asgjë në këmbim të votës

Shkruar nga Pamfleti
Kristian Shkreli rrëzon pretendimet e SPAK: Nuk kam ofruar dhe premtuar
Kristian Shkreli,

Kryebashkiaku i Vaut të Dejës, Kristian Shkreli, ka mohuar para Gjykatës së Posaçme akuzat e SPAK për korrupsion aktiv në zgjedhje, duke deklaruar se përgjimet e administruara në dosje janë keqinterpretuar dhe nuk provojnë asnjë premtim apo përfitim në këmbim të votës.

Në dëshminë e tij, Shkreli tha se telefonatat e përgjuara lidhen me ushtrimin e detyrës si kryebashkiak dhe me problematikat që i përcillnin qytetarët. Sipas tij, fshati Stajkë kishte probleme me energjinë elektrike prej vitit 2019 dhe kontaktet e vazhdueshme me drejtues institucionesh kanë qenë pjesë e punës së tij të përditshme.

"Nuk kam ofruar dhe premtuar asgjë në këmbim të votës. Fshati Stajkë kishte problematikë që në vitin 2019 me energjinë elektrike. Unë çdo ditë bëj telefonata për problematikat e banorëve. Edhe sot mund të jem në përgjim. Dje mora një drejtor tjetër se kishte problem me dritat në një fshat tjetër, marr edhe drejtorin e spitalit kur ka problematikë e më vijnë ankesa. Telefoni nuk më pushonte nga ankesat e qytetarëve", tha Shkreli.

Duke iu referuar disa prej bisedave të përfshira në dosjen e SPAK, kryebashkiaku kundërshtoi interpretimin e prokurorisë për shprehjen "jepi zjerm", duke sqaruar se ajo kishte të bënte me atmosferën në një takim elektoral dhe jo me ndikimin e zgjedhësve. Ai mohoi gjithashtu pretendimin se kishte financuar punimet për rrjetin elektrik, ndërsa theksoi se ka bashkëpunuar pa asnjë hezitim me agjentët e Byrosë Kombëtare të Hetimit gjatë kontrollit të ushtruar ndaj tij.

"Mesazhi 'jepi zjerm' ishte që në takimin elektoral të kishte brohoritje dhe ovacione, jo të kem kërkuar vota apo të kem ofruar të mira materiale apo vende pune. Kur kam thënë 'ua kam dhënë unë lekët', e kam thënë për t'i bindur qytetarët se defekti i linjës do të rregullohej, por nuk i kam dhënë asnjë lek OSHEE-së. Agjentët e BKH erdhën te banesa dhe lokali im, më kërkuan telefonin dhe password-in, ua hapa telefonin dhe ua dhashë menjëherë", tha Shkreli.

Procesi ndaj kryebashkiakut të Vaut të Dejës vijon në GJKKO, ndërsa ai këmbëngul se provat e paraqitura nga SPAK janë nxjerrë jashtë kontekstit dhe nuk mbështesin akuzën për korrupsion aktiv në zgjedhje.

 

shkreli spak

Lini një Përgjigje